Adem Gashi: “Ditët pa gjë” (poezi), botoi “Armagedoni”, Prishtinë 2017

Shkruan: Ahmet Selmani

  1. a) Sintagma përkufizuese

Libri me poezi “Ditët pa gjë” i autorit Adem Gashi shfaqet me një sintagmë përkufizuese për kohën dhe hapësirën e veprimit. Duke qenë një vëzhgues shumë i mprehtë i ngjarjeve dhe dukurive të përditshme, në radhë të parë ai sikur përpiqet ta ndërtojë një kronikë poetike, nëse mund ta quajmë kështu, për arsye se sjell plot shënime të thukëta për gjërat e ndryshme të cilat bartin me vete edhe paradokse të theksuara. Më tepër sesa një vrojtues i vëmendshëm, ai është një gjykues shumë i thellë i tyre.

Duke u nisur nga kjo pikëpamje, fillimisht mund të pohojmë se vetë titulli i këtij libri, mbase qëndron si një metaforë orientuese dhe abstraguese njëherësh. Kjo do të thotë se ditët kalojnë pa gjëra të rëndësishme, janë ditë të mbushura me kotësi, krejt të zbrazëta, me të cilat nuk ia vlen të merresh fare etj. Sipas autorit, një ditë e tillë duhet të varroset. Megjithatë, edhe përkundër këtij abstragimi të nënkuptueshëm ndaj ditës (kohës), ai fare natyrshëm arrin ta krijojë një logjikë supozuese për gjërat e nevojshme ekzistenciale, jo ashtu siç shfaqen ato para syve të poetit, por ashtu siç duhet të jenë në thelbin e tyre. Në të vërtetë, ky është vizioni poetik nëpërmjet të cilit mëton me finesë të hollë të na shpjerë drejt një ndërgjegjësimi përballë asaj që ndodh në suaza të ekzistencës sonë shoqërore. Pikërisht me këtë koncept programatik ai zhbiron realitetin e dukshëm dhe të padukshëm, duke i përplasur gjërat brenda optikës së vet artistike për t’i kristalizuar deri në skajshmëri.

  1. b) Poezia e çrëndomtësuar

Teksa e lexojmë librin “Ditët pa gjë” të Adem Gashit në radhë të parë nuk e kemi vështitrë ta vërejmë se kemi të bëjmë me një poezi të çrëndomtësuar në pikëpamje tipologjike, për arsye se vetvetiu mëton të shfaqet si një formë atipike në marrëdhënie me lexuesin, thjesht duke u shndërruar në një trajtë plotësisht të lirë komunikuese.

Kështu autori i thyen dhe i shpërfill rregullat e ngurta duke gjetur formën më të afërt jo vetëm me lexuesin, por edhe me realitetin, madje duke e relativizuar krejtësisht formën tradicionale. Kjo ndodh në rastet kur vëmendjen e tij poetike e përqëndron nëpër zona të ndryshme të realitetit duke u mishëruar e tipizuar me të. Bie fjala, poezinë “Shuarja e etjes” e quan thjesht provë, poezinë “Shpërvetim” e quan portret politikani, njërën nga poezitë e tjera quan “Terapi”, një tjetër e quan “Shpallje publike”, ose një tjetër e quan “Poezi e dështuar”.

Pra një eksperimentim i këtillë është tendencë për ta zhbllokuar zhanrin poetik dhe për të krijuar një qëndrim relativizues e ironik ndaj tij. Me anë të këtij elasticiteti zhanror ai arrin deri në një “banalitet” të këndshëm e të thjeshtëzuar tej mase, gjë që lexuesi e ndjen si një formë shumë të afërt, si një grishje thuajse magjike për t’u futur në këtë botë ku flet poeti me tërë qenien e vet krijuese përplot shije të hollë e gjykim të mprehtë.

  1. c) Diskursi alegorik

Në përgjithësi Adem Gashi në poezinë e tij kap momente e situata nga realiteti jonë paradoksal, të cilat i transformon në alegori poetike tepër intriguese e ezopiane. Kështu ai është i pranishëm kudo; në rrugë, në zyrë, në shtëpi, me plakat, me pleqtë, me armiqtë etj. Dhe në këto rrethana të vrojtimit dhe komunikimit ai krijon diskursin qesëndisës dhe ironik, duke çjerrë të gjitha aureolat dhe tiset e rreme të realitetit njerëzor.

Ai stigmatizon me sëmbim të thellë kalorësin e çuditshëm dhe aventurën e tij ose edhe kalorësin pa kalë, ritualin e vrasjes së fluturave, ritin e djegies së flamujve, ruajtjen e sekreteve në zyrën e komunikimit publik etj. Në të vërtetë, mbi veprimet ose përjetimet thellësisht paradoksale e groteske ai çjerr pa mëshirë dhe nxjerr në shesh tërë hipokrizinë e njeriut, krijon logjikën e shëndoshë për gjërat që na rrethojnë, vë në spikamë ndërgjegjen shpirtërore të tij etj.

Nëpërmjet diskursit shumë dinamik arrin ta rrënojë utopinë e bëmave të shumta jetësore, duke e lënë të vetëkuptueshme ose të zhveshur nga mbulesa e fortë. Mbase kjo është një tendencë e fuqishme për demitizimin e realitetit paradoksal. Duke u nisur nga kjo gjë, ai thotë troç:

në teatrin Dodona në Prishtinë

sot në mesditën me shi

pashë pak Molier e shumë marrëzi shqiptare

(fq. 71).

Duke i vënë në shënjestër dukuritë destruktive të shoqërisë shqiptare, ai na fut në një mjedis komik i cili bëhet i vetëkuptueshëm ose i vetëmishërueshëm para nesh që e njohim dhe e përjetojmë, për arsye se është aq i shpeshtë e aq i dukshëm saqë po na verbon çdo ditë. Rrjedhimisht, kjo është një mungesë totale e sensit kolektiv që ka marrë përmasa shumë të gjera e shqetësuese. Prandaj autori e stigmatizon me anë të gjuhës ironike e qesëndisëse. Dhe në një poezi tjetër shprehet kështu:

atdheu është lopë e mirë

e mjelin e mjelin deri në shterim

e lënë gjizbrazur në netët me hënësinë

për fëmijët jetimë

(fq. 80)

Përballë këtyre rrethanave kaq të palakmueshme, e shohim qartë se autori shndërrohet në prototip metaforik duke e vënë edhe vetveten në spikamë si një qenie që i pranon disfatat personale:

gjatë një dite të vetme

ndoshta edhe më pak, gjatë një ore

ndoshta edhe më pak akoma

ia dola t’i numëroja

të gjitha disfatat e mia

 

domethënë

së paku një herë fitova

(fq. 25)

Kjo do të thotë se është i nevojshëm sensi vetëkritik e ndërgjegjësues, mësimi i nxjerrë nga pësimi, si një nevojë jo vetëm individuale, por edhe kolektive.

Përmes bredhjeve të vazhdueshme nëpër realitetin e trazuar objektiv, autori zbulon thelbin e gjërave ekzistenciale, ontologjinë e individit dhe bashkësisë, duke i kundruar vertikalisht dhe hirizontalisht edhe në kohë edhe në hapësirë. Thënë fare thjesht, me anë të rrëfimit lakonik e alegorik ai kërkon logjikën dhe arsyen e gjërave, për t’i shpalosur si vizion ekzistencial e shoqëror.

Në këtë mënyrë ai bashkëbisedon me realitetin e mbytur nga paradokset dhe çrregullimet e ndryshme, e përplas atë në optikën e vet artistike, duke e bërë të perceptueshme atë që është empirike dhe utilitare. Pikërisht nëpërmjet këtij ngulmimi të pandërpreë ai bëhet bartës i arsyes së shëndoshë, proklamues i ndjeshmërisë shpirtërore. Prandaj vetvetiu edhe poezia e tij na shfaqet si një formë e komunikimit tejet të afërt e të qartë, duke depërtuar në qenien tonë për ta ndjerë thellë peshën e realitetit ku jetojmë dhe veprojmë.

ç) Harmonia e gjuhës

Në poezinë e Adem Gashit bie në sy edhe një gjë; është kjo harmonia gjuhësore e cila manifestohet në mënyrë shumë të natyrshme, duke flakur çdo paragjykim e monopol në diskursin e tij poetik. Kjo do të thotë se ai krijon sipas standardit gjuhësor duke respektuar rregullat drejtshkrimore dhe sintaksore, por paralelisht krijon edhe poezi në gegnisht, duke e bërë këtë po aq natyrshëm me tërë ngjyrimin leksikor e intonativ.

Prandaj shfaqja e tij herë në njërin variant e herë në tjetrin, krijon një harmoni edhe më të madhe gjuhësore e artistike, duke e ngritur atë në nivelin më të lartë si një materie e cila ndërton poetikën me shprehjet dhe lokucionet e veçanta. Dhe kjo aq më tepër e dëshmon vetëdijen krijuese dhe vizionin artistik të autorit i cili bën çmos që poezia e tij të jetë formë e hapur në komunikim me lexuesin duke ngjallur përfytyrime reale për artin dhe për gjuhën.

Kështu Adem Gashi mbetet një poet i konsoliduar në kuptimin e plotë të kësaj fjale, duke u bërë ndërgjegje e pastër krijuese.