Buzëkuqi i kuq është një ndër produktet kozmetike më të dashura të të gjitha kohërave. Nuk mund të mos sjellim në vëmendje ikonat e kinematografisë si Marilyn Monroe dhe Elizabeth Taylor, të cilat janë shenjuar në memorien tonë si femrat me buzë të përgjakura. Por nëse bota magjike e Hollywood-it ju duket larg, mendoni për vajzat me buzë të kuqe që shihni çdo ditë në rrugë, autobus, punë etj.

Nuk është legjendë, por e vërtetë, buzëkuqi i kuq u shkon të gjithave. Sekreti qëndron tek zgjedhja e tonalitetit të duhur. Sa herë që blini një të kuq buzësh duhet të merrni gjithmonë parasysh ngjyrën natyrale të buzëve tuaja. Nëse buzët tuaja janë në ngjyrë vjollcë këshillohet e kuqja e akullt, nga ana tjetër buzëve natyrale në ngjyrë korali u qëndron shumë mirë buzëkuqi i kuq më i ngrohtë.

Një tjetër sekret që duhet të kini parasysh lidhet me hidratimin e buzëve. Nëse zbutësi nuk sjell efektin e dëshiruar, hidratojini ato me një scrub të përgatitur në shtëpi (në një enë shtoni mjaltë, sheqer kaf dhe pak vaj bajamesh dhe me anë të një furçe dhëmbësh me qime të butë fërkoni buzët). Më pas fshijini me një tampon pambuku dhe procedoni me konturimin. Duhet përdorur gjithmonë një lap buzësh në njëjtën ngjyrë me buzëkuqin e kuq që të mos krijoni përzierje ngjyrash. Buzëkuqi i kuq duhet përshtatur po ashtu me ngjyrën e lëkurës dhe flokëve. Ja disa nga këshillat e duhura:

Buzëkuq i kuq mat për buzë mishtore: Të gjitha femrat do të donin të kishin buzë mishtore. Për të evituar një rezultat vulgar zgjidhni një buzëkuq mat duke lënë mënjane efektin glossy i cili do i bënte buzë të dukeshin më të fryra si tullumbace.

E kuqe e çelët për buzë të holla: Duhet të dini një sekret, ngjyrat e forta dhe të errëta i bëjnë buzët të duken edhe më të holla, kështu qe është mirë të përdorni tonalitete të çelura të së kuqes.

E kuqe qershi për brune me sy te çelur: Nëse jeni brune me sy dhe lëkurë te çelur përdorni një buzëkuq qershi të ndezur pasi është ideal për të nxjerrë në pah këto kontraste.

E kuqe bordeaux për femrat me lëkurë të bardhë si porcelan: Për ato vajza që kanë lëkurë të bardhë si një kukull porcelani dhe flokë të zinj, këshillohet e kuqja në ngjyrën Bordeaux (ngjyra e verës). Merrni frymëzim nga Dita Von Teese.

E kuqe luleshtrydhe për biondet: Ndonjëherë duket sikur zgjedhja e buzëkuqit të kuq është më e thjeshtë për femrat bionde. Jo domosdoshmërisht ndodh kështu. Në qoftë se keni flokë në nuancat e grurit, mjaltit dhe krem karamelit , zgjedhja e duhur është e kuqja luleshtrydhe.