Një fjalë e urtë thotë: “Barka nuk shkon askund nëse ata që ndodhen mbi të, secili rremon në drejtimin që i teket!”. Pikërisht kjo urtësi universale na del në ndihmë, kur vije puna te përshkrimi i situatës në të cilën ndodhemi. Situatë që s’ka ndryshuar për dekada. Jemi të izoluar, të hutuar, të dëshpëruar, na ka kapluar një ndjesi e pafuqisë dhe për më keq, duket se na ka humbur edhe ajo pikë shprese e fundit që na motivonte e na pëshpëriste se vendin tonë, mund ta këndellim… Por, a mundemi vërtetë?
Shkruan: Imer Topanica

Nekroza që po vijon ta rrënojë shoqërinë, nuk është korrupsioni, siç konfirmojnë interpretuesit e raporteve të ndryshme nga organizata të ndryshme. Është sistemi arsimor i rrënuar i cili i ka falur terren, nëse mund ta quajmë, kulturës së korrupsionit. Thellë në mendësinë e shoqërisë, ka penetruar kjo (a)kulturë. Për rrjedhojë ne e korruptojmë mësuesin, policin, mjekun (kur presim në radhë për t’u kontrolluar), e korruptojmë profesorin dhe në fund edhe politikanin. Ky i fundit, është gatuar nga ky brum. Nuk mund ta di me saktësi, por jam i bindur që një pjesë e madhe e familjeve tona (po hamendësojë mbi 50%), mbijetojnë duke mos i paguar tatimet ose duke iu shmangur obligimeve qytetare, për aq sa është e mundur, duke vjedhur rrymën, ujin e kështu me radhë. Me këtë u shmangen borxheve ndaj shtetit, ose i zvogëlojnë ato, në mënyrë që të mbijetojnë. Kjo sepse shteti për ta është i huaj, e perceptojnë njësojë siç e perceptonin regjimin e para luftës gjeneratat më të vjetra. Të vidhje në malin e “dërrzhavës”, të siguroje lëndën për ngrohje për muajit e dimrit, ishte diçka me të cilën krenoheshin fshatarët e mi të paraluftës. Kjo mendësi, me gjasë, nuk është tejkaluar.

Por si kemi ardhur deri këtu?

Për shkak të paditurisë. Ne nuk lexojmë…
Sipas një studimi nga ‘Pew Research Center’, një qytetar amerikan, mesatarisht, brenda një viti kalendarik, i lexon së paku 5 libra. Por sipas një kurioziteti, Bill Gates, bashkëthemeluesi i Microsoftit dhe njeriu më i pasur në botë, brenda vitit, mesatarisht i lexon së paku 50 libra. Sipas disa burimeve të tjera, një qytetar japonez lexon mesatarisht 80 libra brenda vitit, ndërsa përqindja e atyre që lexojnë është e lartë. Në Islandë, ndërkohë, për festat e fundvitit dhurata më e mirë është një libër. Francezët, gjermanët, anglezët dhe përgjithësisht shoqëritë perëndimore, nuk qëndrojnë prapa sipas statistikave. Shtetet e lindjes, veçanërisht ato arabe, qëndrojnë po aq keq sa që qëndrojmë ne. Përqindja e atyre që lexojnë tek ne, është e ulët, kjo duket qartë.

Mbaj mend një mik nga studimet (i cili përveç që i ka përfunduar ato bazike, ka marr edhe diplomë në nivelin master dhe madje është sistemuar diku në një shkollë (në mos gabohem, si drejtor i saj), një herë e një kohë më pat thënë: “Po dal në vitin e katërt të studimeve në letërsi dhe ende, as edhe një roman nuk e kam lexuar nga fillimi deri në fund!”. Të gjitha notat, me sa mbaj mend, i kishte të ulëta. Por ai është treguar më i zhdërvjellët se sa të tjerët, duke i shfrytëzuar mekanizmat më efikas, atë të korrupsionit, nepotizmit etj, me gjasë, i ka mundur konkurrentët.

Breza të tërë studentësh, profesorësh, gazetarësh, mjekësh, e së fundi edhe politikanësh (të ngelur), kanë çarë përpara duke u vënë në krye të institucioneve. (A)kultura ua ka lehtësuar punën. Duke iu shmangur detyrimeve bazike, janë këtu ku janë. Asnjë nivel i shoqërisë, nuk është pa ta. Asnjë institucion nuk i ka shpëtuar popullimit me individë të tillë. Asnjë entitet politik, në skenë dhe jashtë skenës, nuk është treguar imun. Lufta ndaj tyre, duket e humbur dhe ne (që s’kemi mbetur pa u stërpikur, por i kemi rezistuar kësaj furie disi), sikur po dorëzohemi.

Kryeministri aktual dhe qeveria që ai e drejton, është një segment për t’u marr si shembull. Përveç që ai vet reflekton injorancë, përreth ka grumbulluar njerëz që në biografitë e tyre, natyrisht të varfra, dëshmojnë që nuk kanë lexuar me “shekuj” libra. Në këto ditë, si kurrë më parë, ai ka dëshmuar etjen për pushtet. Ai ka dëshmuar se është i paaftë t’i menaxhojë kërkesat e partnerëve duke e shndërruar qeverinë në një mega-qeveri (më e madhe se sa ajo e Kinës). Ai nuk i njeh anëtarët e kabinetit të tij (sepse janë bërë shumë). Sipas marrëveshjes me partnerët, ka themeluar edhe një ministri, fantome, për të cilën nuk mund t’i mbledhësh dy informata të qarta, sepse nuk ka as webfaqe zyrtare. Borde drejtorësh, zyrtarë institucionesh (si për shembull Trepça) me peshë për ekonominë e vendit, nuk po mund të themelohen qe sa kohë, për shkakun se kryeministri i do njerëzit e vet në këto vende. Të mos flasim për ato që ai, dikur i quante kauza të mëdha, demarkacioni, gjykata speciale, formimi i ushtrisë etj, etj, ai sikur e ka pranuar dështimin. Kështu, vendi i zhytur në kriza të njëpasnjëshme, si kurrë më parë, duket sikur është pranë një kolapsi edhe më të madh kulturor e social, ku natyra oligarkike është vulosur në tiparet e krerëve të shtetit. Padituria, arroganca dhe fodullëku janë pjesë e karaktereve politike. Por këta nuk janë armiqtë e kësaj shoqërie, e them me plot bindje, armiqtë e vërtetë janë ata që i mbështesin. Ata që u shkojnë prapa dhe i brohorasin. Ata që i votojnë.
Unë nuk po them si Blerim Gashani, të cilit para disa ditëve mediat online ia publikuan opinionin me titull: “Me këta politikanë që i kemi, patriotizmi më i madh është të ikësh nga Kosova”. Unë besoj se ka një mundësi për t’ia dalë e t’i mposhtim këta “armiq”, vetëm një strategji. Ngadalë por me përkushtim, duhet ta luftojmë dukurinë e korrupsionit, apriori duke e studiuar e kuptuar atë, në të gjitha segmentet, ngjyrat dhe fytyrat që na paraqitet. Pastaj, duhet të heqim dorë nga të besuarit në mënyrë të verbër në entitete, grupe e klasa. Duhet ta shtyjmë këtë agjendë duke u mbështetur në përgatitjen, profesionalizmin dhe ndërgjegjen e individëve që janë dëshmuar si të drejtë e të guximshëm.

Këtë na e mëson më së miri ‘Armiku i popullit’ i Henrik Ibsen-it. Tendencave irracionale të masave, duhet t’u rezistojmë disi. Duke u besuar individëve që mund t’i shndërrojmë në model për masat, shoqërinë, kjo e fundit, më në fund, do të kuptojë dhe do t’i ndjek. Nuk ka mënyrë tjetër dhe kurrë nuk ka pasur!