Marsela Çibukaj ka qenë gjithmonë e kujdesshme për jetën e saj private dhe nuk ka preferuar të ekspozohet apo të “fitojë pikë” a vëmendje mediatike përmes lajmeve nga jeta personale.

Megjithatë, edhe pse është treguar hermetike, nuk kanë shpëtuar edhe për të aludimet se mund të jetë në një lidhje dashurie.

Pavarësisht se këngëtarja nuk e kishte konfirmuar më herët, një foto e postuar në Instagramin e saj gjatë muajve të verës me mbishkrimin “Dashuri, le të shpërthejnë portalet” ishte vetë lajmi që nuk pati nevojë për shumë komente pas. Marsela e postoi foton me të dashurin dhe kureshtja e radhës ishte cili është personi që i ka rrëmbyer zemrën.

Meqenëse nuk i shpëtoi dot kësaj pyetjeje edhe sot në Pop Culture si e ftuar për të folur për projektet e saj të fundit, Marsela vendosi të rrëfehej këtë herë. Duke folur për Atë, Marsela nuk tha që është i dashuri, e quajti “një shok shumë i mirë i imi”: “Quhet Emanuele, është italian, një shok shumë i mirë i imi, kemi shumë vite që njihemi”, – tha ajo duke folur për personazhin e fotos që “ua dhuroi portaleve”.

Por ndërsa Kelvi ndërhyn duke i kujtuar se të gjithë po thonë që ai është i dashuri i saj, Marsela, pa i kursyer as këtë herë batutat, ia kthen: “Ashtu po thuhet? Epo fajin e ka Artjola Toska që pas asaj fotoje tha “të trashëgoheni” – dhe me të qeshur vazhdon: “Pas Artjolës filluan me radhë edhe Eranda, edhe të tjerat. Të gjithë janë shumë të kënaqur që po martohem.”

“Kur të vijë momenti, do t’ju sjell llokumet”, – vijon të bëjë humor më tej këngëtarja, madje paska menduar edhe për dasmën: “Dasmën e kemi lënë për 2018-ën.”

Ndoshta pas këtij lajmi, portalet do të shpërtejnë përsëri: “Marsela Çibukaj, drejt altarit…” Jo keq si titull apo jo?