Rreth tetë muaj pasi kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Agron Mustafa njoftoi se ka shpëtuar nga falimentimi kompaninë që ai drejton, Prokuroria Speciale e Kosovës është duke hetuar lidhur me marrëveshjen PTK- Z Mobile dhe rrethanat që i paraprinë kësaj marrëveshjeje.

Ditë më parë KALLXO.com mëson se pjesë e hetimit është edhe vetë Agron Mustafa, dhe dy persona të tjerë që janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës behët fjalë për ish-kryeshefin e kësaj kompania Ejup Qerimin, si dhe kryetarin e bordit të Telekomit të Kosovës Rexhe Gjonbalaj. Hetimi është ngritur pasi Njësia e Krimeve Ekonomike të policisë ka ngritur një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale.

Në të njëjtin kallëzim, sipas këtyre burimeve, nuk ka të përfshirë zytarë apo pronarë të kompanisë Z Mobile. Pas ngritjes së kallëzimit penal, hetimi për këtë rast i është besuar prokurorit special Abdurrahim Islami. Ky i fundit ka konfirmuar hetimet ndaj Mustafës dhe të tjerëve.

“Po, mund të konfirmoj se po hetohen tre persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa aktvendimi për nisjen e hetimeve është nxjerrë më datën 21 dhjetor të këtij viti”, tha Islami për KALLXO.com. I kontaktuar kryshefi ekzekutiv i Telekomit Agron Mustafa është shprehur i habitur me këto veprime të policisë. “Ëoë!…Mua për Z Mobile?!…Habi e madhe. Kontrata është nënshkrua me 2008, unë kam fillu punën në Telekom në fund te muajit shkurt 2015, ndërsa kërkesa për fillimin e procedurës së Arbitrazhit ka filluar në fillim të muajit prill 2015”, tha Mustafa.

 

Mirëpo, burime brenda Prokurorisë thonë se kryeshefi aktual, ai i kaluari si dhe kryetari i bordit të Telekomit po hetohen rreth marrëveshjes që kanë bërë me kompaninë “Z-Mobile”, ku kjo e fundit ka deklaruar se ka hequr dorë nga 32 milionë euro të cilat është dashur t’i paguaj Telekomi i Kosovës pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit.

“Z-Mobile ka hequr dorë nga marrja e 32 milionë euro në këmbim të kësaj kompania t’i jepen edhe 100 mijë numra shtesë duke arritur tash në 300 mijë numra, po ashtu për 300 mijë klientë të ‘Z-Mobile’ Telekomi i Kosovës duhet t’i ofroj shërbime 3G dhe 4G, të cilat më parë nuk i kishte. Po ashtu, me këtë marrëveshje kontrata këtij operatorit virtual i vazhdohet në heshtje edhe për 6 vite tjera, deri ajo në vitin 2019 është dashur të rinegociohej”, ka bërë të ditur burimi brenda Prokurorisë.

Më tutje burimi ka bërë të ditur se operatori virtual “Z-Mobile” nuk ka paguar rreth 9 milionë euro që janë shpenzimet e Telekomit të Kosovës që kjo e fundit i paguan Monaco Telekomit për numrat që i ka në shfrytëzim ky operator virtual. “’Z-Mobile’ heq dorë nga marrja e 32 milionë eurove, por kjo përfiton shumë më shumë. Andaj kjo marrëveshje rrezikon seriozisht kompaninë publike Telekomin e Kosovës”, ka bërë të ditur burimi i besueshëm brenda Prokurorisë.