Syri i të dashurit më sheh drejt në bulëz të syrit tim
Dhe kthjelltësinë e ka burim të butë blu, krejt magjepës
Që nuk paska shterur me vitet e pritjes sime.

Ai sy ma njohu shtegtimin që e ndeshi ashtu papritur,
Pas një kohe të gjatë e të trishtë, në shikimin tim
Dhe me tjetër gëzim i mbushi orët e mia të fatit.

Aq vitale ishte ende dashuria ime për të dhe kohën e papërsëritshme
Sa kur ma ndali rrezen kureshtare, u harkua si hënë në mugëti
E dora ime nuk lëvizi prej prekjes së syrit, dhe as syri im s’pati huti.

Jeta kishte pamje të re, më e bukur nga distanca, veshur me vel besimi
Nuk desha të iki shpejt, por as të rri në këtë vatër të ndezur sërish
Nga zgjimi i çuditshëm, ndërsa dashuria ime ngultas më tha:

Çdo kohë ka rëndësinë e saj. Mos e lër kohën tënde të ikë pa ty
Rri në vrobull të saj, le të përplasesh si stuhi e fortë e shkatërruese
Edhe kur hënat e mallit takohen rastësisht nuk e ndalin rrotullimin…

Atëherë syri i të dashurit tim u ndal tamam në syrin tim
Dhe pyeti siç pyesin sytë pa fjalë kur nuk e kanë të sigurt përgjigjen e rrallë;
Ka të tjera histori si e jona dhe dritë si e syve tanë!?

Jo i dashuri im. E jona nuk ngjan me asnjë yll a yllësi
Kështu syri i tij iku përfundimisht nga unë, këtë herë si gurgullimë në përrua
Sepse kaq i duhej syrit të një burri, ku fle dashuria vetëm për një grua