Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, në një konferencë për media, kanë shpalosur temat për të cilat është biseduar në takimin e tyre.

Kryeministri malazez ka thënë se në takim është biseduar lidhur me çështjen e demarkacionit.

“Dy kryeministra dhe dy Qeveri duhet të bisedojnë edhe për këtë çështje që është e rëndësishme për të dyja vendet. Ky proces, kur është në pyetje Mali i Zi, kaherë është kryer me ratifikim të marrëveshjes në Kuvend, por të njëjtën nuk e ka bërë Kosova. Mali i Zi dëshiron si një vend fqinj  mire dhe mik që kjo çështje të zgjidhet. Ne nuk duan që tani disa dallime që kemi t’i shndërrojmë në problem. Kemi biseduar me qëllimin më të mirë dhe si miq të mirë që në vazhdim të dialogut të gjejmë mënyrë për ratifikimin e marrëveshjes dhe Kosova të fitojë një rast të mirë, kur është në pyetje integrimi Evropian”, tha Markoviq.

Edhe kryeministri Haradinaj tha se kanë biseduar për këtë çështje dhe shpreson se do të gjendet  një zgjidhje.

“Ka një vullnet për gjetjen e një zgjidhjeje dhe besojmë se do të gjendet një zgjidhje”, tha Haradinaj.