Libri i dedikohet tim biri, si të parës lule të kopshtit tim, një asosacion i kopshtit të Edenit, për të vazhduar me përpjekjen e gjetjes së Graalit, përgjigjes, apo kumtit tonë njerëzor. Parateksti biblik, është dëshmia ime personale, udhët, prekjet, dëshmitë e një viti të gjatë, i cili nisi me ditën zero dhe ditë pas dite dha shenjat referenciale të ngjitje, thotë ndër tjerash për Gazetën Observer poetja Erenestina Gjergji Halili për librin e saj më të ri poetik “Bibulz’.

Në panairin e sivjetmë të librit, vëllim juaj i ri poetik u prit mjaft mirë. Çfarë është Bibulz?

Erenestina Gjergji Halili: Bibulz, është syri që sheh nga jashtë – brenda, është një vëllim që erdhi prej dhimbjes drejt pyetjeve herë me përgjigje e herë pa to. Është një hartë e shkelur ditëve të mia kalendarike, udhëve e jetësore e mistike, të cilat u ravijëzuan si belles lettres, me paratekst biblik, përmes autorit si ndërmjetës, për t’i shkuar autorit de facto, lexuesit.

Letërsia, specifikisht poezia e ka tashmë domenin e vet, si shprehje e shpirtit njerëzor, veç të gjitha tipareve të tjera gjuhësore, leksikore, të cilat i mbërrijnë synimeve të dekodimit të mesazheve autoriale, të shprehura si filozofi, estetikë e kënaqësi katharstike. Synimi i fundit autorial është lexuesi. Në këtë aspekt mund të them se po, vërtet, libri u prit mjaft mirë, madje e kapërceu pritshmërinë autoriale.

Si është i ndërtuar Bibulz?

Erenestina Gjergji Halili:  Ky vëllim nis me dikotominë zi- bardh, prej ballinës. Kam dëshiruar të jetë kështu kjo paraqitje grafike, pasi mes dhimbjes, ikjes, jetës, të qëndruarit, dobësisë e fortësisë, ka një hendek, i cili së jashtmi duket i pakapërcyeshëm… Në fakt qenia njerëzore, sipas meje, është krijuar për të qenë e përkryer, ndaj brenda nesh janë të gjitha mundësitë, këtë raport intro- ekstrovers, libri e jep prej fillimit. Kallëzat e grurit, të cilat grafikisht i rrinë germës B, janë thelb i vdekjes që ringjallë kallirin, janë nistoret e fjalës bukë, janë në fund thelb i jetës. Pikëzat e ujit që derdhen prej gotës së jetës, konfigurojnë edhe vizualisht idenë se jeta jonë është e tillë, asgjë nuk humb, sjellë si qark rrotullues, mban brenda një element të estetikës moderne, preferencë autoriale.

Libri i dedikohet tim biri, si të parës lule të kopshtit tim, një asosacion i kopshtit të Edenit, për të vazhduar me përpjekjen e gjetjes së Graalit, përgjigjes, apo kumtit tonë njerëzor. Parateksti biblik, është dëshmia ime personale, udhët, prekjet, dëshmitë e një viti të gjatë, i cili nisi me ditën zero dhe ditë pas dite dha shenjat referenciale të ngjitjes…

Janë tre cikle: Ati, Biri, Shpirti. I jam drejtuar tim eti, siç kushdo nga ne bën, i drejtohemi paraardhësve, për pikëpyetjet e paditura, pastaj vjen Lema Sabactani (përse më ke braktisë)?, e fletë pas flete, asosiacionet mes të prekshmes e të paprekshmes, të diturës e të panjohurës, vëzhgimit e përjetimit, që mbahen në shpatull e shpirt, si kalvari i ndërmjetësit, deri në fund, ku katharsa që shkëndijon të vërtetën e madhe, dëshmon se: Ka me ardhë!

Kështu prezantohet metateksti im poetik-filozofik, brenda poezive të cilat për shumë arsye janë të veshura estetikisht me figurat që ndihmojnë pikërisht qëllimin.

Përse shkruani në gegnisht?

Erenestina Gjergji Halili: Që në krye të herës, duhet t’ju them se preference ime ka të bëjë me lirinë! Pas librit të parë poetik, i cili u këqyr dhe vlerësua nga  autori i anketës gjuhësore të zonës së Dukagjinit, por mbi të gjitha pritjes spektakolare që iu bë librit, qëmtova thellë në shtresa të harruara leksikore, por sigurisht edhe në fjalorin biblik dhe i solla ashtu siç në fakt shkruhen e lexohen Librat e Shenjtë.

Gegnishtja ime idiomatike, është identiteti im, është liria ime, është vuajtja e shpresa, është fjala e nënës sime, është bari qetësues i dhimtës së vjetër…

Unë jam rritur me muzikalitetin e saj, nëna ime përkëdhel gegë, im atë po ashtu, të parët e mi gjithashtu.

Reliktet e vokacionit të besimit, rruzaret, figurat, celebrimi në fshehtësi i festave religjioze, në fshehtësi, por parë nga unë, janë premisat e edukimit personal, të cilat siç duket vijnë si realitete dëshmuese e përmes lojës letrare të fiksionit, rezultuan të dobishme e të mirëpritura. Ky vit, gjithashtu ka qenë një vit pelegrinazhi në vendet më të shenjta të botës dhe një vit i njohjes liturgjike të thellë.

Gegnishtja vjen si dëshmi e hershmërisë, por edhe pse arsenali i saj gjuhësor, idiomat, loja me fjalën, madje me një zanore që jep kuptime të ndryshme, të jep mundësinë e lojës formaliste, pa i zhbërë sensin, përkundrazi, duke e vënë në dukë atë.

Unë nuk dua të zgjatem, pasi këto dëshmi nuk duhet të vijnë nga unë, unë autori s’jam më…

Ndërkohë këtë vit erdhi edhe Bibliografia e Dramës Shqipe

Erenestina Gjergji Halili: Për saktësi, Bibliografia e dramës së botuar shqipe 1883-2017. Studimi, hulumtimi, kërkimi shkencor, rrok hapësirën gati tre vjeçare. Kjo bibliografi është dëshmi e botimit të dramës shqipe, në gjithë historinë e saj dhe dëshmohet se është e botuar në 20 shtete të botës me 1461 tituj veprash të gjinisë dramatike, 34 burime të informacionit. Ne mbërritëm në përfundime të tjera që kanë të bëjnë me raportet e letërsisë dramatike të botuar brenda kufijve zyrtarë shqiptarë dhe jashtë.

Bibliografia përmbledh botimet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Ballkan, Arbëreshët etj.

Cili është raporti i dramës së botuar në Shqipëri e Kosovë?

Erenestina Gjergji Halili: Mund t’ju përmbledh  një të tillë, p.sh. në vitet 1945-1990, periudhë e cila njohu numrin më të madh të botimeve dramatike, në Shqipëri kemi 483 drama të botuara, në Kosovë 156 drama të botuara, por pas viteve ’90 ky raport ndryshon: në Kosovë numri i veprave dramatike (i referohem si gjini) rezulton 270 tituj, në Shqipëri 220 tituj dramatikë.

Po kështu kemi rezultate në letërsinë dramatike për fëmijë, si dhe në letërsinë dramatike të autoreve femra, janë 33 autore në gjininë dramatike.

Këto rezultate të punës sonë nuk janë shteruese natyrisht, tituj të tjerë do t’i shtohen punës sonë, e cila vazhdon pa u ndalur. Ky libër doli në 9-mujorin e amshimit të tim biri, si një shenjë e jetës… Ishte ndërmarrje e vështirë, për të cilën falënderoj bashkëpunëtorin tim, Orland Novaku, për seriozitetin maksimal individual dhe shkencor.

Keni një vlerësim për dramën e Kosovës?

Erenestina Gjergji Halili: Drama e Kosovës, i bën nder gjinisë dramatike shqiptare. Është një pavion i çmuar i drejtimeve moderniste, aplikimeve e formave më të fundit botërore në tekst e skenë. Emra si Anton Pashku, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti, Ymer Shkreli, Fadil Hysaj, janë plejadë e emrave prodhimtarë të sotëm, si : Haqif Mulliqi, Besim Rexhaj, Jeton Neziraj, Ag Apolloni. Por mbi të gjitha jam fanse e autoreve femra të letërsisë dramatike në Kosovë.

A do të presim tituj të rinj nga ju?

Besoj…
Kam në dorë një tekst dramatik françeskan, të cilin e kam përgatitur nga dorëshkrimi për botim, të cilin mendoj ta shoqëroj me një tekst studimor mbi zhanrin përkatës. Ishte një zgjedhje e drejtorit të Bibliotekës Françeskane At.Vitor Demaj OFM, të cilin e falënderoj për dy arsye: Më dha kënaqësinë e prekjes së një dëshmie të tillë dhe sepse pashë, preka, konfirmova me gëzimin e një fëmije, se gegnishtja ime e trashëguar, ishte rresht për rresht e germë për germë aty, te Frati i Këngëve.
Ndaj Bibulz, ka edhe këtë dëshmi./Gazeta Observer