(Gëzim Aliu- Gosti në natën e parë të vjeshtës, Parnas, Prishtinë, 2017) 

Nga Kosovare Krasniqi              

Përderisa vitit  2017 i dhamë lamtumiren, mirëpritëm romanin më të ri të shkrimtarit Gëzim Aliu, “Gosti në natën e parë të vjeshtës”. Gëzim Aliu vjen para lexuesve me romanin e tij të tretë, i cili sipas studiuesit Agron Gashit është roman ku: “… hierarkia kulturore shndërrohet në anarki, seriozja në sarkazëm dhe ironi, tragjedia në komedi, etika në estetike, për të fituar kjo e fundit”. Romani “Gosti në natën e parë të vjeshtës” trajton një temë aktuale të kohës: ngritjet dhe rëniet që pësoi njeriu si individ, por edhe  shoqëria në tërërsi.

Në roman paraqitet  tabloja e errët e jetës së njeriut kosovar të pasluftës, ndërsa shoqërisë në të cilën jeton i janë vënë në dukje anët e errëta përmes personazheve të saj. Që nga titulli i romanit, ne si lexues parapërgatitemi të  kuptojmë që rrëfimi i romanit zgjat vetëm një natë, duke na njohur me realitetin e një shoqërie të zhveshur nga zakonet fisnike shqiptare, po të veshur me maskën e modernitetit. Rene Wellek thekson: “Letërsia, me të vërtetë, ‘pasqyron’ ‘jetën’, ndërkaq ‘jeta’ në masë të madhe është realitet shoqëror, edhe pse objekte  të ‘imitimit’ letrar kanë qenë edhe bota e natyrës dhe bota e brendshme apo subjektive  e individit”(Uellek, 1993, 85)`. Edhe në romanin “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, autori shërbehet me atmosferën reale të ndodhur në Kosovën e pasluftës.

Me humor dhe sarkazëm mjaft goditës, autori Gëzim Aliu, arrin t’i çmontojë dy fenomenet me të cilat ngulfatet shoqëria jonë: pseudopatriotizmin dhe pseudointelengjencën. Përderisa Aliu  në romanin e tij ironizon me të gjitha klasat e shoqërisë, ajo e cila veçohet më së shumti është fusha e artit, me konkretisht, arti i rremë, të cilin e ironizon deri në tallje. Dhe, nga një varg figurash të cilat na i prezanton autori në romanin e tij, do t’i veçoja këto personazhe, arti i të cilëve nuk njeh ndonjë vlerë të mirëfilltë: këngëtarin Dalip Thtr, tenor profesionist, por edhe këngëtar dasmash, në të njëjtën kohë, i cli ankohet se si tenor nuk po mund të nxjerrë bukën e gojës; piktorin Sanzi i famshëm, i cili  njihej me pikturat e tij dhe pikturat e  të cilit sipas Anitës ishin tejet artistike, sa kur Ceni shprehet se arti i tij nuk kuptohej, ajo shpërfillëse ndaj burrit, shprehet se “arti i Sanzit ishte i madh dhe jo nga gjithkush i depërtueshëm”; pastaj, shkrimtari Muharrem Trrm., që kishte shkruar nja pesëmbëdhjetë romane për dyzet vjet dhe secili ishte më i palexueshëm se tjetri, secili më voluminoz se tjetri dhe secili më stilioz se tjetri. Përveç këtyre figurave të lartpërmendura, na takon të përmendim edhe personazhin tjetër “të madh”, Mujë Hhr., pastaj filozofi (i pa emër) leximmadh e mendimbosh,  Xhevdeti, gazetari i një televizioni të madh, i cili përdor fjalë të mëdha e s’thotë gjë, bën grumbuj fjalësh konfuze e pa përmbajtje.

Pra, mund të konstatojmë se autori me paraqitjen e këtyre personazheve të lartcekur, ku pothuajse të gjithë dalin “karikatura tallëse”, paraqet deformimin e shoqërisë, të fshehura pas një maske pseudoelite, të cilën lirisht mund ta krahasojmë me një elitë “madhështore” qesharake.

Aliu i ndërton mjaft bukur portretet e personazheve të tij, duke i ngjyrosur me ngjyrim të fortë ironik. Në përshkrimin e personazheve, autori është mjaft i kujdesshëm dhe analitik, dhe duke i renditur ata si në varg, arrin t’i përshkruajë deri në detajet më të vogla, me çfarë paraqitet  mjeshtër, dhe me fanatizëm gjurmon edhe psiken e njeriut. Politikanë, gazetarë, poetë, filozofë, shkencëtarë e këngëtarë, emra të njohur në elitën e shoqërisë, e disa më pak të njohur, janë personazhet me të cilët autori ironizon gjendjen aktuale në Kosovë, me ç’rast të godet fakti  dhe është  gati e pabesueshme që të mendojmë se jemi të rrethuar me një shoqëri të tillë.

Autori vë Cen Berishën përballë kësaj mase neveritëse për të, apo siç e quan vetë: “copë e madhe yndyre”, ndërsa më pas, asaj “yndyre”, i shton edhe shumë epitete të tjera, si: “hare yndyrore”, “masa yndyrore”, “organizmi yndyror” e të tjera. Ceni del si një personazh ashtu siç studiuesi Pier Gamarra, e cilëson personazhin e shokut Zylo, “I tallur dhe tallës”. Ai  paraqitet personazh i cili është i paaftë dhe i pafuqishëm të ndryshojë një gjendje të tillë tronditëse në shoqëri, ku injoranca shfaqet hapur në masat e “intelektualëve”, pseudo. Hierarkisë që mbretëron, ai i ishte nënshtruar, andaj, Cen Berisha si personazh, nuk arrin të luftojë një gjendje të tillë, përveç të na i paraqesë ashtu siç i sheh, siç i dëgjon edhe i përjeton ai, dhe përmes mendimeve të tij mësojmë pothuajse për karakterin e secilit personazh, duke filluar nga gruaja e tij, Anita.

Të dy personazhet kryesorë, Cen dhe Anita Berisha, gjatë një nate, kalojnë në një varg situatash nga të cilat ne si lexues mësojmë prejardhjen e asaj pasurie të cilën e zotëronin, dhe pak nga pak arrijmë të mësojmë si për njërin, ashtu edhe për tjetrin. Ata të dy përfaqësojnë dy botë të ndryshme: Anita, një zhvatëse parash “që i dhuroheshin me bujari nga shteti, organizatat e huaja politike-kulturore-liberale dhe shoqëritë vendore të bizneseve” (f. 10). Ajo rrezaton energji për depërtim të fuqishëm në shoqëri, dhe “me egon e saj oqeanike”, sipas Cenit, edhe ia arrinte kësaj. Për Anitën e rëndësishme ishte dukja, jo ajo që ndodhte brenda saj. Realiteti ishte gjykimi subjektiv i saj, ashtu siç donte ajo, jo siç ishte në të vërtetë.

Të dyja personazhet janë figura që i kalojnë kufijtë vetëm si bashkëshortë. Anita del të jetë e lidhur me  personazhin tjetër “të madh”, Mujë, Hht.  I vetëquajturi shkrimtar i madh, ishte nga ata njerëz që kishin mendim për gjithçka, ishte në konflikt me secilën parti a grup që vinte në pushtet. Pse e bënte këtë? Sepse ai kishte lexuar nga shkrimtarët e huaj, se ata ishin në konflikt me elitën sunduese të shtetit, prandaj edhe ai pavetëdije i imitonte ata. Gjatë rrëfimit vërejmë se kjo dukuri vetëm sa vjen e problematizohet edhe më shumë. Autori sikur argëtohet duke na sjellë  afër personazhe të cilat i demaskon pamëshirë. Cenin e sjell si hero me portret të antiheroit, ndërsa poetesha Leta, një dashnore aq e dëshirueshme nga Ceni, luan rolin e një “bukurosheje të devotshme”. Në roman bie në sy edhe  prania e elementit erotik. Ceni, nën pushtetin e tingujve të ëmbël të fjalëve që i thotë ajo, bie në grackën e epshit të saj, e cila gjithashtu nuk i ik pasionit. Cen Berisha që nga fillimi i romanit e deri në fund shfaqet si personazh i dëgjueshëm dhe luajal.

Struktura e rrëfimit 

Formula “Ironia është humori i satirës” është formula më e mirë me të cilën mund ta përkufizojmë këtë roman.

E gjithë ngjarja e romanit ndodh në qytetin P’rsh, siç e quan autori, me të cilin aludohet të jetë Prishtina. Narratori në roman qëndron i fshehur dhe pothuajse tërë rrëfimin e romanit  e mësojmë përmes monologëve të personazhit kryesor, Cen Berishës, dhe ngjarjeve nëpër të cilat kalojnë personazhet. Rrëfimi i romanit ndodh brenda një natë, një natë gostie e organizuar nga gruaja e  Cenit, Anita Berisha, gosti e organizuar me “fondin e siguruar për festivalin e madh”, por pyetja vazhdon: a bëhet ky festival, vërtet?

Maska më e mirë nën të cilën fshihet shoqëria paraqitet në këtë gosti, ku autori u jep mundësi personazheve të shfaqin kundërshtimin në mes dukjes dhe brendësisë. Në roman, megjithëse kemi një linjë fabulare  prapë ajo, linja dmth pëson devijime kohore, sepse në të ndërlidhen edhe shumë storie të tjera të  ndodhura para, gjatë dhe pas  luftës (në Kosovë). Trajektorja e cila e lidh tërë rrëfimin e romanit, si nyje lidhëse e obsesion i Cenit është çështja  e dorëshkrimit. Deri në ç‘përmasa është tensioni rreth këtij dorëshkrimi, mësojmë kur brenda subjektit të romanit integrohet edhe rrëfimi mbi historinë e dorëshkrimit. Ndërhyrjet janë aq të vrazhda në punën e Cenit, sa që ai nuk mund t’i pranojë ato. Gjithashtu është edhe pjesa e luftës së fundit, hija  e së cilës sillet ende nëpër kokat dhe mendjet e njerëzve dhe Ceni e ka të pamundur t’i shpëtojë kësaj ngjarjeje, së cilës i është nënshtruar përulur. Ai ndryshe mendon dhe ndryshe shprehet publikisht, ndërsa tërë luftën e zhvillon në ndërgjegjen e tij.

Përfundim

Duke qenë se Gëzim Aliu është shkrimtar që është i informuar jo vetëm me  veprat e shkrimtareve dhe kulturën evropiane, por edhe atë botërore, bën matjen e përmasave të letërsisë evropiane dhe asaj që krijohet në Kosovë. Dhe derisa lexon librin, e gjitha ajo që rrëfehet në roman të çon të besosh se vepra e shkruar  sulmon krijuesit e artit, kulturës, filozofisë dhe shkencës letrare në Kosovë. Letërsia shqipe duhet të pasurohet jo vetëm me prodhimtari letrare, por të jetë edhe letërsi cilësore. Gëzim Aliu është kritik i ashpër i “artistëve” të cilët “nuk e njohin thellësinë” dhe shkruajnë vetëm për interesat e tyre të ngushta.  Fokusi i autorit në roman është të paraqesë atë situatë burokratike, çfarë e zhgënjen dhe vë në dukje  përpjekjet e njeriut për të dalë kundër këtij sistemi burokratik shoqëror.

Prandaj, autori nuk qëndron në  rolin dhe qetësinë prej një shahisti, por përmes romanit të tij kritikon gjendjen e sotme aktuale, çfarë do të thotë se ecë përpara me hapin e kohës evropiane dhe asaj botërore dhe nuk ngec nëpër errësirën kohës tonë./Gazeta Observer