Shkalla e lartë e papunësisë dhe kushtet e vështira socio-ekonomike kanë bërë që shumë persona të marrin kredi për financimin e nevoja të ndryshme familjare, por edhe për investime.

Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në tremujorin e tretë të vitit 2017 shkalla e papunësisë në Kosovës është 30.2 për qind.

Zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kanë treguar për Telegrafin se numri i kredive në Kosovë shkon në rreth gjysmë milioni. Shkalla e lartë e papunësisë dhe mos krijimi i vendeve të punës ka bërë që qytetarët t’ia mësyjnë bankave për kredi.

“Aktualisht duke u bazuar nga të dhënat e sistemit të Regjistrit të Kredive, sipas raportimeve të bankave komerciale figurojnë në total 474,936 kredi aktive ku përfshihen huat, mbitërheqjet, kredit kartelat, garancionet”, ka thënë zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada.

Ndërkaq, njohësi i sektorit bankar, Milazim Abazi ka thënë për Telegrafin se Kosova është vendi i vetmi në Ballkan që ka rreth 35 për qind të GDP-së në kredi.Ai tregon se bankat që operojnë në Kosovë mund të lëshojnë shumë më shumë kredi se sa janë aktualisht, por duhet sundim i rendit dhe efikasitet i sistemit gjyqësor.

“Bankat kanë mjete të lira për të rritur kredinë edhe për rreth 900 milionë, marr parasysh se ekonomia e Kosovës dhe familjet kosovare kanë kërkesa në rritje për kredi të reja, nuk shoh asnjë pengese që bankat gjatë këtij vitit vit të kenë një rritje edhe më të madhe të kredive”, ka thënë Abazi.

Sipas statistikave të BQK-së, depozitat në banka janë mbi 3 miliardë euro, kurse kreditë e lëshuar nga bankat shkojnë në mbi 2.4 miliardë euro.