Sa kushton të vrasësh një udhëheqës të huaj? Në vitin 1964, çmimi i kërkuar për vrasjen e Fidel Castros të Kubës ishte 150,000 dollarë.

Mërgimtarët kubanë, të cilët ishin të gatshëm të paguanin, ndjenin se “ishte shumë i lartë” dhe dhanë ofertën e tyre, $100,000 për të vulosur marrëveshjen. Si shpërblim, biznesmeni i cili ofroi organizimin e shërbimeve të vrasësve gjithashtu pranoi të godasë edhe Raul Castron e Che Guevaran, për $20,000 të tjera secilin – plus $ 2,500 për shpenzimet, natyrisht.

Tratativat mes mërgimtarëve kubanë dhe figurave kriminale u rrëfyen në një memo të 4 korrikut të vitit 1964 nga F.B.I. që u shënua me titull “SECRET” dhe u nxorr të enjten, si pjesë e një serie dosjesh që lidhen, nganjëherë vetëm teorikisht, me vrasjen e Presidentit John F. Kennedy. Në fund, natyrisht, çfarëdo që të ketë ndodhur me planin, nuk u vranë asnjë nga Castrot, apo Che Guevara.

Por kjo memo dhe shumë prej 2.800 dokumenteve dikur sekrete, të cilat u bënë publike, na rikthejnë në një epokë të intrigave të Luftës së Ftohtë dhe të garave spiun-kundërspiun, kur vrasjet dhe komplotet klandestine ishin çështje e zanatit, jo romane të John le Carré. Disa të vërteta, disa të çuditshme, skemat dhe rrëfimet e përmbajtura në dosjet e sapolëshuara ndihmojnë për shpjegimin e sfondit, përkundër të cilit vrasja e Kennedy nxiti dyshime që vazhdojnë edhe në ditët e sotme.

“Ishte një kohë shumë e ndryshme, dhe ju duhet të mos harroni kontekstin”, thotë Larry J. Sabato, drejtor i Qendrës për Politika në Universitetin e Virxhinias dhe autori i “The Kennedy Half-Century”, botuar në vitin 2013. “Pothuajse gjithçka lëvizte rreth atij sistemi bipolar që kishim”, midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.

Z. Sabato ngarkoi 22 vullnetarë studentë që të “krehnin” dokumentet këtë javë, duke kërkuar më shumë rreth Lee Harvey Osvald, Jack Ruby dhe shumë personazheve të tjerë nga kjo dramë. “Ajo që kam mësuar deri më tani, është se nuk mund ta kuptoni vrasjen e Kenedit ose presidencën e Kennedyt, apo Osvaldin, nëse nuk i kuptoni vitet ’50 dhe fillimin e viteve ’60”, tha ai.

Dokumentet u nxorrën sipas një ligji të vitit 1992 që kërkonte që të gjitha dosjet që lidheshin me vrasjen, të bëheshin publike deri më 26 tetor 2017. Por pas lobimit intensiv të minutës së fundit nga C.I.A. dhe F.B.I., Presidenti Trump ra dakord të mbajë një grup të fundit në pritje të një shqyrtimi shtesë gjashtë mujor, për të siguruar që asgjë e nxjerrë të mos dëmtojë sigurinë kombëtare. Trump u tha agjencive se çdo redaktim duhet të jetë jashtëzakonisht i rrallë, duke marrë parasysh kohën e kaluar.

“Dokumentet e JFK janë duke u lëshuar me kujdes,” shkroi ai në Tuiter të premten. “Në fund do të ketë transparencë të madhe. Është shpresa ime për të nxjerrë gjithçka për publikun!”

Të premten në mbrëmje ai shkroi se do të “nxirrte të gjitha dosjet e JFK-së përveç emrave dhe adresave të çdo personi të përmendur, që jeton ende”, duke shtuar se do të “pushonte një herë e mirë, të gjitha teoritë e konspiracionit”.

Rreth 3,000 dokumente mbeten sekrete në tërësinë e tyre dhe rreth 27,000 të tjerë mbeten pjesërisht të fshehura. Sipas urdhrit të zotit Trump, ato duhet të nxirren plotësisht deri më 26 prill, përveç rastit kur agjencitë e inteligjencës kanë arsye të forta dhe bindëse për të mbajtur pjesë të tyre.

Historianët që kanë shqyrtuar shumë nga dokumentet e nxjerra këtë javë thanë se nuk kanë gjetur shumë gjëra, që do të ndryshonin në mënyrë drastike kuptimin e tyre për vrasjen e Kennedy. Por këto dosje, së bashku me një grumbull tjetër të publikuar në korrik, përforcojnë rrëfimet ekzistuese, ngrenë pyetje të tjera ose shtojnë detaje dhe kontekst në linjat e historisë që ishin më parë pjesë e të dhënave dhe kujtesës.

Në veçanti, thanë historianët, dokumentet ndihmojnë në kujtimin e sfondit të atentatit që iu bë presidentit të ri në Dallas më 22 nëntor 1963, dhe shpërthimit të teorive të komplotit që pasuan.

Në qendër të mbërthimit të teorive ishte Kuba, në atë kohë ashtu si sot, një vend komunist 90 milje nga Shtetet e Bashkuara dhe një obsesion për Kennedy dhe vëllain e tij, Prokurorin e Përgjithshëm Robert F. Kennedy. Pas fiaskos në Gjirin e Derrave dhe pas Krizës Kubane të Raketave, Kennedyt shpenzuan shumë nga qëndrimi i tyre në pushtet duke eksploruar mënyra për t’iu kundërvënë dhe ndoshta përmbysur Fidel Castron.

Një dokument i përfshirë në dosjet e korrikut paraqiste një propozim për të shkaktuar mungesa ushqimore në Kubë si pjesë e Operacionit Mongoose, projekt i administratës së Kennedy për të larguar Castron nga pushteti. Plani kërkonte futjen e agjentëve biologjikë të pakontrollueshëm për të shkatërruar të korrat në Kubë, duke shkaktuar uri të përhapur që mund të nxiste një revoltë kundër Castros.

Komploti 100,000 dollarësh për të vrarë Castron siç përshkruhet në një memo të FBI-së të vitit 1964 nuk ishte një përpjekje e qeverisë – të paktën nuk u shpall si e tillë – por një përmbledhje e takimeve që thuhet se u mbajtën midis të internuarve kubanë dhe biznesmenëve që kishin lidhje me krimin e organizuar. Kishte shumë komplote për vrasjen e Castros në këtë epokë, dhe ndërsa njerëzit e dyshuar për pjesëmarrje mohuan përfshirjen kur u intervistuan nga F.B.I., në memo vihej në dukje se mërgimtarët kubanë kurrë nuk bënin një bisedë “pa dalë dikush që të shprehte dëshirën për të vrarë Fidel Castron”.

Fiksimi me Kubën ndihmon në shpjegimin e interesit të madh për udhëtimin e Osvaldit disa javë përpara vrasjes së Kennedy në Mexico City, ku ai kontaktoi Konsullatën Kubane, që ka qenë një burim kurioziteti për studiuesit dhe teoricienët e komplotit. Shënimet e shkruara me dorë tregojnë një Osvald shoqërohej nga “El Mexicano”, që besohet të jetë Francisco Rodriguez Tamayo, kapiten i Ushtrisë Rebele të Kubës, deri kur dezertoi dhe u largua në Shtetet e Bashkuara.

C.I.A. ishte aq e vendosur për të fshehur faktin se po përgjonte Konsullatën Kubane, saqë nuk arriti të bashkëpunonte plotësisht me Komisionin Uarren që po hetonte vrasjen. Një dokument i shkruar me dorë prej 29 faqesh, i bërë për një komision të mëvonshëm i Kongresit, nënvizoi në konkluzionet e gjata se C.I.A. kishte maskuar përgjimet e saj në Mexico City.

Gerald Posner, autori i “Case Closed”, një libër që arriti në përfundimin se Osvald ishte me të vërtetë vrasësi i vetëm, tha se dokumentet e fundit mund të mos ofrojnë ndonjë bombë. Por, tha ai, ata nënvizojnë dhe zgjerojnë historinë e asaj ngjarjeje dhe asaj epoke.

“Përqëndrimi në atë që është e re në dosjet e nxjerra është kaq intensiv,” tha z. Posner, “saqë nganjëherë është e mundur të humbasësh se sa shumë prej dokumenteve zhvillojnë dhe plotësojnë tema të rëndësishme në historinë e vrasjes”. / The New York Times