Bashkimi Evropian ka kërkuar nga 43 deputetët nënshkrues që të tërhiqet iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Në reagimin që zyra në Prishtinë ua ka përcjellë deputetëve thuhet se iniciativa, që ende është në pritje pranë Kuvendit të Kosovës, paraqet një shqetësim serioz për BE-në dhe vendet e saj anëtare, raporton KTV.

“Çdo tentim për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara e dëmton seriozisht një arritje të tillë dhe do të rrezikojë punën e përbashkët BE-Kosovë në sundimin e ligjit në vitet e fundit. Kjo do të ndikonte negativisht në raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian”.

BE-ja ka vlerësuar deklaratat e fundit të liderëve politikë, mediave dhe shoqërisë civile, që kanë ngritur zërin kundër një iniciative të tillë të dëmshme.

Ndërkohë, zv.kryeministri dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, ka treguar se gjatë takimit të djeshëm me përfaqësues nga Gjermania e Franca, u ka thënë atyre se serbët dhe Lista Serbe janë kundër përpjekjeve për zhbërje të Gjykatës Speciale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Jevtiq, me emisarët nga BE-ja, ka folur edhe për zhvillimet në Kosovë dhe ka theksuar se duhet të vazhdojë dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Sipas komunikatës, Jevtiq zyrtarët evropianë i ka njoftuar edhe me “problemet e popullit joshumicë” në Kosovë.

Ndërkohë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është shprehur kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale për Kosovën.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk e komenton iniciativën e deputetëve për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, pasi që sipas tij, kjo u takon vetëm deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se punon me ligjet aktuale që janë në fuqi, pra edhe me ato ndryshimet kushtetuese që janë bërë kur është miratuar Ligji për Gjykatën Speciale në gusht të vitit 2015.