Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin në rastin e të akuzuarit Hamdi Novobërdaliu.

Trupi gjykues tha se pas administrimit të provave, Gjykata ka arritur të vërtetojë se ekzistojnë të gjitha elementet e vrasjes së rëndë në tentativë dhe për këtë arsye e dënon të akuzuarin me 4 vjet burgim.

Sipas aktakuzës, Hamdi Novobërdaliu në dhjetor të vitit 2011 në rrugën “Bajram Bahtiri” të Prishtinës, në lokalin “Flori” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes, tentoi ta privojë nga jeta Florim Arifin.

Aktakuza sqaron se këtë veprim Novobërdaliu e ndërmori pasi ishte plagosur në gju nga Florim Arifi.

Në aktakuzë tregohet se Novobërdaliu kishte hyrë në lokalin ku punonte i dëmtuari e kishte qëlluar në të dy këmbët dhe pastaj kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës në kohën kur Novobërdaliu qëlloi Florim Arifin, Arifi po e rruante Flamur Shehun, ndërsa në lokal për të prerë flokët ishte duke pritur Hasan Paçarada.

Paçarada e Shehu janë të dëmtuarit e këtij procesi, pasi gjatë të shtënave drejt berberit Arifi, Novobërdaliu i rrezikoi ata.

Hamdi Novobërdaliu qëndroi në arrati nga dhjetori i vitit 2011 kur akuzohet se kreu plagosjen, deri në shkurt 2017, kur u arrestua nga policia.

Nga plagosja, berberi Florim Arifi pësoi dëmtime të rënda trupore, njofton kallxo.com.

Gjykata Themelore në Prishtinë Hamdi Novobërdaliun e kishte shpallur fajtor dhe të njëjtin e kishte dënuar me 4 vjet e gjashtë burgim, por më pas Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave të pranuara nga palët kishte vendosur që rastin ta kthente në rigjykim.