Nga Nysret Krasniqi

Ibrahim Rugova e nisi veprimin politik si refuzim ndaj pushtetit serb duke dalë hapur kundër strategjive negative, të cilat, mbi bazë të mizorive historike ndaj shqiptarëve, po projektoheshin për të vazhduar mbi shqiptarët në Kosovë në një kohë të re, por me neuroza mesjetare.

Ibrahim Rugova po bëhej kryetar i LDK-së plotësisht i vetëdijshëm për udhën që e priste, prandaj janë hileqarë e zemërngushtë ata që mendojnë se njeriu që njihte kulturën identitare të Kosovës dhe mallin e saj për liri, po kapërcente rastësisht nga krizat kulturore në krizën politike.

Ibrahim Rugova po artikulohej si zani ma kumbues në kohën e frikës së përgjithshme nga hegjemonia serbe dhe po kërkonte liri e pavarësi për Kosovën, pa mbështetje në ideologemat e dyshimta, por me besim në Zotin, Njeriun e Kosovës dhe në humanitetin e miqve ndërkombëtarë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ibrahim Rugova nuk u bë i pari duke shkelur e vrarë bashkëpunëtorët e vet, por u bë i tillë duke qenë tashmë individualitet i pakontestuar dhe ndoshta i vetmi njeri i besueshëm në kauzën e tij. Primus inter pares – ishte koncepti i tij dhe si primus, Ibrahim Rugova simbolizoi e fuqizoi shpresën, ëndrrën dhe trimërinë e shqiptarëve.

Shpresa që solli Ibrahim Rugova kishte efekt psikologjik në hapësirën shqiptare se ky vend ka Zot. Përveç kësaj, shpresa për mbijetesë u jetësua nga idetë për ta mbajtur gjallë jetën shqiptare edhe në valën e tmerrit barbar serb. Shpresa se më nuk do të kërkohet ndihmë nga Tirana zyrtare apo nga Beogradi zyrtar, por do të kërkohet ndihmë e do të lidhen miqësi me vendet evro-perëndimore, të cilat po e shihnin Ibrahim Rugovën si njeriun e duhur për ta pritur në dyert e mëdha të tyre. Shpresën se Ibrahim Rugova tashmë kishte sfiduar kurthin e politikës serbe për kryengritje e luftë të shqiptarëve që ta krijonte shkasin për një plojë masive ndaj tyre deri në zhbërje. Ibrahim Rugova po ngjallte shpresën për ndryshime dhe mundjen e frikës në Shqipëri dhe çlirimin e saj nga sistemi monist i tiranit të Tiranës dhe pasuesve të tij.

Ëndrra, e cila është forcë legjitime e çdo populli për ta avancuar kauzën e vet, u ringjall dhe u forcua me Ibrahim Rugovën. Ëndrra e parealizuar e brezave të tërë për liri, që nga ideali i Lidhjes së Prizrenit, po ngjallej e po forcohej përsëri. Kjo nuk ishte ëndërr hegjemonie apo intencë vrastare, por ishte thirrje për paqe, humanitet e liri të merituar, madje për respektimin e veçantisë së Kosovës në rrafshin identitar e politik-shtetformues. Vetminë historike të Kosovës, veçantinë e saj historike e artikuloi me vendimet e përgjithshme popullore të vitit 1991, referendumin për Pavarësinë e Kosovës, dhe me 1992, me zgjedhjet e para demokratike në Kosovë. I nderuar për vizionin dhe politikën e tij humaniste nga liderë të fuqive vendimmarrëse, por i çmuar edhe nga ata që nuk e donin, për kurajon dhe vendosmërinë në kauzën e tij, Ibrahim Rugova po shndërrohej në figurë të madhe të një populli të vogël dhe të okupuar. Dikush mund të habitet me rolin e tij, egon e tij apo dyshimin nëse politika është lutje apo veprim. Mirëpo, i vetëdijshëm se luftërat e kryengritjet historike shqiptare kishin shkaktuar më shumë humbje sesa fitore, Ibrahim Rugova sprovoi e provoi politikën e urtisë, nëpërmjet së cilës fitoi admirim global në botën e civilizuar, njohu botën me Kosovën dhe Kosovën e bëri pjesë të veçantive që i ka bota. Mbi parimin se politika e mirë ndërton paqe, ndërsa politika e keqe është luftë ëndrra politike e tij po ndiqte kursin e paqes. Ibrahim Rugova po i mbetej besnik strategjisë pozitive si opsion i kundërt e permanent ndaj strategjisë negative serbe, veprim ky që po e veshte figurën e tij me petkun e religjiozitetit nacional e politik.

Trimëria, koncept i njohur dhe i pranuar për shqiptarët, po forcohej dhe po ridimensionohej me Ibrahim Rugovën. Vendimi i tij për të sfiduar politikën e Beogradit në vitin 1988, pastaj vendimi i tij për t’i prirë LDK-së më 1989 kur u shuan zërat e tjerë dhe vijimësia e shpresës dhe ëndrrës për pavarësinë e Kosovës, organizimi i pavarur arsimor, shëndetësor, institucional etj., si dhe shkalla e lartë e ndërkombëtarizimit politik, ndikuan në shtimin dhe rikthimin e besimit dhe të trimërisë moderne të shqiptarëve në Kosovë. Dikush mund të habitet nga ky konstatim apo nga kjo ndërlidhje në dukje e panatyrshme për veprimtarinë politike të Ibrahim Rugovës. Strategjia pozitive humaniste e Ibrahim Rugovës nuk nënkuptonte se trimëria ka vetëm një formë: luftën. Thënë me metonimi, i djegur historikisht nga luftërat dhe i mbrujtur me konceptin humanist, Ibrahim Rugova nuk mund të bëhej komandant i guerileve dhe të nxiste shqiptarët, të cilët i kishte afër krahëve të tij, në luftë me Serbinë. Rugova e donte Kosovën me shqiptarë, me njerëz. Mirëpo, si çdo popull që trimërohet për liri, edhe shqiptarët e Kosovës organizuan rezistencën e tyre të armatosur. Por, ishte ideja dhe puna e Ibrahim Rugovës, veprimi i tij politik nacional e ndërkombëtar, refuzimi i tij historik ndaj okupacionit serb, vizioni i tij humanist e përparimtar, shkurt ideja e tij për Pavarësinë e Kosovës që e diktoi edhe trimërinë shqiptare, e cila u artikulua me luftën për Pavarësinë e Kosovës.

Liria dhe demokracia e projektuar e Ibrahim Rugovës po vinte më 1999 me shumë sakrifica e dhembje, me mbi 13 mijë të vrarë e përplot shkatërrime, si kurorë e brezave të tërë të Kosovës, por e nisur si ide e artikuluar hapur në vitin 1989. Mbas këtij viti, mbas lirisë, ishte totalisht e motivueshme kërkesa e Ibrahim Rugovës, ikonës politike shqiptare, për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës. Ai e pa Kosovën e pavarur!

I vetëdijshëm se çdo konsolidim shoqëror drejt arritjes së njësisë shtëtërore duhet ta forcojë etno-simbolizmin dhe ta ndërtojë semiotikën e ikonës së vet, Ibrahim Rugova punoi hatashëm në identifikimin, lansimin dhe etablimin e shenjave të Kosovës. Lidhja me Dardaninë antike, lidhja me figurat kulturore të Kosovës, lidhja me trashëgiminë shpirtërore të njeriut të Kosovës u pa si domosdo që nga to, pa asnjë fabrikim, të burojnë shenjat identifikuese e dalluese të shtetit të ri që po formohej. Propozoi e jetësoi çmime ikonike, propozoi e jetësoi Darkën e lamës, propozoi e jetësoi dhuratën nga Kosova, Gurin e kristaltë të saj, propozoi e jetësoi edhe Himnin dhe Flamurin e Kosovës. Mirëpo, siç ndodh shpesh ndër shqiptarë, idetë e reja shihen si përçmin i shenjave të vjetra, qoftë edhe kur të rejat janë rrjedhim i nevojës dhe situatës së re madje edhe kur bartin trashëgiminë e së kaluarës nacionale. Moskuptimi i tillë bëri që shenjat e Rugovës të anashkalohen dhe disa prej tyre edhe të mohohen për të përfunduar nga shenjat-ikonat e motivuara në shenjat funksionale-arbitrare. E ardhmja do të gjykojë për veprimet e së kaluarës, por Rugova totalitetin nacional e shihte si shumë të shenjave të pjesëve të tij, një modernitet i menduar me fisnikëri.

Ibrahim Rugova, pas shkuarjes së tij më 21 janar 2006, tashmë i përket trashëgimisë së Kosovës, për t’u shndërruar në ikonë të saj. Me që nuk erdhi si lider i dalë nga mizoritë, as nga ideologjitë dhe qëndroi Njeri i cili nuk e ushtroi pushtetin e gjuhës për të motivuar vdekjet, për figurën e tij do të shkruhet gjithmonë dhe tekstet e mbledhura në librin Kujtesa e Rugovës janë një shenjë e vogël për veprën e madhe të tij. Kjo shënjë e vogël, pra ky libër, përmban tri shtylla themelore: tekstet e miqësisë, tekstet e studimeve dhe tekstet e ideve, të cilat lidhen njëra me tjetrën për ta parë në momentet e sotme ikonën Ibrahim Rugova. Studimet e Sabri Hamitit, Dom Lush Gjergjit, Kujtim Shalës, Halil Matoshit, Femi Cakollit etj., hedhin dritë të fuqishme për figurën e presidentit Rugova.

Sepse, Ibrahim Rugova dëshmoi se etiketat e doktrinave politike nuk janë shpeshherë të përshtatshme për shenjimin e filozofive politike. Politika si veprim për të mirën njerëzore u dëshmua edhe në hapësirën shqiptare si mundësi e përbashkimit të peshës historike, urtisë tradicionale, kulturalitetit të librit, politikave të miqësisë, humanitetit e religjiozitetit modern për ta ruajtur qenien njerëzore. Kjo është një avancim historik i mendimit dhe veprimit shqiptar, i cili pati sukses e dha fryte të cilat duhet të shtohen dhe të kultivohen në vijimësinë e forcimit shtetëror të Kosovës. Ky forcim shtetëror duhet të vijojë pa kompleksin e orientimit izolacionist, konservativist apo utopiko-marksist. Të rikujtojmë prapë Rugovën duke thënë se Kosovës nuk i duhen aspak strategjitë negative, të cilat, fatkeqësisht, tashmë brenda nesh, po duken dhe kanë tendencë për rritje. Pra, ky libër është edhe një thirrje për më shumë humanitet, i cili është shumë i nevojshëm në udhën tonë nacionale./Gazeta Observer