Gruaja  e re nga Shkodra, 22 vjeçarja Brigela Demaj, e cila ka studiuar për pikturë grafite, aktivizmin e saj e ka nisur pikërisht nëpërmjet formave të ndryshme të artit, duke kaluar deri tek shprehja e revoltës së saj në rrugët e Shkodrës përmes protestave.

Fotografitë e shkrepura prej saj kanë hapur debat nëpër medie e rrjete sociale. Ajo kishte realizuar një fotografi ku dy vajza putheshin mes vete përballë një banderole ku shkruhej “Gëzuar Bajramin“.

Fotografitë  dhe aktivizmi i Brigelës kapërcejnë përditshmërinë dhe të rëndomtën, kalojnë përmes zymtësisë së mentalitetit patriarkal dhe triumfojnë kauzat për të cilat Brigela lufton. Anipse, Shkodra nuk është kryeqyteti, dhe çdo lloj përpjekje e saj është shumëfish më e vështirë, ajo nuk dorëzohet asnjëherë as atëherë kur përfundon me dy apo tre vetë në protestat që ajo organizon për të shprehur revoltën dhe irritimin e saj, saherë dikund në Kosovë a Shqipëri një grua vritet: siç shprehet ajo, veç për shkakun se gjinia grua në trevat shqiptare është fatkeqësi. Sepse , – thotë Brigela:  të kesh vaginë është faj.

“Mendësia patriarkale që mbizotëron në  Shqipëri bie mbi çdo vajze e grua shqiptare, paçka sa e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme është ajo mbi çka po i ndodh. Jeta ime nuk ka asgjë të veçantë nga pjesa tjetër e vajzave shqiptare, jam rritur në  një qytet verior të  Shqipërisë, më kanë  mësuar t’i bindem “zotit”, “babait’, “bashkëshortit”… të  gjithë me identitet mashkullor e të  gjithë dakord në një pike: bindjen time. Më kanë  mësuar se  gjinia ime është një lloj fatkeqësie, një lloj shakaje natyrore, e se  çfarëdo të bëj, nuk do jem kurrë aq e mirë, aq e pushtetshme, aq e fortë  sa burrat. Më kanë  mësuar të  mos ekspozoj trupin tim, sepse ajo gjëja që  gratë kanë  në  mes të  këmbëve është “molla e ndaluar”, diçka e mbrapshtë, që  nxit dëshira të  pakontrollueshme te burrat, diçka që  thjesht …Ka faj. Si mund të  ketë vagina faj? Si mund të  ketë faj gruaja sepse ka vaginë?“, thekson ajo.

Përmes fotografive nudo, te realizuara me gra nga të cilat nuk priten forma ‘perfekte’ trupore, siç zakonisht jemi mësuar t’i presim apo shohim nëpër mediet e përditshmërisë, ajo thyen një tjetër tabu të mentaliteti të përgjithshëm i cili na rrethon: Askush nuk duhet të ketë komplekse para fotografisë së një gruaje lakuriq.

 

“Duhet ta zhveshim atë trup nga mendësia e gabuar se është kriju vetëm për të nxitë dëshira seksuale, dhe duhet të fillojmë ta shohim si një trup njeriu, i bukur në kompleksitetin, çuditshmërinë e vet. ”

“Mbi të gjitha duhet të fillojmë ta shohim si nji trup që nuk i përket askujt e që nuk definon qenien e kësaj gruaje”.

“Lakuriqësia në një formë është rebelim ndaj shtypjes emocionale, psikologjike dhe me raste fizike, që i bëhet gruas, vetëm sepse ajo është grua dhe vetëm sepse gjendet në atë trup. Kështu që fotot e mia tregojnë vajza që e shijojnë trupin e tyre, lakuriqësinë dhe vetë qenien e tyre”.

“Duhet të kemi më shumë vajza të tilla dhe duhet të kemi më pak djem që intimidohen nga vajza të tilla”, janë disa nga shprehjet proverbiale të saj të thëna gjatë intervistave dhe aktiviteteve të ndryshme.

Së fundmi ajo ka nisë të njihet si një ndër gratë që di më së miri të shkruajë për mentalitetin patriarkal. Shkrimet e saj që dënojnë dhunën dhe shtypjen e grave po zënë vend nëpër mediat qendrore në Kosovë e Shqipëri, duke thyer rekorde lexueshmërie.

“Vetëm ata që e humbin nanën e dijnë ça don me thanë humbja e saj.
Babat shqiptar ua vrasin nanat fmijve të vet. A kanë emën tjetër këta burra, përveçse përbindsha?” – ishte reagimi i saj pas vrasjes së gjyqtares në Shkodër, Fildez Hafizit./Gazeta Observer