Policia tashmë ka nisur intervistimet e personave të parë pas videos së publikuar. Aty shihen duke gjuajtur me armë zëvendëskryeministri Dardan Gashi, Endrit Shala, këshilltar i Fatmir Limajt dhe ish-kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku.

Policia nuk ka dashur të flasë për emrat e të intervistuarve, por ka thënë se janë duke provuar që gjithashtu të sigurojnë prova për ngjarjen.

Kryeprokurori për rajonin e Gjakovës, Ali Selimaj, ka thënë se tani i mbetet Policisë që me autorizim të tyre të vazhdojë e të mbledhë prova dhe të kryejë hetimet tani. Armëmbajtja e paautorizuar, sipas nenit 374 të Kodit Penal, është e dënueshme me gjobë, e burgim deri në 5 vjet, kurse përdorimi i armëve, sipas nenit 375, përveç konfiskimit të armës, dënohet me burgim ndërmjet 1 e 8 vjet raporton KTV.

U pyet edhe zyra e Kryeministrit nëse Ramush Haradinaj ka kërkuar raport nga zëvendësit e tij për ngjarjen, por Zyra e tij nuk është përgjigjur në këto pyetje.

Krejt çka ka thënë në një përgjigje të shkurtër është se ‘kjo çështje tani i takon organeve të drejtësisë’.