“Nëse s’e përdorni kremin pudër dy ditë në javë, të njëpasnjëshme ose jo, do të keni një lëkurë më të shëndetshme dhe më të re në më pak se një muaj!”

Dieta 5 me 2, e cila konsiston në reduktimin me 500 kalori në ditë vetëm dy ditë në javë dhe marrjen e çdo ushqimi që ju pëlqen pesë ditët e tjera, është cilësuar si dieta më popullore për të rënë nga pesha.

Sot, dermatologët mendojnë se kjo dietë mund të aplikohet edhe për kujdesin ndaj lëkurës për sa i përket kryesisht kremit pudër. Numri i femrave që përdorin krem pudër është rritur shumë, sikurse edhe pasojat nga përdorimi i tepruar i tij. Nga një studim i
kryer në Mbretërinë e Bashkuar, 2/3 e femrave përdorin krem pudër shtatë ditët e javës dhe ¾ prej këtyre vuajnë nga shfaqja e elementeve akneike. Më keq akoma, disa pranojnë që flenë pa e hequr kremin pudër.

Për fat të keq, e gjithë kjo e ka një kosto – prishja e ekuilibrave në lëkurë, si dhe plakja e parakohshme e saj. Edhe në vendin tonë femrat e përdorin në masë kremin pudër dhe numri i përdorueseve rritet çdo ditë e më shumë. Problematikë përbën edhe fakti që kremin pudër e përdorin pothuajse përditë. Shpesh femrat nuk përzgjedhin atë që u përshtatet lëkurës së tyre dhe as nuk vendosin një bazë para aplikimit. Listës së problemeve që shkaktohen prej tij i shtohet edhe përdorimi i rregullt nga vajzat adoleshente.

Këto çështje kthehen në objekt të vazhdueshëm debate midis mjekut dermatolog dhe femrave që e përdorin atë. Dieta 5 me 2 për përdorimin e kremit pudër është një pikë që bën bashkë mjeket dermatologe. Në fakt, kujdesi për një lëkurë më të mirë të pacientit tim nis “poshtë kremit pudër”. Kjo është një temë që meriton vëmendje të veçantë dhe përfshin shumë elementë individualë. Përdorimi i tepruar i kremit pudër (i referohem këtu përdorimit të përditshëm, shtatë ditë në javë) përshpejton procesin e plakjes së lëkurës, duke dëmtuar kështu kolagjenin dhe elastinën, që janë dy proteinat bazë të dermës.

Ndaj, nëse nuk përdorni të paktën dy ditë në javë krem pudër, rigjenerimi i qelizave të lëkurës do të kryhet me një ritëm më të shpejtë. Formimi më i shpejtë i qelizave të reja redukton riskun e formimit të rrudhave të reja apo thellimin e atyre ekzistuese, duke ju dhënë një pamje më rinore.

Ndonëse vetëm për një pjesë të vogël të femrave kjo mund të jetë e vështirë për t’u arritur, mendoj se pjesa më e madhe e ka të lehtë të “mbajë” një dietë të tillë.
Kremi pudër mund të bllokojë gjëndrat e yndyrës dhe për pasojë të zgjerojë poret. Ndaj, edhe në këtë pikë ndërprerja e përdorimit të tij dy ditë në javë i jep kohë lëkurës të rigjenerohet dhe të reduktojë irritimin që shkakton përdorimi i përditshëm e i pandërprerë i tij për një kohë të gjatë.

Kremi pudër, ndër të tjera, përmban molekula aromatizuese (fragrance), konservuese (preservatives) dhe përbërës të tjerë kimikë (theksoj metalet e rënda), të cilat e bëjnë më të ndjeshme lëkurën, duke shkaktuar edhe reaksione të mirëfillta alergjike dhe irritim të saj. Dua të theksoj se, për të qenë më të sigurt në aspektin mjekësor-dermatologjik të përdorimit të kremit pudër, do t’ju rekomandoja të zgjidhnit atë farmaceutik.