Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka folur për zhvillimet aktuale në vend, ndërsa tha se Kosova vitin e ardhshëm do ta ketë Ushtrinë.

Hoxhaj në një intervistë për lajmi.net ka komentuar dialogun me Serbinë dhe politikën e kësaj të fundit karshi Kosovës, konferencën ndërkombëtare të propozuar nga Daçiqi dhe mënyrën se si duhet të veprojë qeveria e Kosovës ndaj këtyre veprimeve të Serbisë.

Hoxhaj ka folur edhe për Demarkacionin si një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave, ku bëri të ditur se Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të besojë në versionin aktual të demarkimit të kufirit.

Ish-ministri i Jashtëm u deklarua edhe për krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ku theksoi se deri më tani në Qeverinë e Kosovës nuk është diskutuar për një gjë të tillë.

Kurse sa i përket Ushtrisë, Hoxhaj deklaroi se duhet një unitet në spektrin politik në mënyrë që të binden serbët për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, në vitin e ardhshëm Kosova do ta ketë ushtrinë e vet.

Nënkryetari i PDK-së komentoi edhe pritshmëritë e partisë para balotazhit të 19 nëntorit, ku u shpreh i bindur se PDK-ja do të fitojë në të gjitha komunat ku është në balotazh.