Vetëm gjatë këtij viti Gjermania ka kthyer rreth 4.500 shqiptarë dhe priten të kthehen edhe 14.000 të tjerë.

“Ky është një proces që do të kërkojë një kohë të caktuar. Nuk di të t’ju them afatet kohore që do të mjaftojnë që ky problem të marrë zgjidhje, megjithatë është e rëndësishme të thuhet se rruga e azilkërkimit në Gjermani është një rrugë e gabuar. Sepse njerëzit që do të kthehen sërish në drejtim të Shqipërisë mund të dënohen edhe me një ndalim hyrjeje në vendin tonë për 5 vite. Ndaj është më mirë nëse shfrytëzohen mundësitë ligjore për të shkuar në Gjermani siç është ajo me anë të një kontrate të rregullt punësimi”, ka deklaruar Susanne Schutz, ambasadore e Gjermanisë në Shqipëri.

Përsa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Schutz shpreson shumë që me plotësimin e 5 prioriteteve të ketë një dritë jeshile për hapjen e negociatave, shkruan Top Channel.

Dhe sipas diplomatës, kjo bëhet “duke plotësuar 5 prioritet kyçe të përcaktuara nga Bashkimi Europian, në mënyrë të veçantë atë të reformës në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht në procesin e vetting-ut, si dhe luftën aktive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Shpresojmë shumë që në këto sektorë të shënohen suksese konkrete në muajit e ardhshëm, pikërisht që të plotësohet çelja e negociatave”, ka thënë Schutz.