Doli nga shtypi numri më i ri i revistës më të madhe kulturore shqiptare, “Symbol”, partnere e rrjetit europian “Eurozine”.

Këtij numri i prin intervistë me piktorin e mirënjohur shqiptar nga Maqedonia, Omer Kaleshi, i cili prej vitit 1956 jeton në Paris. Këtu ai flet për fëmijërinë, vendlindjen, shkollimin, dashurinë, shoqërimin me artistë botërorë, si dhe për temat dhe teknikat e pikturave të tij. Ky numër përmban edhe dy shkrime kritike mbi letërsinë shqipe të Maqedonisë dhe një shkrim të historianit të njohur shqiptar, Ylber Hysa, aktualisht ambasador i Kosovës në Maqedoni. Po ashtu, në këtë numër janë botuar edhe shkrime nga Luigi Pirandello, Ridvan Dibra, Bashkim Shehu, Shpëtim Kelmendi dhe Dritan Dragusha.

Revista “Symbol” është themeluar nga Shtëpia Botuese “OM” dhe ka një redaksi me anëtarë nga Prishtina, Tirana dhe Shkupi: Ag Apolloni, Agron Tufa, Albulena Blakaj, Sherif Luzha, Orjela Stafasani, Beti Njuma dhe Xhemajl Avdyli.