Në Panairin e Librit 2018, në Prishtinë, vjen në shqip një ndër librat më të bukur të letërsisë europiane lindur nga kampet e shfarosjes “Armëpushimi” i autorit Primo Levi, shqipëruar nga Aida Baro. Botimet Pegi sjellin gjithmonë kryeveprat e letërsisë evropiane dhe ky libër është një prej tyre.  “Armëpushimi”, libri i kthimit, odiseja e Europës mes luftës dhe paqes, është vijimi i “A është vallë, njeri…?,” një ndër librat më të bukur të letërsisë europiane lindur nga kampet e shfarosjes. Nëse libri i parë ishte shkruar menjëherë pas kthimit, thuajse me qëllimin për t’u çliruar së brendshmi nga barra e rëndë shpirtërore, si nevojë dëshmie, duke qenë se ai ishte një ndër të paktët hebrenj që mbijetuan në kampin e përqendrimit dhe duke iu bindur nevojës së menjëhershme për “t’u treguar të tjerëve, për t’i bërë të tjerët pjesëmarrës” të asaj tragjedie, libri i dytë është shkruar me njëfarë largësie nga ngjarjet, në një klimë më të shtruar e më të qetë.

Aventura europiano-qendrore e Levit nuk mbyllet me çlirimin e Aushvicit nga ana e Ushtrisë së Kuqe, përkundrazi, si në një shtegtim fantazmagorik, Levi bashkë me një mijë e katërqind italianë të tjerë vërtiten nëpër hapësirën e paskajshme ruse për muaj me radhë, nga janari deri në fund të vitit 1945. Nuk dihen as sot e kësaj dite arsyet e kësaj sorollatjeje të panevojshme, ndoshta edhe thjesht për shkak të neglizhencës ose rrëmujës burokratike që mbizotëronte në Bashkimin Sovjetik të asokohshëm. Me vërtetësi, ironi therëse deri në sarkazëm, Levi përshkruan tipa dhe karaktere nga më të ndryshmet, tregjet klandestine të Krakovës dhe Katovicës, çmobilizimin e shthurjen e radhëve të Ushtrisë së Kuqe, tokën ruse të pafund, të pushtuar nga lavdia, mjerimi, harresa dhe forca jetësore; këneta e pyje të paprekura, trena të shkatërruar, gostitë e shfrenuara të rusëve të dehur nga fitorja; fjetoret plot ëndrra të italianëve në udhën e pasigurt të kthimit.

 Kritika

Një prej librave vërtet më të nevojshëm të shekullit tonë.

Philip Roth

“Armëpushimi” është historia e një marrëzie kolektive, e një ligësie, e një budallallëku të pabesueshëm, gjithashtu dhe e një naiviteti njerëzor, e një shpirti, mirësie, kokëfortësie dhe natyre të zakonshme të fatit kombinuar me sipërmarrjen. Ky është më shumë se një reportazh: është përjetimi i llahtarit në një prozë lirike e të ngjeshur. Në fund të fundit, mbetet një libër që ngre jetën në kult, sepse zgjeron horizontet, në vend që t’i eklipsojë: përforcon dëshirën për të jetuar mirë dhe ndershmërisht. Të frymëzon mirësi.

The Indipendent

Përballë tmerrit dhe shtypjes, Levi na jep mundësinë të shohim se njerëzimi nuk do të shkatërrohet krejtësisht apo lehtësisht.

The Guardian