Unë jam prej kohësh pelegrin
Udhëtar në vendin e shpresës së thyer
Jam ndarë padashur nga karvani im
Mes shtigjeve nga vapa e shirat gërryer

Kërkoj karvanin tim në rërë e në shpat
Karvanin që e ka ndërruar drejtimin me kohë
Ndaj në udhë jam krejt i humbur, jam fillikat
Me shami të grisur lidhur në kokë

Për ujë buza ime u bë zhur
Dhe sytë më shpojnë nga shterrja e lotit
Me duhet të arrijë karvanin e tretur qëkur
Çapitur mes vapës, mes shiut e të ftohtit

Unë jam prej kohësh pelegrin
Shtegtar i karvanit të humbur
Dhe bart në kurriz një premtim
Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur.