Refleksione mbi librin “Hayek – Liberalizmi përballë Etatizmit” të Prof. Adrian Civici

Nga Besnik Allushi

Olimpiada e vitit 1968, Meksiko. Në kërcimin së larti, një atlet  amerikan, 21 vjeç, i afrohet stekës dhe e vendos mbi dy metra. Ndalet një çast si të mos e besojë as vetë kufirin e vendosur,  i hedh stekës  nje vështrim  të shpejtë  dhe tërhiqet ngadalë  për kërcimin e madh.  Publiku vazhdon e nënqesh mosbesues  duke u zbavitur  me bjondin e bukur që ka veshur atlete me ngjyra të ndryshme, por Fosbury e di se ajo nënqeshje e publikut nuk është tjeter vecse  refleks i frikës  brenda vehtes që tallet me guximin për të kapërcyer një pengese  më të  madhe se ai. Por tashmë  është vonë për t’u tërhequr, shamia e sfidës ështe hedhur, të gjithë janë  në pritje.

Fosbury  merr vrull, bën një trajektore gjysëm rrotulluese,  këmba e djathtë rreh dhunshëm tokën ndërsa ngrihet vertikalisht lart, kalon stekën, paloset një çast në ajër duke sfiduar forcat e gravitetit  dhe pastaj bie me kurriz.  Steka është aty,  e palëvizur.  Publiku shtang një çast,   pastaj  si i çliruar nga një makth shpërthen në duartrokitje.  Biondi  Dick Fosbury  sapo kishte fituar një medalje të artë. Por,  jo vetëm aq. Ajo që ndodhi  atë ditë shkonte përtej një medaljeje dhe një rekordi botëror. Që nga ajo kohë  edhe sot e kësaj dite, atletët  e të gjitha vendeve  do aplikonin  kërcimin me kurriz, ose si do hyjë në histori, stilin  Fosbury,  si e vetmja mënyrë për të kërcyer lart. Deri në atë çast, të gjithë  kërcenin në mënyra të ndryshme, kryesisht me bark, por, pas asaj dite, gjithçka  do  ndryshonte. Stili  Fosbury  do bëhej i vetmi stil i aplikuar nga atletët e të gjitha vendeve.

Fosbury nuk është vetëm një individ që sfidoi gravitetin, është një fenomen universal,  është trajektorja e përpjekjeve njerëzore për të bërë  kapercimin   e madh,  për të kaluar nga një nivel i pranuar në një  të ri. Është parabola e ëndrrës  që  bëhet realitet.  Është shprehje e  gjenialitetit të individit që gjen rrugë të  reja  në  të cilat më pas do  ecë njerëzimi.

Në të gjitha fushat e jetës ka një Fosbury, i cili në një çast magjik  ngre nivelin,  ndryshon stilin e qasjes ndaj një problemi dhe bën kërcimin e madh. Botës nuk i mbetet  tjetër veçse ta  ndjekë.

Gjashtëdhjetë vite më parë se Fosbury të bënte atë trajektore të mrekullueshme  e thuajse të pamundur, në Detroit, një inxhinjer i ri, prezantoi  një model  makine . Çudia nuk qendronte në modelin e makinës, makina ishin prodhuar edhe më parë, por në diçka tjeter. Koha për prodhimin e saj ishte vetëm një orë. Sistemi i prodhimit  bazohej në një mënyrë të re– pjesët e veçanta prodhoheshin në seri, pastaj bëhej asemblimi. Djaloshi që i prezantohej botës me këtë mrekulli të industrisë  ishte Henri Ford. Si kurrë më  parë ai ngriti stekën e mënyrës së prodhimit dhe bëri kapërcimin e madh duke e futur botën në një epokë të re industriale. Që nga ajo ditë,  në industritë e gjithë  botës  do aplikohej stili Ford.  Kjo mënyrë prodhimi ulte kostot dhe produkte që deri në atë kohë ishin eskluzivitet vetëm për pak njerëz do bëheshin masive.  H. Ford hapi rrugën dhe bota industriale do ta ndiqte nga pas.

Në Londër,  në vitet  ‘20, një  tjetër djalosh,  punonte si në ethe  mbi konceptin e algoritmit dhe teorizonte mbi inteligjencën artificiale. Për bashkëkohësit e vet kjo ishte gjuhe aliene,  ishte si të dëgjoje një  njeri të fliste  në jerm. Por ajo nuk ishte tjetër  veçse  gjuha e shek.  XXI, pra gjuha e kohës sonë, gjuha e kompjuterave.  Alan Turing po kërkonte  t’u fliste njerëzve  me gjuhën e të ardhmes  kur  ata  akoma përllogarisnin mbi copa letrash.  Gjatë  luftës së dytë botërore, deshifrimi i  mesazheve  të diplomateve dhe ushtarakëve gjermanë  të kriptuar me sistemin enigma të Arthur Scherbius  përshpejtoi  përfundimin e luftës  duke shpëtuar kështu miliona jetë.   Kjo ishte vepër e gjenialitetit të Turing.  Djaloshi ngriti stekën duke zvogëluar  kohën e kryerjes të përllogaritjeve dhe duke u hapur rrugën makinave me inteligjencë artificiale të cilat do punonin  për njeriun, por  më shpejt e më saktë se ai. Që nga ajo ditë  bota  nuk do ishte më e njëjtë: makinat e Turing do bëheshin pjesë e çdo familjeje dhe e  çdo individi në  planet.  Bashkëveprimi dhe komunikimi mes njerëzve do bëhej vetëm në gjuhën e inteligjencës artificiale.  Alan Turing  kishte hapur portat e nje universi të ri, të universit  të shkencave kompjuterike  dhe   njerëzimit nuk i mbetej tjeter veçse ta ndiqte nga pas.

Po në ato vite,   nën një  tjetër qiell, në zemër të Evropës,  një  hebre me një mbiemër të frikshëm, Kafka, me lehtësinë e papërballueshme të një gjeniu hedh në letër këtë fjali: “Një  mëngjes , ndërsa zgjohej nga ëndrra të  këqija, Gregor Samsa e gjen veten të trasformuar në një insekt të  madh… Çfare më ka ndodhur? mendoi. Nuk po ëndërronte…” (Metamorfoza)

Ky incipit, më  tronditësi në historinë e letrave botërore, do të trasformohej në një profeci të frikshme. E frikshme aq sa dhe emri i autorit. Vetem tre dekada më vonë, në mbarim të luftës së dytë botërore, ndërsa ngjizej krijimi i kampit të vendeve socialiste, miliona individë do zgjoheshin nga një gjumë i mundimshem të trasformuar në insekte të mëdha.  Zejtarë e tregtarë, intelektualë  e  poetë,  punëtorë krahu e nëpunës zyrash…, pas një dite të lodhshme pune do shkonin  në shtrat  si njerëz normalë e do zgjoheshin të arrestuar, të damkosur si armiq të popullit.  Do  zgjoheshin të trasformuar tashmë në insekte të pistë  për t’u shtypur me këmbë e për t’u hedhur tutje në baltën e vdekjes. Si një  deja vu fantazma e Gregor Samsës në harkun e kohës gjumë-zgjim do  hynte në trupat e miliona njerëzve dhe ata do  flisnin tamam gjuhën e tij: Çfarë më ka ndodhur? O zot nuk po ëndërroj. Kjo fantazmë  kafkiane do  shëtiste  nëpër muzgun e stepave, në zemër të Evropës, në tokat e nëmura të ballkanit  për më shumë se gjysmë shekulli  deri ditën e rënies së Murit të Berlinit. Mendja e trazuar e Kafkës e kishte krijuar këtë fantazmë  njeri-insekt si personazh për botën e fantazise, gjysma e botës e ndoqi nga pas duke e ushqyer me mish e gjak nga njerëz të vërtetë. Kafka e ngriti stekën lart, duke përzier   aq shumë fantazinë me realen sa  nuk kuptohej më ku fillonte njëra e ku mbaronte tjetra. Por, kjo zezonë,   nuk do ndalonte vetëm tek procesi i trasformimit:  fillimisht  njeriu-insekt do pretendonte se duhej të ishte bërë ndonjë gabim dosje, ç’ne ai armik i popullit, por përballë murit të shtetit autoritar, individi insekt  ngadalë fillon e dyshon për veten e vet:  përderisa të gjithë e akuzojne atëhere ndoshta vërtet ishte nje insekt i pistë për t’u shkelur me këmbë (Procesi).  Dhe, në përmbyllje,  teatri kafkian luan aktin më absurd, i akuzuari ndjen keqardhje për xhelatët e vet, akoma më tej, në instancë  të fundit ai kërkon t’i  mirëkuptojë.

Që nga dita kur u shfaq për herë te parë kjo bukuri e zezë,   bota nuk do ishte më e njëjtë. Ai  hapi portat e një  universi të ri ku individi i transformuar në insekt  ishte i kapur në një kurth sa absurd aq edhe të pashpresë,  në kurthin e një pushteti alien, burokratik e totalitar.

Shekulli i shkuar  nxori në dritë  personalitete puna dhe vepra e të cilëve patën një impakt të jashtëzakonshëm në shoqërinë njerëzore herë  për mirë e herë për keq:  Einstein, Alan Turing, John Kenedy, Tomas Edison, Steve Jobs,  Marconi,  H.Ford,  Lenin,  Mandela,  S.Ramanujan,  A. Fleming, Churchill,  Fermi,  J. Lenon, Sigmund Frojd, Gödel, Freud, Teresa e Kalkutës … të cilët me veprat apo veprimet e tyre ndriçuan apo errësuan arsyen e masave të tëra të njerëzve në  gjithë  planetin.

Megjithkëtë,  John Cassidy,  një  nga gazetarët më me zë të The New Jorker,  gjendur përballë pyetjes sfiduese: kush është personaliteti më  i madh i shekullit XX? pergjigjet – von Hayek. Dhe  jo vetem kaq, por  pa hezituar shumë shkon akoma më tej: “Jo vetëm është personaliteti i shek.  XX,  por shek.XX është shek. i von Hayek.” ( A.Civici,  Fridrich von Hayek, UETpress)

Përse The New Jorker një nga gazetat më  prestigjioze të  planetit do e cilësonte këtë  personazh si njeriun e shekullit, apo,  akoma më tepër, shek.  XX si shek.  e von Hayek?  Kjo periudhë kohore, një nga më të jashtëzakonshmet në historinë  njerëzore,  është e mbushur me një yjësi  të tërë  emrash brilantë.  Këto figura aliene si të ardhur nga e ardhmja e futën njerëzimin  në vorbulla të tilla ndryshimesh ku nuk do guxonte as ëndrra apo makthi më i çuditshëm të futej. Përse përzgjidhet pikërisht Hayek i cili mes një yjesie të tille emrash është ndoshta më pak i kuotuari?

Figura e Henri Ford mund të interpretohet si realizim i ëndrrës së njeriut për të pushtuar hapësira të reja në një kohë më të shkurtër;  ajo e Alan Turing  si   kërkesa e kohëve moderne për të përllogaritur dhe magazinuar sasi të mëdha informacioni në hapësira sa më të vogla;  ajo e Kafkës si materializim i frikërave dhe maktheve që kanë përndjekur shoqerinë njerëzore që nga lindja e kohës; figura e Sigmund Frojd mund të interpretohet si dëshira e vjetër  e njerëzimit për të hedhur dritë në palat e errëta të subkoshiencës së vet…

Figura e Fridrich fon Hayek  kapet pas një  elementi thelbësor të ekzistencës njerëzore, pas një elementi mungesa e cilit e shfytyron qenien njerëzore si të tillë,  pas lirisë  së  individit. 

Për mijëra  vite evolucioni,  njeriu  mund të ecte, dhe, në fakt,  ka ecur përpara edhe në mungesë të  radios, në mungesë të penicilines,  makinës,  kompjuterave… Mund të bashkëjetonte edhe me neurozat e veta, pa kërkuar që Frojdi t’i shpjegonte ato. Shoqëria njerëzore mund të bënte përpara edhe pa bukurine e zezë te universit kafkian,  por, do  ishte fatale për ekzistencën e qënies njerëzore humbja e dy të drejtave natyrore të tij,  e të  drejtës për të  zotëruar pronë dhe për të  vepruar i lirë.

Trajtimit të këtyre dy çështjeve jetike von Hyek i kushtoi jetën duke u trasformuar për breza të tërë ekonomistësh, politikanësh , juristësh, filozofësh, qendra gravitacionale rreth të cilës ata silleshin duke aplikuar me sukses teoritë e tij në realitetin ekonomik  dhe shoqëror të shek. të shkuar.

Hayek ngriti stekën  e studimeve të shkencave ekonomike në një nivel më të lartë, i  hapi rrugën  politikës angleze (Thatcher) dhe asaj amerikane (Reagan) për të vënë  me sukses në praktike idetë liberale,  hapi portat e një universi te ri ku ekonomia do takohej me etikën, mendimi filozofik do takohej me veprimin praktik, fuqia financiare me shqetësimin social. Deri këtu kemi një Fosbury, por Hayek shkon edhe më larg.

Edhe  pse nuk kishte njohuri të sakta se çfarë  ndodhte përtej perdes së hekurt, pra në vendet ish komuniste  ku tregu i lirë ishte inekzistent , ai, duke u nisur nga  rezultati më i larte i punës së vet: “liria e tregut është e pandashme me lirinë  e individit”,  doli në konkluzionin  se: “në  këto kushte në  këto vende  liria e individit ishte inekzistente.”  Hayek parashikoi se përtej perdes së hekurt vendet ishin në  kushte të një sistemi të shfytyruar,  të një sistemi diktatorial. Ajo çfarë reklamohej nga qeveritë e tyre ishte thjesht demagogji, propagandë. Shumë kohë para se të binte Muri i Berlinit,  Hayek kishte arritur të shikonte me sytë e teorisë  së vet më qartë se kushdo tjetër, më qartë se edhe analistët më të kuotuar për çështjet e Evropës lindore dhe të luftës së ftohtë.

Rënia e murit te Berlinit derdhi nëpër rrugët e  botës  të vërtetën e madhe: gjysma e Evropës për  një  gjysmë shekulli kishte qënë e zhytur në një diktaturë që e kishte tjetërsuar qenien njerëzore deri në alienizim.  Teoria e  Hayek ishte vërtetuar.

Hayek shikonte  tek tregu mjetin që është në gjendje të krijojë  dhe të ruaje këtë liri: pra, liria dhe tregu janë  të  pandashme. Tregu i lirë  me rendin e vet te konkurrencës, thotë von Hayek,  është  në gjendje të gjenerojë dhe të mbledhë nje sasi dije dhe pasurie më të madhe se ajo që mund të  gjenerohet nga çdo lloj ekonomie e centralizuar.  Nëpërmjet  lojës se lirë të kërkesë-ofertës, mund të zgjerohet pa fund e gjithë jeta ekonomike, sepse logjika tregtare lejon një përshtatje të vazhdueshme të ndryshimeve që vinë në rrethana të ndryshme kohe dhe vendi. Hayek është  rojtari i farit në ishullin  e botës perëndimore,  ku tregu i lirë dhe individi i lirë janë ligjësi që udhëheqin gjithë  jetën politike e ekonomike. Sa herë që në horizont shfaqen teori të ngarkuara me konceptet e centralizimit të shtetit,  planifikimit, … këmbanat e Hayek tunden fort duke lajmëruar rrezikun e kthimit të një epoke që për gjysmë shekulli  futi në kurth individin e lirë duke e transformuar  në një uniformë pa emër, pa fytyrë, pa shpresë dhe në rastin më të keq në një insekt kafkian për t’u shtypur me këmbë.

Liria e individit është e pandashme nga liria e tregut, dhe ekzistenza e qenies njerëzore mbahet nga dy fije të holla  ekuilibri delikat i të cilave  duhet të ruhet me çdo kusht: e drejta  për të  zotëruar pronë  dhe për të vepruar i lirë. Ky është Hayek dhe ndoshta Cassidy edhe pse i gjendur mes figurave brilante të cilët ndryshuan kursin e historisë  në fusha të ndryshme të përpjekjeve njerëzore, ngul këmbë tek e vetja se  Hayek është figura e shek XX, akoma më tepër shek.XX është shek. i Hayek.