Nëse në letërsinë bashkëkohore shqipe, e cila u krijua në Kosovë, kishim një libër poetik që e kapërcente dhimbjen për humbjen e të birit, siç është “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, sot, letërsia shqipe që krijohet në Shqipëri, e ka një model po kaq të arrirë, librin poetik “Bibulz” të Erenestina Halilit.

Nga Meliza Krasniqi

Për Erenestina Halilin ky vit qe vit jo vetëm i dhimbjes, por edhe i shpërthimit në krijimtari letrare dhe i përkushtimin në dy fusha të saj ku ajo e ndien veten më mirë:  në dramë dhe poezi. Duke qenë njohëse e mirë e dramës, muaj më parë doli me bibliografinë e parë dhe më të plotë të dramës shqipe, nga fillimet e deri më sot. Gjithashtu, në fushë të poezisë vitin e kaluar, libri i saj poetik “Gjâma e erës” u vlerësua jashtëzakonisht nga kritika akademike, në Shqipëri e në Kosovë, për gjetjet e zgjedhjet e motiveve, për gjuhën dhe stilin brilant në frymën e Françeskanëve të mëdhenj,  duke e nënvizuar se ‘poezia e saj ka palcë etnie, gjuhë dhe figurë autentike, e cila s’është vetëm varietet gjuhësor, është idiolekt, gjuhë e atësisë, etnotekst (…) një autopoetikë figurale, përtej së cilës shtrihet antropoetika si konfesion i përhershëm, që e ndjek si hije kudo në jetë dhe në letra”.

Dhe, jeta shpeshherë nuk pyet për fatin e letrave. Kur të gjithë menduam se bashkë me fatumin e saj do të pësojë edhe motivimi artistik aq i gjallë në librin e parë,  kur të gjithë menduam se do të bien përtokë edhe ‘muzat dukagjinase’, ajo tërë atë histori dhimbjeje (humbjen e birit), e skaliti në figurë letrare, në vargje, të lidhura fort me rrëfimet biblike, mistike, njëkohësisht për të qenë krejt personale e autobiografike. Megjithatë, edhe pse ka një referencë, Librin e librave, ajo shkon edhe përtej tij, duke e shndërruar librin e vetes, ligjërimin e Nanës për të birin, në ligjërim për të gjithë lexuesit që njohin dhimbje dhe ata që lakmojnë vetëm tekstin dhe refuzojnë kontekstin. Prandaj, në çdo tekst, edhe pse bosht ka dhimbjen personale, ajo e tejkalon atë, duke ndërfutur edhe motive e figura të tjera, për të mos tingëlluar si mit e mitizim vetëm i subjektit, por si një dhimbje universale.

Libri mban një titull mjaft përfaqësues për të gjitha tekstet poetike që përmblidhen përbrenda librit. “Bibulz” ka konotacione dyfishe, referencë në kulturë letrare e kulturë besimi, Biblën, dhe bulëzat e ujit si shenja të pikëllimit dhe të ringjalljes përmes shkrimit. Jo vetëm kaq, Erenestina, me strukturën, vargun, gjuhën, sikur iu ka përgjigjur maksimës, se pavarësisht shekujve të tërë të  poezisë,  përsëri jemi në pikënisje (Bukowski).

Si duket, pas të gjitha këtyre rrëmimesh përbrenda shpirtit të vrarë, por edhe të kultivuar me gjuhë dhe figurë,  ky vit e paska gjetur Erën në fillim të fillimit, në vitin zero, për të ardhur në nëntorin e saj.  Ka udhëtuar çdo ditë me një frymë shpirti dhe ka gjetur shpëtimin nga zija në shenjtninë e Librat të Shenjtë, në mesazhet e tyre, është ringritur nga aty për ta jetësuar dhimbjen e një viti të vështirë në 160 faqet e këtij libri poetik.

Ashtu si në librin e parë, Era edhe sot dëshmoi se poezia është gjuhë e shpirtit njerëzor, strehë ku njeriu flet e banon. Pra, ajo ‘banon në gjuhë” dhe ripërtërihet përmes gjuhës së variantit të madh, gegë, madje duke rikthyer edhe subvariantin e Dukagjinit, prej ka shtrihet loza e saj e gjatë familjare.

Në këtë mënyrë, Era i rri besnike gjuhës së saj poetike, si gjuhë të “Nanës Bjeshkë”, të dëshmuar më parë, porse kësaj radhe, ajo  e zgjeron leksikun me të tjera fjalë e fraza poetike. Gjithë vokabulari i saj krijues, duket se vjen prej fillimit të jetës, e mund të merret me mend rruga e përditshme e saj drejt objektit, shenjës, lutjes, meditimit, për ta gjetur e kuvenduar Atin, Birin sa për ta mbajtë gjallë Shpirtin.

Përmes gjuhës së saj specifike dhe dëshirës për ta treguar atë me ngulm prej nga ka ardhur, rrugëtojmë në mistikë e realitet, në rrëfime të shenjta, që jehojnë kudo në literaturën e përbotshme, si një kambanë që na tërheq vëmendjen, se asgjë nuk është e re, se jo gjithçka  është e rastit, por një provë para të cilës kalon çdo njeri. Kështu ndodhi edhe me poeten tonë, e cila na solli jo vetëm një tekst, një cikël, por një monument elegjiak, i skalitur edhe me figura të tjera që shtrohen e trajtohen herë si tema, e herë si mitema,  të artikuluara në të tre ciklet të lidhur  mjeshtrisht njëri me tjetrin në tri stade. Kjo s’është lojë me trinitetin, është sprovë me jetën, vdekjen  dhe rilindjen. Prandaj “Bibulz”, duke qenë i shkruar në sistem, duhet lexohet si i tillë, pa harruar edhe intereferimet me pikturën, muzikën etj.

“Bibulz” i Erenestina Gjergji Halilit, pavarësisht pse ka shenja dominante biblike, ai mban vulën autoriale. Gjithë struktura poetike e veprës së saj funksionon mbi këtë shenjë e mbërrin në prekje të plagës krejt njerëzore,  edhe kur flet për veçori, momente të ndodhura në jetë, edhe  kur i flet femrës, dashurisë, fjalës, atdheut etj. Vargu,  figura tingullore, elementet stilistike, ritmi e harmonia ritmike e çojnë lexuesin te këndimi, siç ndodhte me format lirike klasike.

Poezitë e saj,  edhe pse shpërfaqen si “vargje të zeza”,  gjithnjë janë  në funksion të idesë autoriale, e herë të tjera janë një pikturë që ecën, ku e ku edhe si një muzikë dhome.

Autorja e përkëdhel fjalën e zgjedhur, si të jetë fëmija veç i saj, i jep jetë kopshti të oboes vetanake, i jep kadencën e shpirtit të saj, e vesh me stilin barok të Katedrales ku ajo përulet për të  kumtuar në fund:

Merrni të gjithë prej tij, ky është vargu jem! Varg i thënë dymijë vjet më parë, në fillim të fillimit !

Krejt në fund, nëse në letërsinë bashkëkohore shqipe, e cila u krijua në Kosovë, kishim një libër poetik që e kapërcente dhimbjen për humbjen e të birit, siç është “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, sot,  letërsia shqipe që krijohet në Shqipëri, e ka një model po kaq të arrirë, librin poetik “Bibulz” të Erenestina Halilit.