(Shkruar në 28 nëntor 2016, në burgun e Lipjanit)

Atdhe Arifi

I.
Fleta e bardhë qëndroi e tillë për minuta e orë të tëra. Ajo po insistonte të shëmbëllente shpirtin e tij të bardhë e të papërlyer. Të më falësh o shok që kësaj radhe po flas në veçanti për ty, e di kurrë s’të pëlqente egoizmi, po gjithherë vetëmohimi, ama kësaj radhe nuk do të të pyes. E di edhe lotët do të duan t’i lotojnë fletët, po ne s’ua japim atë kënaqësi sepse loti është robëri e gjaku liri.

Thuhet që liria është suazë e vetëkrijimit të njerëzve. Kur të na kujtohet neve shqiptarëve liria, s’ka si të mos na kujtohet Prizreni – besëlidhja shqiptare e Prizrenit. Luftohej atëherë, fatkeqësisht po duhet edhe sot, që të ruhet sovraniteti dhe territori i vendit. Ishte një instancë, një mekanizëm shoqëror e moral që e bëri atë shëndrrimin cilësor të një akti me karakter moral-social (besa) në akt me karakter politiko-juridik (kushtetuta). Besa u bë dispozita politike, kushtetuese dhe luftarake për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Kur është puna për dinjitetin kombëtar shqiptari me një fjalë goje diti ta bëjë kapërcimin kualitativ – ta japë besën, kështu nga qenia thjeshtë biologjike bëhet qenie politike, u bë shqiptar politik, domethënë, shqiptar i besës, i fjalës, i vetëmohimit.

Besa shqiptare ka funksion estetik po edhe progresiv. Meqë nuk e shpikëm asnje fe, po e konsiderojmë besën si një fe veprimi. Kjo lidhje e vullneteve të pashuara, kjo besëlidhje është ende gjallë, ekziston si ‘grada më e lartë e urbanitetit’, krijim përtej individëve dhe përtej individit.

Astriti po shikonte përtej kufijve të logjikës, sytë e tij zbulonin drita të fshehta të horizonteve tona kolektive, në të cilat projektohen si në një afresk rilindas ngjyrat më të ndritura të përparimit dhe të ngadhënjimit të shpresave dhe interesave tona. Ai fliste për ëndrra e fantazi, fliste për ato që ishin para tij, për ato që ishin pa shqetësuar akoma njeri. I çliruar nga mizerjet e lëndës dhe mëkatet e shpirtit, kështu foli shqiptari – kështu flet besa e tij, kuvende të kohës, kuvende të shekullit të ngratë, kuvende të shekullit të ri, kuvende të një epoke…

Në nenin 1 të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut të OKB-së të vitit 1948 thuhet: ‘Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira, të barabarta në të drejta dhe dinjitet (po Astriti, po ne ?). Dhe ndaj njëri-tjetrit duhet të sillen në frymë vëllazërore (po raporti klaniPronto – qytetar?). Pas asaj vrasje të dhunshme në Prizren, të bien ndër mend këto vargje të një politikani të shenjtëruar me shpirt kryengritësi (Nolit):

‘Vrajeni se përunj dhe përmbys pasurinë,
Pasuron dhe çliron, dhe forcon varfërinë
Se lëngatën shëron, se ndriçon verbërinë.
Kryqëzoje Pilat në Kalvar-Golgotha.’

Çdo kushtetutë, çdo akt juridik i reflekton raportet me qëllimet e forcave politike të vendit të vet, andaj zbatimi i kushtetutës është kërkesë për siguri dhe zhvillim të shtetit. Fjalia më lart kuptimësohet kur e analizojmë qëndrimin që politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë, pra e zhvillimit.

II.
Astriti mbante në zemër dhe angazhohej për çështjet sociale, të mirëqenies së popullit të tij – shqiptar social; e këtyre çështjeve u bënte ekspansion në shtet – shqiptar demokrat. Ai e jetësonte me begati socialdemokracinë si një diell me shkëlqim korriku.

Gjykohej për vepër penale – kriminale, e vërteta është se penalizohej për shkak të aktivitetit të tij politik. Vepra jonë e përditshme ka natyrë politike e humane jo penale e kriminale. Ose janë injorantë ose shumë të poshtër (zakonisht zotërojnë dy tiparet) që një njeri si Astriti ta trajtojnë si të tillë. Injoranca, indifernca, cinizmi dhe poshtërsia e tyrë është rritur krahas me kontot dhe kapitalin e tyre. Janë ngjitur shumë lart, përtojnë të zbresin poshtë, aty sikur bota iu duket e vogël, e parëndësishme, e huaj.

Botëkuptimet e tilla mbështesin privatizimin mbi vendet e punës, avancimin në karrierë, monopolin e mjeteve të informimit, ekzkluzivitetin e orientimit politik, që ndihmohet nga aparati shtetëror. Ndihmohen edhe nga shndërrimi gradual i policisë në instrument të dhunës së pushtetit. Privatizimi i pushtetit ka bërë që kriteriumi i aftësive personale për veprimtaritë e ndryshme shoqërore e politike të injorohet në favor të afërsisë me pushtetin, që mbahet ende në raporte të mykura feudo – klanore. Nëse veprimet e këtij pushteti nuk janë shprehje e tradhëtisë së interesave kombëtare, atëherë ky pushtet është viktimë e ndonjë komploti gjë që nuk ia zvogëlon barrën e përgjegjësisë për gabimet dhe lëshimet e bëra. Kur bëhet politika me metoda të masakrimit të mendimeve oponente, me kombinimin e gënjeshtrës dhe harresës, kur kjo bëhet në rrugë sistematike, atëherë dikush po don të arrijë qëllime të dyshimta, të rrezikshme, ekziston dyshimi i arsyeshëm, do të thoshte drejtësia kosovare, ama tash njëmend ka arsye për dyshim e shqetësim. Kjo qeveri po bën tregti me opsionet politike dhe nuk e ndjenë se fjala është për interesa fundamentale të një populli të tërë. Për pasojë sot ka retardime e deformime të rënda të proceseve politike.

III.
Shkaku i këtyre fenomeneve, mendjen dhe shpirtin e tij e torturonte një kurreshtje e padurueshme, për t’ ia mësuar përgjigjen pyetjes: përse jemi të varfër, të paintegruar, të injoruar nga pushteti e bota. Politika e pushtetit nuk i ofronte përgjigje, na quan thjesht terroristë e anarkistë, por nuk na përgjigjet – PSE NUK PO ZHVILLOHET KOSOVA? Midis energjisë që akumulohej dhe mundësive të pakta për konsumin e saj, midis vetes dhe botës e cila u ikte. Aktivisti i ri i etur për dije, i lënduar nga heshtja, i vrarë nga terrori i politikës, i rënë në kundërshtim me moshën, por i vendosur që me çdo kusht të krijon botën e tij. E kishte dhënë besën që ti kontribonte krijimit të botës së ëndrrave dhe nuk i kishte menduar rrjedhimet eventuale, as për veten, as për familjen, as për rrethin. Ky i ri e kishte shpirtin e pastër, të çiltër si rrezja e diellit. As në zemër as në mendje nuk e barte të keqen. Ideali i VETËVENDOSJES! është sinonim me të mirën dhe të bukurën. Bota që e gjakoi është e përmbushur me shpirtin e tij të pastër, me ëndrrat e bukura me ideale të mëdha, me Shqipërinë faktore jo aktore në çështjen shqiptare. Është kjo botë e barazisë së përgjithshme e zhveshur nga ligësitë e kohës. E dëshiroi një botë me raporte të çiltra e humane politike e ekonomike me konkurencë të lirë të mendimit dhe ideve, me kritere të njejta të zgjedhjes së më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre të njëmenda dhe gjeniu kolektiv krijues. Kur dëgjonte ndonjë këngë të Vaçe Zelës, Ilir Shaqirit a Shkurte Fejzës, kënga i bëhej lidhja ataviste me tokën, melodia e këtyre këngëve shpërthente nga thellësia e qenies së tij.

Themeli i tij shpirtëror përmbante diç edhe nga dhimbjet e vuajtjet e të burgosurve politik të 81′ të cilët për Kosovën gjakonin burgjet e Jugosllavisë shoviniste dhe me vendosmërinë e tyre e detyruan atë ta zhdukë vetëveten. Me siguri që në themelin e shpirtit të tij ekzistonte edhe figura e mendjes programatike të Lidhjes në Prizren, në qytetin ku vdiq si i burgosur politik, ngase luftoi që tokat shqiptare mos të falen. E mbytën ata që nuk deshën bashkimin dhe zhvillimin e kombit. Me Abdyl Frashërin i bashkoi vendi i vdekjes – burgu, qyteti i Lidhjes – Prizreni, rrethanat dhe motivi i vdekjes – vetëm pse bëri aktivitet të mirëfillt politik. Të dy i bashkoi vdekja, neve na bashkon shembulli i tyre, sakrifica e aksioni. Duke i shënuar këta rreshta një krismë e fuqishme e derës së burgut më erdhi si qortim që mendimet ti mbaj vetëm për vete, krismë që rojet e bëjnë enkas për të zgjuar të burgosurit, më vjen të bërtas me tërë fuqinë e shpirtit; o kriminel, mos e ndotni botën e ëndrrave të atij djali me dallaveret e kohës. Kriminelët të zënë me lojërat e klaneve të tyre, jo vetëm që nuk po e dëgjojnë klithmën e tillë, po nuk po e bëjnë fare hesap, sepse Kosova sipas llogarive të tyre do të ekzistojë vetëm për ta dhe jo për të tjerët…
Është me të vërtetë gjë e pikëllueshme dhe e dëmshme për këtë shtet të krijosh terroristë artificial dhe pastaj ti persekutosh ata si real.

IV.
Nuk janë vendimet gjyqësore ato që e përdhosin të vërtetën (se ato s’i beson kush), por mekanizmat e padukshëm të manipulimit me opinionin dhe me persona të ndryshëm kritikë. Do të duhej debati e jo burgu, denigrimi e vrasja ta valorizojë dhe begatojë demokracinë. Këtë e vërteton 2500 vjet të historisë së demokracisë. Burgu nuk është vend për zhvillimin e bindjeve politike, aty zhvillohet sulmi dhe mbrojtja, shteti sulmon dhe individi mbrohet. Burgu s’është as hotel apo villë pushimi, por është vend i vuajtjes, i çelikut, betonit dhe hekurit. Dhuna e pushtetit nuk është punë njeriu, as punë njerëzish, është punë e një politike të tërë, e një aparati shtetëror. Prej Isa Mustafës që me 25 gusht 2016 sulmin në kuvend e njejtëson me hedhjen e gazit lotësjellës, deri te Kadri Veseli që na ftoi të mos bëjmë vetëvrasje. Llahtaria e intevenimeve policore të viteve të fundit (të gjithëve na kujtohet sot 1 vjet, 28 nëntori 2015), traumatizimi i familjeve tregon që policia u depersonalizua, u shëndrrua në pushtet. Vdekja e dhunshme e një qytetari, një aktivisti politik dikujt mund ti duket e palogjikshme, por ajo e ka kuptimin e vet, kjo vdekje e vret shpresën kancerogjene të pushtetit për ngritjen nga varri të Zajednicës dhe vijëzimit të padrejtë të kufirit me Malin e Zi. Kurrë s’do të munden të injektojnë këto kancere përderisa të ketë qytetar si ky djali nga zemra e Kumanovës. Nuk mund të pajtohemi në asnjë mënyrë në reduktimin e qenieve njerëzore në makina të pandjeshme, të ftohta, indiferente. Privatësia e familjes është e nevojshme për këtë qëllim, nëse ky shekull nuk do ta bëjë këtë, ai nuk do të jetë i vlefshëm për tu jetuar. Harold Lasuelli, profesor nga Unversiteti i Çikagos në librin e tij ‘Psikopatologjia dhe politika’ argumenton sesi njeriut për tu marrë me politikë i duhet që motivet e veta personale me anë të procesit të racionalizimit shoqëror ti shëndrrojë në interesa të pranueshme nga të gjithë.

V.
Përse na duhen burgosjet, rrahjet, vrasjet e të rinjëve ?! Në vend që ta ndërtojmë shtetin a duhet që me kufoma të shënojmë këtë të sotme mizerabël, apo duhet Evropa të mendojë për ne si për një shoqëri primitive, farefisnore, të prirur për dhunë, dhunime, vrasje, kanibalizëm dhe terrorizëm. A thua sa njerëz të ndershëm kreativ të kësaj shoqërie nuk duan të merren me politikë sepse nuk mund të ballafaqohen me problemet e paartikuluara mirë ne vetëdijen e tyre. Pse tërë jo mjegull, ndoshta për ujqit ? Mendja duhet të ecë në drejtim të fisnikërimit, lartësimit shpirtëror e kreativitetit dhe jo të zbresë në nivelin e bishave, duhet të ngritet në nivelin e njeriut. Ky popull ka përjetuar mjaft trauma që ia shkaktuan të tjerët, është koha që të mos i durojë as të vetat. Vdekjet janë tragjike sepse na përkujtojnë kohësinë e jetës. Për këtë arsye indiferenca e institucioneve vitale të shtetit ndaj jetës njerëzore nuk mund të jetë substancë e asnjë lloj politike e asnjë perspektive. Nënat shqiptare nuk e durojnë dot vdekjen, mirëpo ajo po del të jetë mysafire e shpeshtë në trojet tona. Nënat dhe Vdekjet urrehen të shqiptarët më shumë se kudo në botë, ngase nga to rëndom kishin pësuar nënat. Ato pësojnë kudo, por tek shqiptarët kjo është e veqantë. Vdekja e Astritit erdhi hijerëndë, e pazbërthyeshme, e pazakonshme, ireale, e madhe, por e ftohtë. Themeli i qëndresës shqiptare është përbuzja e rendit të panatyrshëm të gjërave, përmbysja e koordinatave që e lëndojnë ndjenjën e tyre estetike mbi natyrën dhe mbi botën; gatishmëria që të dëshmonin se në mendjen e tyre kolektive asnjëherë nuk kishte pasur as despotizëm aziatik as cinizëm të perëndimit do të thoshtë Ukshin Hoti. Nëse demokracia reduktohet në mekanizëm për ruajtjen e privilegjeve e jo në begatimin e jetës shoqërore e politike, atëherë ky lloj i demokracisë nuk na duhet. Nuk egziston asnjë arsye me peshë që të mos fitohet kjo luftë politike, ndoshta ndonjë betejë do të humbet, por lufta patjetër do të fitohet – shqiptarët do të unisohen edhe administrativisht sepse janë të unisuar historikisht, shpirtërisht dhe ekonomikisht. Kurrë nuk do të pajtohemi me rrënimin e jetës, madje edhe nëse jemi të shtrënguar ta humbim atë. S’mund të ketë dilema për përcaktimet kapitale, për demokraci, për shtet të së drejtës, për shtet zhvillimor, për shtet social. Po na bëhet burgim ilegal për shkak të aktiviteteve legale. Për veprën politike presim dënim politik me votën e popullit, por asesi dënim penal nga regjimi. Si gjithëherë nuk do të kemi konsiderata ndaj pengesave të mundshme nëse do të paraqiten sepse do të udhëhiqemi nga mendimi se për atë që ka dobi një shoqëri e tërë ia vlen të rrezikohet komfori individual, po edhe jeta. Është rrezikuar konformiteti i një shoqërie të tërë dhe do të ishte absurde të pohonim se nuk është ashtu se nuk po ngjet asgjë. Nëse pajtohemi me një Hegel, do të bindeshim që pranimi mental i mangësive të realitetit të dhënë objektiv shkakton shqetësim, veprimet e qytetarit politik duhet të jenë në funksion të avancimit të çështjeve dhe shkatërrimit të pengesave shoqërore. Është me rëndësi të konstatojmë që realiteti i dhënë i Kosovës dhe i shqiptarëve është i mangët, nuk po arrin të harmonizojë dëshirën me mundësitë e vendit, realitetin me ëndrrën për barazi, zhvillim e mirëqenie.

Thelbi i të gjitha teorive politike perëndimore në instancën e fundit reduktohet si popull i organizuar në shtet/komb. Shteti ynë është i pa bërë, ta bëjmë shtetin. Le të shërbejë si monument ndërgjegjeje për secilin që pretendon të ketë ndërgjegjie kjo fjali e Ukshin Hotit:

Shqipërinë e pa bërë, bëje të bërë. BËJE OSE VDIS!
Urime dita e flamurit të Skënderbeut, Ismail Qemailit e Adem Jasharit!

Me dashuri, Atdheu/Lipjan
28/11/2016