Për Astrit Deharin

Elvis Hoxha

Në këtë letër bëhet fjalë për tri kategori: për dëshmorët, për aktivistët dhe për të gjallët limit.
Si pikënisje le të deklarojmë se nuk ka asnjë kuptim t’i thuhet dëshmorit se u kry puna. Vdekja e tij ka qenë një vendim aq radikal në lidhje me normën e jetës, sa e ardhmja që përmban ky akt është një dëshmi e papërmbushur kurrë. Një vdekje prej dëshmori nuk mund të përmbushet nga jetët e të gjallëve. Mund t’ju duket tepër e rëndë, por besoj se duhet menduar në këtë mënyrë pakti i bërë mes një jete të dhënë dhe një jete që jetohet.
Mund t’ju duket aq patetik ky pakt sa të rrekeni e ta kundërshtoni. Mund të gjeni si kundër-argument cilësinë e dëshmorëve apo dhe rastësinë e bërjes së tyre dëshmorë. Në vend të kundër-argumenteve, më mirë dhe më së pari mendoni se dëshmorët dallohen nga dëshmia që sjellin në lidhje me banalitetin e njerëzimit. Përqëndrohuni dhe mendoni se si ata e çuan jetën e tyre në një zgrip nga ku është e vështirë me dalë përndryshe si dëshmorë, ose bartës të dëshmisë. Së dyti, mendoni se jeta ka shumë dinjitet kur ajo është dhënë prej dikujt që jetonte diku aty pranë, dhe se ky dinjitet këtej e tutje është e vështirë të durohet. Së treti, mendoni se rreth jush ka plot, ka tepër shumë njerëz që nuk ia ndjen për akte dhe pakte të tillë. Që e përndjekin jetën e tyre sikur asnjë relacion mos kishte me vdekjen e punuar të dëshmorit, me vajtjen e tij në zgrip të jetës. Pesha e të gjallëve që nuk kanë ndjeshmëri politike për këtë akt dhe për këtë pakt, nuk duhet t’ju shtyjë me dyshu forcën e dëshmisë, por me dyshu të gjallët e këtij tipi, jo jetën e tyre, por cilësinë e realitetit të tyre. Këta janë të gjallët limit, mjeranët e çdo kohe.
Këtë pak reflektim nuk ua adresoj këtyre njerëzve me pak gjallje, gjallesa në limit, por atyre që mendojnë të jenë gjallesa politike, pra gjallesa për tjetrin, aktivistë. Ia nisim me dëshmorin sepse ai e shtyu gjalljen e vet deri në vdekje nga cilësimi i lartë politik që vuri mbi jetën. Pikërisht sepse dëshmori është ai që e ngre jetën në një piedestal prej ku vdekja nuk është më e zakonshme. I është dashur me e ngritë jetën e tij në atë vlerë, sa me mohimin e saj mund të garantohet shpresa e ardhshme e të tjerëve, liria. Prej këtej nuk ka asnjë vlerë me iu adresu të gjallëve limitë. Jeta e tyre është e frymuar nga një frikë e përditshme e vdekjes. Ndërkohë që dëshmori beson se me jetën e tij mund të zgjidhë diçka për njerëzimin, këta me frikën e vdekjes mbushin jetën për çdo ditë. Dëshmori i afrohet vdekjes së mundshme për hir të jetës së të tjerëve, ndërsa për të gjallin limit jeta nuk vlen kurrë më shumë se frika prej vdekjes. Këta mjeranë nuk kanë kohë të mendojnë e besojnë në ekzistencën e ndonjë njerëzimi apo të ndonjë besëlidhjeje politike. Për ta dëshmori i mundshëm është terrorist. Nga optika e tyre ata kanë të drejtë: aktivisti dhe dëshmori kanë aq shumë besim në jetë sa ua shtijnë frikën. Aty ku aktivisti dhe dëshmori kanë vendosur besim, i gjalli limit ka shtënë vdekjen. I gjalli limit, ky mjeran, është terroristi i vërtetë.
Aktivistët jemi ne, unë dhe të ngjashmit e mi. Shumë mes skajesh kjo ekzistencë e jona. Është bërë e tillë që kur u ngjizën të parët, dëshmorët. Të dytët madje nisën të ekzistojnë kur u bënë të dukshëm. Pa dëshmorët, të gjallët limit nuk do të shfaqeshin dhe as njehsoheshin si të tillë. Jemi pra tre: dëshmorët si prodhues të realitetit, ne si mbartës të aktualitetit, dhe ata, të gjallët në limit.
Dëshmorët janë për ne kumti dhe turpi. Kumti me të cilin ne aktivistët shenjojmë jetët tona këtej e tutje, kumti prej të cilit jeta merr një vlerë të re; dhe turpi me të cilin ne përshenjojmë masën e të pandjeshmëve ndaj vlerës së shtuar në dinjitet. Të tretët, ata mjeranët, të gjallët limit, si mbartës të një raporti të pashtjellur mes jetës dhe vdekjes, e kanë futur vdekjen kaq shumë në jetë, sa mund t’i quajmë, pa merakun se kryejmë ndonjë dëm mbi ta, aktualizues të vdekjes brenda jetës.
Po, është patetik ky tekst, aq patetik sa dhe nevoja e pareshtur e njerëzimit për krim dhe për dëshmorë, sa dhe pamundësia e besimit dhe e shpresës në këta territore dhe realitete. Ky tekst vjen prej këtij territori. Është patetik sepse nuk mund të vijë prej një territori pa dëshmorë, dhe as prej një të gjalli pa dinjitet. Ne jemi të vetëm në lojë, me dëshminë për dëshmorët dhe me turpin për të gjallët në limit. Kumt nga njëra anë, turp nga ana tjetër.
Ne kemi shumë dëshmorë, pra duhet të kemi shumë turp. Shumë peshë dinjiteti për të mbajtur në jetët tona. Dëshmorët tanë janë shumë për një popull e sidomos për një histori të rrëfyer keq. Historibërësit tanë janë shumë të qetë për të rrëfyer zhurmën e jetëve dëshmitare dhe e vdekjeve dëshmore. Historianët tanë nuk e lexojnë historinë si dëshmi dhe shenja, por si simbole të pafatë dhe me interpretim të përhumbur. Na duhet të gjejmë dërgesat e shtresëzuara të emrit të shenjuar, fatin e një shenje brenda një emri. Apo dhe emergjencën e së tashmes, aktualitetin e vet në thellësinë e ngjarjes së një emri. Ngaqë historibërësit tanë janë borgjezët që kanë për kapital frikën, ata janë themeluesit e vetëdijes sonë të ulët institucionale. Me një histori të shkruar ndryshe, ne do të kishim institucione të themeluar mbi besim dhe shpresë. Dramaturgjia e historisë së dëshmorëve duhet të vendoset në themel të institucioneve tanë.
Dëshmorët janë shumë për një popull, madje dhe për njerëzimin. Në njerëzim dëshmorët janë gjithnjë të tepërt. Ata dëshmojnë më shumë mungesën e njerëzimit. Sa më shumë dëshmorë, aq më shumë del në pah mangësia në njerëzim. Një histori e vërtetë do të rrëfente dallimin e dëshmorëve prej nesh, do të shquante vonesat e njerëzimit. Dëshmorët janë dëshmitarë dhe luftëtarë me këtë mungesë njerëzimi. Njësia e dëshmorit nuk lëviz, por forca e dëshmisë së tij shndërron fushën e jetës.
Dëshmori është integral, edhe pse, po si tërë të tjerët, i përket jetës privatisht. Por dhënia e jetës vjen prej një besimi të mrekullueshëm në natyrën tërësisht publike të njerëzimit. Kapërcimi nga një zotërim privat i jetës në një dhurim për ndonjë shpresë të pafundme te njerëzimi, ja integrali i tij. “Po ju dhuroj fundësinë time”, apo “Do të vdes një çast më parë se të jetë e shkruar për mua”, apo “po e fal qëndrimin e fundëm me ju për ju”. Ja formula integrale të dhënies së fundësisë për një interes anonim të së ardhmes. Fundësi vetanake e dhënë për një të ardhme anonime. Me e dhënë të tashmen e vet për një të ardhme anonime, ky është çmimi më i lartë për jetën. Ky çmim i duket patetik dhe terrorist mjeranit, të gjallit në limit. Integrali është, që në atë çast, aktuali njerëzor. E kemi një formë tepër të afërt për ne: “Po e japim një pjesë të fisit për një komb, madje mund ta japim tërë fisin”. Ndaj, sado me mendu për këtë integral dëshmor, ne nuk ia mbërrijmë dot kurrë prej fundësisë së të gjallit. Sado të shkruajmë e të flasim, asnjëherë nuk do e mbushim dot hapin e hedhur, dëshminë e endur në vendosmërinë për me jetu lartësisht e për me vdekë thellësisht. E megjithatë, ne duhet ta flasim kapërcimin e një personi në subjekt dëshmor, duhet ta rrëfejmë me forcë për të tjerë të panjohur të ardhshëm. Nuk ia vlen me ua rrëfy atyre që nuk ndjejnë të tashmen e vdesin në të përditshmen. Ne synojmë një njerëzim të mundshëm dhe jo një frikë të pambarimtë prej vdekjes.
Ne flasim nga një territor me dëshmorë, prej aty ku duhet të projektohet kumti dhe turpi i të gjallëve që mbeten.
Dëshmori është integral, por dëshmia e tij është një diferencial që përshkruan mungesën e regjistrimit tonë politik dhe publik.Viktima dallon prej dëshmorit, sepse asaj i lipset dëshmia, ndërsa dëshmori e prodhon. Që të dy dëshmojnë për turpin e njerëzimit, por dëshmori punon për ta nxjerrë në pah, deri në vdekje. Ai e shpie jetën në zgrip për me nxjerrë në pah këtë mungesë.
E përsa që shumica prej nesh rreken me realizu një interes në lartësinë e së rëndomtës së përditshme, për sa rreken ta realizojnë falë mungesës politike të njerëzimit, përsa jetojnë falë mungesës së politikës dhe teprisë së frikës prej vdekjes, numri i dëshmorëve do të shtohet dhe njerëzimi do të skajohet fort mes dëshmorëve dhe mjeranëve. Të gjallët limit e kthejnë në qëllim lulëzimin mbi pamundësimin e tjetrit. Sërish le ta themi, këta janë burimi dhe legjitimimi i terrorizmit të vërtetë. Dëshmori merr një funksion të ri: ai zbulon shkallën e zvjerdhjes së njerëzimit në kohën e vet, masën e terrorizmit në kohën e vet, terrorin që përmbahet në themelet dhe normat e institucionit, terrorin brenda jetës. Ndaj, nëse dëshmori është integral në çmimin e lartë të jetës, dëshmia e tij është diferenciali i humbjes së vlerës së jetës.
Ka patur dëshmorë të rezistencës, të ilegales, të llogores, të torturës, të zhdukjes. Të tërë janë dëshmorë të idesë. Ne sot, më 5 nëntor, i japim heshtjen ose klithmën një dëshmori të ri në llojin e vet, një dëshmori sublim. Ai nuk qe në llogoren e luftës, por në burgun e një farë demokracie të aprovuar, të një demokracie të autorizuar dhe të një akuze të rreme. I tërë trupi i tij është dëshmia e korruptimit të sistemit. Një trup i thjeshtë u bë matësi radikal i korruptimit të një sistemi të tërë. Ai nuk është dëshmori që ka luftuar kundër pushtuesit, as dëshmori i rezistencës ndaj shtypjes, por më së shumti trupi emancipues. Ky trup dëshmitar quhet Astrit Dehari. Ai është dëshmitari i pushtetit pushtues dhe shtypës. Sa ç’rëndoi kjo kakofoni e dhunës mbi trupin e tij, po aq shumë duhet të rëndojë mbi mendimin tonë.
Astrit Dehari është vëllai i Arbnor Deharit, djali i Avni dhe Xhemile Deharit, shoku i jetës i Artës, vëllai i Albanës dhe babai i Arsës. Astriti është biri që e thërret përsëri babanë e tij në punën kombëtare. Avni Dehari u bë i njohur për së dyti. Avniu njihej nga veprimtaria e tij, Arbnori nga përpjekjet dhe vdekja. Por ja që duhet të njiheshin sërish, si babai dhe vëllai i Astritit. Familja Dehari merr një emër të ri, më të plotë. Nuk e ka të mjaftueshëm mbiemrin e vet. Kjo familje merr tërësisht trajtën e shquar të emrit, dhe nuk i mjafton më përgjithësia e emrit të fisit. Çdo pjesëtar bëhet emër i familjes, mbiemër i saj. Familja Arbnor Astrit Dehari. Ne e njohim tashmë të tërë familjen. Ashtu si njohëm pak më parë një familje të tërë, familjen Jashari. Vërtet që një pjesë e këtij mbiemri jeton të tashmen si dhe të tjerë, por mbiemri i tyre ka marrë vulën e jetës së bijve dhe jo më thjesht dhe vetëm mbiemrin e fisit. Kjo është karakteristikë e kulluar e dëshmorit: me vekjen e tij rilind një familje. Të tjerët, të gjallët në limit, jetojnë në mbiemrin e tyre të shkuar dhe në interesin e tyre të përditshëm.
Dëshmori ose familja Arbnor Astrit Dehari na flet vetëm nga aktualja, nga aksioni, nga dëshmia mbi rënimin e jetës dhe mposhtjen e besimit në kushtet e paqes. Të gjithë ne të tjerët jemi në një raport të pashtjellur mes të shkuarës së mbiemrit dhe të përditshmes së emrit, ndërsa dëshmori, për këdo ka vështrim e dëgjim, shpirt dhe besë, është raporti i shtjellur i së shkuarës në të tashmen: është kumt. Nuk ka të ardhme tjetër njerëzuese veç këtij shtjellimi të së shkuarës në të tashmen. Ne po flasim veç për njerëz, pra për politikë e si aktivistë politikë. Po flasim për përkatësi në fatet e njerëzimit, për subjektivitet, për aktual.
Dëshmori është dhimbja e mungesës së gjërave që do të kish bërë për ne. Astriti do të kujdesej për ne si një mjek shembullor. Astriti, ky shembullor politik, mendoheni të njëjtin aktivist si mjek. Do të na mungojnë dy përkujdesje për njeriun, për shpirtin dhe trupin e tij.
Nga lartësia e dëshmorit dhe mungesës së tij matet pesha e krimit. Po! Ka krim. Pesha e krimit është e barabartë me vrasjen që është kryer më 5 nëntor mbi njerëzit. Ata që e neoliberalizojnë vdekjen, përpiqen të neoliberalizojnë dhe krimin. Ky është përkufizimi i terrorizmit të kudondodhur. Ne as e liberalizojmë vdekjen dhe as e neoliberalizojmë vrasjen. Ç’vrasje? Vrasja, vënia në mungesë e mjekut të ardhshëm, studentit të shkëlqyer, aktivistit të papërtuar shoqëror dhe aktivistit të ndjeshëm politik. Nga lartësia e dëshmisë së dëshmorit, nga kujtimi i tij aktiv, mund me u mat pesha e krimit. Po! Ka krim! Pyesni prokurorin e akuzës për terrorizëm, dëshmitarin e burgut që e eleminuan, shërbimin absurd të burgut, qelinë ose skenën e vrasjes, mashtrimin e një prokurori të tallavasë për vetëhelmim, mbajtjen e shokëve të tij në arrest të tejzgjatur, mosmarrjen parasysh të ekspertizës alternative, ngushëllimin e paskrupullt të presidentit drejtuar familjes. Të gjithë elementët e një krimi që vijon të kryhet. Dëshmorit nuk duhet t’i thuhet asnjëherë u kry, sepse krimi vijon të kryhet.
Krimi ka shumë shtresa, po aq shtresa sa ka dhe akti dëshmues. Krimi kryhet prej pandjeshmërisë politike të institucioneve dhe të gjallëve limit, prej atyre që sot thonë se nuk ishte vrasje, se nuk mund të ishte vrasje.
Nga dëshmori, nga lartësia e tij matet turpi, turpi i të gjallëve. Ne jemi mes kumtit të dëshmorit dhe turpit që bie mbi jetën dhe të gjallët. Krimi rezulton të jetë shuma e akuzës më të rëndë për terrorizëm dhe vrasjes më të rëndë, vrasjes sekrete. Ky krim e barazon aparatin e pushtetit me makinën e pushtuesit. Ky pushtet e shtyu Astritin në sekretin e qelisë nga nuk e nxorri veçse të vdekur. Sot ky pushtet pushtues thotë se nuk ka fakte të vlefshëm për akuzën për terrorizëm. Mendoni cilësinë e akuzës për vrasje që mund t’i bëhet një pushteti të tillë. Mbi këtë pushtet pushtues rëndon pesha e vrasjes njerëzore, shoqërore dhe poltike. Duhet kërkuar hetim, drejtësi. Homazhi është pasi është dhënë drejtësia. Organizata bën homazh sepse ajo në vetvete e ka dhënë drejtësinë. Por institucionet që janë në fuqi nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Institucionet janë pesha e krimit dhe vendi i turpit. “Drejtësi për Astritin” është slogani që do të vazhdojë të bërtasë në mendjet politike.
Astrit Dehari është dëshmori i një paqeje të korruptuar fund e maje, dëshmori i një flamuri të shkymë e të dalun bese. Ai është dëshmor i një tipi të ri, me të cilin zorr se do të mund të negociojnë shpirtrat tanë.