Një avion me drejtim Balin, në Indonezi, nga Doha (Katar) është detyruar të bëjë një ulje jashtë programit në Chennai të Indisë, për shkak të kaosit të krijuar nga një pasagjere që kishte zbuluar gjatë udhëtimit se bashkëshorti e tradhtonte.

Gruaja ka dhënë alarmin, aq sa piloti e pa të udhës të bëjë një ulje emergjente në Indi për të vijuar udhëtimin pa dy bashkëshortët grindavecë.

Gjithçka ka filluar në 5 nëntor mbi një avion të linjës “Qatar Airways”, i nisur nga Doha në drejtim të Balit, kur burrin e kishte zënë gjumi. Gruaja, e cila me sa duket dyshonte për mungesë besnikërie, ka përfituar duke i zhbllokuar celularin me një përshtatës dixhital dhe ka zbuluar tradhtinë.

Sipas asaj që shkruan “Hindustan Times” dhe “Independent”, gruaja ka nisur të reagojë ndaj të shoqit, duke e dhunuar para syve të djalit të trembur, i cili udhëtonte me ta.

Ndërhyrja e personelit të bordit nuk ka shërbyer për të qetësuar bashkëshorten e tensionuar. Dhe kështu piloti vendosi të bëjë një ulje jashtë programit në Chennai.

Duket që familja e ka kaluar gjithë ditën në një qendër pritjeje në Chennai, sepse nuk kishin vizë indiane.

Më pas, të tre janë nisur për në Kuala Lumpur dhe në vijim në Doha.

Një zëdhënës i “Qatar Airways” refuzoi të komentojë kaosin për një çështje privatësie.