Ndërrimi i kryetarit të trupi gjykues në rastin e Merita Dragaj, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë” dhe Izet Zeqiri, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ka bërë që seanca e paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të anulohet.

Kryetari i trupit gjykues në këtë rast ka qenë gjykatësi Valon Kurtaj, mirëpo i njëjti tashmë ka kaluar në pozitën e re si drejtor i Akademisë së Drejtësisë, ndërsa lënda i ka kaluar gjykatëses Valbona Selimaj-Musliu.

Gjykatësja Selimaj-Musliu për “Betimi për Drejtësi”, tha se i duhet kohë për ta lexuar në mënyrë që të jetë e përgatitur për mbajtjen e seancave dhe për këtë arsye është anuluar seanca.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar, Dragaj dhe Zeqiri, ishin deklaruar të pafajshëm lidhur më veprat penale që u vihen në barrë.

Sipas aktakuzës, Merita Dragaj derisa kishte qenë studente në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, kishte falsifikuar notën e lëndës së anatomisë dhe kishte plotësuar fletëparaqitjen e provimit.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, kishte vënë në lajthitje organet kompetente, respektivisht zyrtaren për shërbimin e studentëve. Dhe, si pasojë, nga po i njëjti organ, sipas prokurorisë, i është lëshuar certifikata e diplomimit me titullin doktor i Stomatologjisë. Me këto veprime, Dragaj pretendohet të ketë kryer veprën penale “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”.

Ndërkaq, gjithmonë sipas aktakuzës, në bazë të deklaratës me shkrim të të akuzuarit Izet Zeqiri se kinse dosja e Dragajt është e kompletuar, të njëjtës i është lëshuar diploma për të ushtruar profesionin e stomatologes.

Me këtë veprim, Zeqiri pretendohet të ketë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.