(Ernesto Sabato, “Njerëzit dhe ingranazhet”, Om, Prishtinë, 2017. Përktheu nga origjinali: Orjela Stafasani)

Ag APOLLONI

Ernesto Sabato (1911-2011) vdiq të shtunën, lajmi pa ndonjë bujë qe dhënë të dielën në pak media elektronike, ndërsa në formë të shtypur u përhap të hënën.

Si çdo ditë, në Prishtinë, në mëngjes bleva gazetën dhe shkova në fakultet, apo, siç do të thoshte Sabato, në manastir. Në zyrë, para se të shkoja për të ligjëruar, e shfletova gazetën dhe pashë lajmin për vdekjen e shkrimtarit, i cili në gjuhën shqipe ishte përkthyer një vit para se të lindja unë. E mbaj mend që atë ditë, sapo hyra në sallë, u thashë studentëve se ishte ditë zie për letërsinë, sepse kishte vdekur Ernesto Sabato dhe me ata pak nxënës që i kishin lexuar veprat e tij, shkuam tamam si anti-institucionalistë, apo si anarkistë (ashtu si autori i “Tunelit”), te një kafene afër fakultetit dhe diskutuam për të.

Në anën tjetër, në Buenos Aires, në kafenenë e preferuar të Sabatos, ku ndodheshin librat e tij të përkthyer në disa gjuhë dhe ku ai çdo ditë shkonte për të luajtur shah dhe domino, hynin e dilnin njerëz si asnjëherë më parë. Në kafenenë, ku miqtë e shkrimtarit shpresonin të organizonin festën për ditëlindjen e tij të njëqindtë, ishte hapur “e pamja” për të.

Sabato, veprën e të cilit e adhuronin personalitete si Tomas Mani, Alber Kamy, Zhan-Pol Sartri, Emil Siorani, Vitold Gombroviçi, Graham Grini, Zhoze Saramago, Salman Rushdi, Mario Vargas Llosa, Robert Kuveri e plot shkrimtarë, filozofë dhe intelektualë të tjerë të mëdhenj botërorë, bënte jetë modeste, i tërhequr në lagjen e tij, mes familjes dhe miqve, ku sigurisht vazhdonte të reflektonte mbi teknolatrinë nga pozita e kundërshtarit të përjetshëm të saj. [Njëherë, i pyetur se mos me esetë e tij kundër teknikës po synonte kthimin te humanizmi paramekanik, se mos nuk i pëlqente frigoriferi, ai ishte përgjigjur: “Jo, unë vetëm dua që frigoriferin ta zbrisni nga piedestali ku kapardiset si një zot grotesk dhe ta vendosni aty ku e ka vendin, në kuzhinë”.]

Si me shaka, gjithmonë kur më pyesin se kush është shkrimtari më i madh shqiptar, unë përgjigjem: Ernesto Sabato. Natyrisht, ai është shkrimtar argjentinas, me prejardhje shqiptare të dokumentuar nga ai vetë: “në Shqipëri më pritën si mbret dhe si bir”. [Siç dëshmon te libri “Përpara fundit”, në vitin 1995, kur ishte kthyer nga Shqipëria, i tronditur emocionalisht nga pritja e ngrohtë në tokën e të parëve të tij, në aeroportin e Vjenës i ishte keqësuar gjendja shëndetësore dhe vetëm pas ndërhyrjes së mjekut kishte mundur të fluturonte drejt vendlindjes.] Por unë edhe para se ta dija prejardhjen e tij e konsideroja shkrimtar timin, një portret të të cilit vazhdoj ta mbaj në mur, pranë vitrinës së librave. Arsyeja pse e mbaj fotografinë e tij aty është thjesht për të mos e harruar porosinë e tij, amanetin e tij, për “betejën vendimtare që duhet ta bëjmë, për rifitimin e anës njerëzore që e kemi humbur”.

Prandaj, kur përkthyesja e këtij libri vendosi ta sillte librin “Njerëzit dhe ingranazhet” në gjuhën shqipe, mendova se ky do të ishte një kontribut i madh për t’ia hapur sytë shoqërisë sonë të verbuar nga teknika dhe informatika, apo nga ajo që Sabato e quante adhurim ndaj ingranazhit, apo teknolatri.

Arti dhe shkenca 

Sabato studioi fizikë dhe matematikë, por shpëtimin e kërkonte te letërsia. Prandaj braktisi shkencën dhe punën si profesor universitar për t’iu përkushtuar letërsisë dhe, herë pas here, pikturës, duke i dëshpëruar profesorët e tij që tek ai shihnin një shkencëtar me perspektivë: “Kur në fillim të viteve ’40 vendosa ta braktisja shkencën, Doktor Gaviola, asokohe drejtor i Observatorit të Kordovës, që më kishte shumë përzemër, tha: Sabato po braktis shkencën për t’u bërë sharlatan. (…) Ai më tha se do të ma falte vetëm nëse një ditë do t’ia dilja të shkruaja një vepër si Mali Magjik. I shkreti Gaviola, besoj se kurrë nuk e mori vesh se Tuneli im e impresionoi edhe vetë Tomas Manin, i cili këtë e shkroi edhe në një nga ditarët e tij” (E. Sabato, “Përpara fundit”, 1998).

Në vitet ’40, Sabato kishte një mik të madh: Horhe Luis Borhesin. Në vitin 1956 ata u ndanë për shkak të mosmarrëveshjeve politike, për t’u bashkuar prapë në pleqëri. Derisa bisedat e tyre të atëhershme, të pafundme, mbi Platonin dhe Heraklitin nuk u regjistruan, më vonë ata bënë biseda (të zakonshme për ta, por të jashtëzakonshme për ne) nga nëntori i vitit 1974 deri në shkurt të vitit 1975, që u botuan një vit më pas me titullin “Dialogë: Borhes – Sabato”.

Këta dy shkrimtarë tashmë legjendarë, të së njëjtës lartësi olimpike, paraqesin një tandem tek i cili është akumuluar dija nga kohërat më të lashta deri në bashkëkohësi, me vizione të qarta, por frikësuese, për të ardhmen. Si orakuj të verbër, dy shkrimtarët argjentinas, e parashikuan zhvillimin kulturor dhe letrar, prandaj koha që pasoi krijoi aurat e artit mbi figurat ikonike të tyre.

Edhe pse ata gjithmonë do të mbeten bashkë në kujtesën kulturore të njerëzimit, për nga stili i shkrimit janë dy tipa të ndryshëm: njëri konsolidon linjën e eruditëve eklektikë (që nisi me Xhojsin dhe mbaroi me Ekon), kurse tjetri linjën e angeristëve apokaliptikë (që nisi me Dostojevskin dhe vazhdoi me Hesen).

Prandaj, për mua, krahas letërsisë eruditive racionale (me informacione të bollshme dhe observacione të thella), ekziston linja e romanit irracional angerist (me ankthe të bollshme dhe shpirtra të thellë, apo me personazhe skajshmërisht të tëhuajësuar dhe të vetmuar), që ka tre përfaqësues kryesorë në botë: Dostojevskin, Hesen dhe Sabaton, këta tre minatorë që gërmuan më thellë se të tjerët në shpirtin njerëzor dhe nxorën thesare prej tij.

Sabato, natyrisht, ishte edhe erudit, madje në shumë raste shfaq një dije më të madhe se eruditët e sipërcekur, por ndryshe prej tyre, ai, siç e ka pohuar vetë në shkrimet e tij ku i bën elozhe irracionalitetit, nuk mund të shkruante romane me ftohtësi racionale.

Streha e shpirtit

Nga vepra e parë deri tek e fundit, Sabato shfaq ankthin për gjendjen e njeriut në prag të shkatërrimit planetar. Ky ankth, që iu krijua nga leximet dhe përjetimet në rini, e çoi disa herë në prag të vetëvrasjes. Kur një doktor, duke e parë se ndodhej në prag të çmendisë, i propozoi një terapi psikanalitike, Sabato iu përgjigj: “vetëm arti mund të më shpëtojë”.

Kështu, arti ishte kthyer në strehë shpirtërore të tij. Gjatë gjithë jetës njëshekullore, shkroi vetëm tri vepra fiksionale (romane): “Tuneli” (1948), “Mbi heronjtë dhe varret” (1961) dhe “Abadon shkatërruesi” (1974). Librat e tjerë i shkroi në trajtë esesh, itineraresh dhe kujtimesh.

Sabato kishte një frikë të çuditshme nga botimi dhe gjithmonë romanet e tij (ato që i shpëtonin zjarrit, ku siç thotë në kujtimet e tij, i hidhte pasi i shkruante) botoheshin me insistimin e gruas, ose të miqve. Ndërsa dramat kurrë nuk mori guximin t’i botonte, por, ndoshta, as t’i digjte.

Edhe pse shumë studiues mendojnë se për një jetë aq të gjatë, ai shkroi tepër pak letërsi artistike, vetë Sabato mendonte se kishte shkruar shumë dhe këmbëngulte që në letërsi nuk ka rëndësi sasia: në letërsi mund të mos hyjë një autor që i ka shkruar njëqind vepra dhe të hyjë një tjetër që e ka shkruar vetëm një vepër.

Sabato hyri në letërsi me të tre romanet, që konsiderohen kryevepra mbi krizën shpirtërore të njeriut. Për “Tunelin”, i quajtur roman klasik ekzistencialist, kanë shkruar me admirim Mani, Kamyja, Grini e Kuveri; për “Mbi heronjtë dhe varret”, i konsideruar si roman tronditës dhe ndër më të mirët në letërsinë botërore, kanë shkruar me adhurim shumë shkrimtarë dhe studiues, mes të cilëve edhe Salman Rushdi; ndërsa për “Abadonin”, romanin më eksperimental të tij, studiuesit janë të një mendimi që ajo është vepra më e guximshme, ku thyhen të gjitha rregullat dhe fshihen kufijtë mes artit, shkencës dhe jetës, apo mes fiksionit dhe faktografisë.

Humanizmi (s’)do të triumfojë

Megjithatë, për ta kuptuar letërsinë artistike të Sabatos, duhet të lexohen edhe librat e tij jofiksionalë, ku ai vazhdmisht flet për tmerrin që ia shkaktonte dehumanizimi i njerëzimit dhe për dyshimin që kishte ndaj bindjes së Gëtes, se “humanizmi do të triumfojë”. Ai çuditej sesi “bota e teknikës dhe e informatikës, e cila teorikisht duhej t’i afronte njerëzit, ka hapur një hendek të pakapërcyeshëm” dhe brengosej, si askush tjetër, për triumfin e shpirtit shkatërrues të njerëzimit, i cili “vetëm me gjysmën e shpenzimeve për armatime do të mund ta zgjidhte problemin e ushqimit në të gjithë botën, ku çdo dy sekonda një fëmijë vdes nga uria”. Ai ankohej se mirësia nuk po gjente vend te njerëzit, që nga qenie racionale po ktheheshin në makina. Prandaj e citonte piktorin Goja: “gjumi i arsyes lind përbindësha”.

I vendosur se “shkrimtari duhet të jetë dëshmitar i pakorruptueshëm i kohës së tij”, Sabato e shkroi “Njerëzit dhe ingranazhet” (1951) si një protestë ndaj dehumanizimit dhe teknolatrisë, reagim ky i artikuluar nga një shkencëtar me shpirt artisti, po aq sa edhe nga një artist me dije shkencëtari. Në esenë e fundit, ku proklamon artin si rebelim, i çuditur nga mendimi i Ortega y Gasset-it se kohëve të fundit artisti është dehumanizuar, Sabato e kthen shigjetën në anën e kundërt: ai që është dehumanizuar, nuk është artisti, por publiku, turma.

Me këtë libër Sabato nxiti një valë reagimesh ndaj tij, aq sa pas dhjetë vjetësh, i ishte shuar dëshira për ta botuar sërish, por në fund të viteve ’90, deklaroi se të vërtetat e thëna në atë libër, vetëm tash po fillonin të kuptoheshin: “Kanë kaluar më tepër se dyzet vjet nga shfaqja e atij bilanci shpirtëror të ekzistencës sime, të shkruar mes shpërthimeve të bujshme të botës. Sot, pjesa më e madhe e asaj që hodha në letër, përmban një vërtetësi mbresëlënëse. Shumë prej atyre që dikur më sulmuan dhe më vunë në lojë, duke më akuzuar për obskurantizëm, sapo kanë filluar ta kuptojnë botën e egër, të prodhur nga ne”.

“Njerëzit dhe ingranazhet” është një reagim për ta shpëtuar njeriun nga humbja e identitetit të tij, për ta vetëdijesuar atë që të mos jetë thjesht pjesë e një makine a mekanizmi, por që t’i kthehet humanizmit.

Esetë e këtij libri artikulojnë thirrjen e Sabatos, artist dhe shkencëtar, për ta shpëtuar njeriun nga humnera drejt së cilës është nisur shumë kohë më parë dhe buzë së cilës gjendet tash. E, toni apokaliptik që e përshkon herë pas herë këtë libër, është tipar dallues i këtij artisti alarmues, i cili e pa botën me dy sytë e njerëzimit, siç i quante Llotmani artin dhe shkencën. /Gazeta Observer