‘Grua bëma hallall për çdo gjë’, këto kanë qenë fjalët dhe porosia e fundit e 45-vjeçarit nga komuna e Skivjanit të Gjakovës, para se ta vriste veten të premten që shkoi, në oborrin e shtëpisë së motrës së tij.

Gazeta Express të martën ka qëndruar në familjen e viktimës, si dhe në vendin e punës, ku ai kishte punuar deri në muajin janar të këtij viti. Ata kanë rrëfyer rreth ngjarjes. Motivet që e çuan 45-vjeçarin drejt këtij akti nuk dihen. Ndërkohë, Policia e shtetit po i vazhdon hetimet rreth kësaj ngjarje të rëndë.

Dhjetëra persona, të martën, në orët e para të pasdites, ia kishin mësyrë shtëpisë së familjes Namonaj, nga fshati Skivjan i Komunës së Gjakovës.  Ata po shkonin për të shprehur ngushëllime për vdekjen e 45-vjeçarit, Vesel Namonaj. Familja sot po e mbyllte të pamen, pas vdekjes së djalit të saj.

I ndjeri doli nga shtëpia mëngjesin e së premtes së kaluar. Ishte nisur për në shtëpinë e dhëndrit të tij, që e kishte në Gjakovë. Por, 45-vjeçari  më nuk u kthye i gjallë në shtëpinë e tij. Vesel Namonaj u vetëvra me pistoletë në kokë në oborrin e dhëndrit.

Por, pak para se ta kryente aktin ai i la një mesazh familjes.  ‘Grua bëma hallall për çdo gjë’, ishin fjalët e fundit që familja e Veselit i mori nga ai. Pas këtij mesazhi, djali i viktimës ishte nisur drejt Gjakovës për të shkuar tek babai i tij. Por, në oborrin e shtëpisë, që gjendej në rrugën ‘Bajram Curri’ të Gjakovës, ai e pa të atin e tij vetëvrarë me një plumb në kokë.  I ndjeri ishte me profesion hotelier, dhe për disa vite kishte punuar në një hotel në Deçan.

Familjarët nuk kanë dashur që të japin detaje rreth këtij rasti. Ata kanë deklaruar se nuk i dinë motivet që e shtynë të ndjerin drejtë vetëvrasjes. Thonë se ai nuk kishte pasur probleme me askënd, dhe se kishte pasur jetë të lumtur bashkëshortore, nga e cila kishte dy fëmijë.

“Nuk ka pas asnjë problem. Ka qenë njeri i qetë i ndershëm dhe shumë i respektuar. Ne nuk i dimë motivet që e shtynë atë ta bënte këtë veprim. Jemi në dhimbje na leni ta kryejmë të pamën”, thanë për Express kushërinjtë e të ndjerit.

Vesel Namonaj për disa vite kishte punuar si hotelier në komunën e Deçanit. Por, në muajin janar të këtij viti ai e la punën ku shërbente për disa vite. Kjo, për arsye të ndërrimit të pronarëve të lokalit, të cilët nuk i ofruan pagë të njëjtë Namonajt.

Për Express, detaje për këtë punë ka dhënë kolegu i të ndjerit, Venon Lushaj.

Vendi ku ka punuar me vite i ndjeri

“Kemi punu gjashtë vjet bashkë. Nuk ka pas asnjë problem me askënd. Ka qenë profesionist në punën që e ka kryer. Këtu tek ne ka punuar deri më 29 janar, pastaj e la. Mesa e di pati punuar pak dhe në një lokal tjetër”, thotë kolegu i të ndjerit.

Ai e kujton Namonajn si njeri shumë të përkushtuar për punë

“Nuk e di, nuk e  kam besu që ai e ka bërë këtë akt. Sinqerisht me vjen shumë keq. Se e kam pas si familje jo vetëm si shok”, rrëfen shoku i ngushtë i të ndjerit.

Për këtë rast, hetimet është duke i vazhduar edhe Policia e Kosovës.

“Policia në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po merr masat e nevojshme hetimore lidhur me rastin. Sa i përket motivit dhe procesit hetimor në përgjithësi policia në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit po vazhdojnë me veprime hetimore të trajtojnë këtë rast edhe më tutje”, ka thënë Lirije Podrimaj, zëdhënëse për informim në Komunën e Gjakovës.