Petrit Çarkaxhiun e kam takuar disa herë gjatë gjashtë muajve të shkuar. Hera e parë ishte krejtësisht e rastësishme, kur ai po vizitonte Prizrenin gjatë Dokufestit, festivalit të filmit të shkurtë dhe dokumentar. U mahnita kur mora vesh se Petriti me të cilin po shtrëngoja duart ishte mu vokalisti i Jericho-s muzikën e të cilëve kisha kaluar orë të tëra duke dëgjuar tek udhëtoja subwayit numër 7 përmbi shinave të ngritura mbi rrugët e Queens-it. Duke belbëzuar fjalët e “Tomlit të Nonës”, dhe duke përzier mendime ekzistenciale me të dëgjuar “Perëndim a Lindje? Si dele në pazar po t’thonë mes dy qytetërimeve”, shikoja zbraztësisht horizontin e New Yorkut sikur të ishte ndonjë skëterrë e pakuptimshmërisë.

Jericho-n e kam dëgjuar live për herë të parë gjatë një koncerti bamirës, edhe kësaj here në Prizren. Pak përpara shfaqjes, shikoja se si Çarkaxhiu dhe bendi kaluan dy orë duke bërë kontrollin e zërimit, përkundër pakënaqësisë dhe iritimit të audio-teknikut të Lumbardhit. Përkundër akustikës së dobët të skenës, Çarkaxhiut iu shpagua kujdesi ndaj detajeve dhe salla e ngushtë e kinemasë saora u mbush me njerëz që së bashku këndonin fjalët e “Tomlit të Nonës”, “Shkabës”, dhe “Zgjohut”.

Ky vit shënon përvjetorin e njëzetë të Jericho-s. Përpos Çarkaxhiut, i cili është vokalist, tekstshkrues dhe kitarist, formacioni i tanishëm i bendit përmban Visar Rexhën në bateri, Suad Jaminin në bas kitarë, dhe Leonard Canhasin në solo kitarë. Për koncertet e tyre live, bendi gjithashtu angazhon instrumentalistë që luajnë surle, daulle, çifteli, dhe instrumente tjera folklorike, tingujt e të cilëve Jericho i ndërthur në shumë prej këngëve të tyre.

Që nga zanafilla e tyre në 1997, në këngët e tyre Jericho vazhdimisht është marrë me çështje sociale të Kosovës — shpeshherë me tekste që kanë ngjyrime nacionaliste. Tematika e muzikës së tyre ka evoluuar që nga rezistenca kundër regjimit të Millosheviqit në Kosovë, te të të qenit të zëshëm me kritika anti-imperialiste kundër administrimit të Kombeve të Bashkuara, e deri te rebelimi ndaj strukturave drejtuese të shtetit të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.

Këngët e tyre gjithmonë ndoqën zhvillimet historike të Kosovës. Por një gjë gjithmonë mbeti e njëjtë me Jericho-n: shpirti i revoltës.

Një geto përplot me armiq të popullit

Për ta kuptuar muzikën e Jericho-s, duhet t’i kuptojmë kushtet në të cilat ky grup kishte lindur.

Kosovës iu hoq me forcë autonomia në vitin 1989, dhe regjimi i Millosheviqit e shpërbëu Kuvendin e Kosovës më 1990. Këto ngjarje ngjallën protesta dhe demonstrata të gjera, gjë që, faktikisht, çoi në krijimin e një shteti policor. Shqiptarët u larguan masivisht nga puna në sektorin publik, dhe pa pasur ndonjë mbështetje tjetër ata u organizuan në institucione paralele nëpër shtëpi dhe ndërtesa private për të siguruar arsim dhe shërbime shëndetësore.

Në vitin 1997, Çarkaxhiu ishte student i vitit të dytë të arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, duke i ndjekur ligjëratat nëpër shtëpi private në lagjen Dragodan të Prishtinës.

“Ne, (si rini e asaj kohe),” tha Çarkaxhiu, “sendin kryesor që e kemi pasë gjatë ditës, u kanë (me pi cigare), me shku me u ulë te KEK-u, nën një plep. Aty rrishim dhe veç i kqyrshim lëvizjet e kerreve … Na u kënaqshim me atë ritual ditor.” Nën këto kushte lindi edhe kënga “This is my home” (Kjo është shtëpia ime). Ishte një nga këngët e para të Jericho-s, me pothuajse fare pak tekst përveç përsëritjes së vargjeve në anglisht “This is where I’m staying. This is where I’m living. This is where I’m dying. This is my home” (“Këtu është ku unë rri/ Këtu është ku unë jetoj/ Këtu është ku po vdes/ Këtu është shtëpia ime”), që e pasqyronte realitetin që anëtarët e bendit e jetonin për çdo ditë.

Kënga pasqyron ndjenjën e ngecjes shoqërore, mungesën e një perspektive për rininë, dhe monotoninë ditore të shkaktuar nga kushtet e krijuara nga aparteidi ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Kjo ka qenë ajo koha kur dilshin të rinjtë dhe emigrojshin,” tha Çarkaxhiu. “(Dhe kjo këngë) ka qene si reagim ndaj emigrimit.”

Në të njëjtën mënyrë, temat e pakënaqësisë shoqërore, margjinalizimit të rinisë shqiptare, dhe emigracionit më së miri u shprehën në tekstin plot zemërim të “Don’t Fuck with Albanians”.

Kënga fillon me një tregim të një personi të mbetur jetim gjatë “kohës së Rankoviqit” — siç i referohen shqiptarët periudhës së persekutimeve gjatë viteve ‘50 dhe ‘60 në Kosovë të udhëhequra nga Aleksandar Rankoviq, ish ministri i brendshëm dhe më vonë zëvendëskryetari i Jugosllavisë.

“I grew up in the streets, full of sadness and pain” (“U rrita në rrugë, përplot dhimbje dhe pikëllim”), protagonisti i këngës dëfton në anglisht. Tregimi pastaj zhvendoset në vitet ‘90, në Kosovën përsëri të shndërruar në shtet policor, ku protagonisti bëhet dëshmitar se si një polic serb rrah një të ri. Ky është momenti kur protagonistit i bie kresë. “I pulled out the gun and shot the motherfucker down dead” (“E nxorra revolven, dhe ja q*** nonën plumb”), thotë në anglisht.

“Kjo është (tregim i trilluar)”, tha Çarkaxhiu. “Por kjo është send shumë normal që ka ndodhë te ne. Ka qenë (realitet i përditshëm). Na kena ndi’ kësi raste; kena qenë dëshmitarë të dhunës ndaj fëmijëve, ndaj të rriturve”.

Në pjesën e dytë të këngës, protagonisti e gjen veten në ekzil në një nga shtetet e Europës, i shndërruar në “Snow Man”, në Dordolec i cili u shet drogë europianëve të pasur. “Përse e bëj këtë punë, më pyesni,” thotë në anglisht, “Përse nuk vini e ta provoni realitetin tim. Jeni të lindur të lirë, nuk jeni refugjatë.” Kënga pastaj vazhdon me vargun më blasfemues ndërsa protagonisti ynë shanë “F*** you Europe”, dhe e pyet veten përse ajo duhet të vendosë për fatin e tij dhe të shtetit të tij të robëruar.

Tekstet e këngëve — të gjitha të kënduara në anglisht gjatë kësaj periudhe — gjithashtu pasqyrojnë se si asokohe njerëzit ishin të ngopur me status kuonë e rezistencës paqësore dhe si pakënaqësia e tyre kishte filluar të shndërrohet në një rezistencë të armatosur. Asokohe, Astrit Salihu kishte shkruar për ‘Zërin Javor’ një nga recensionet e para mbi Jericho Walls — siç njihej bendi për një periudhë të shkurtër — dhe i quajti “Krahu muzikor i UÇK-së.”

Për Çarkaxhiun, getoizimi i Shqiptarëve ngjante me shtypjen e Afrikano-Amerikanëve, siç paraqitej në këngët e Public Enemy, të cilët asokohe ishin një nga ndikimet kryesore të Jericho-s.

“(Na kanë tërhjek) bende që në të njëjtën kohë kanë trajtu tema shumë politike dhe sociale. Për shembull, Public Enemy kanë qenë të njohur për ngritjen e çështjes së Afrikano-Amerikanëve, si për shembull kënga ‘Shut em down’ … (Posaçërisht) na ka tërhjekë ai kombinimi i hip-hopit me rock ose me hard core,” tha Çarkaxhiu.

“Një i ri shqiptar ka qenë… i përjashtum (komplet) prej çdo institucioni dhe nuk ke pas kurrfarë aktiviteti tjetër me të cilin ke mujt me u marr. Eventualisht ke lujt para mahallës me top. Dhe me ba muzikë.”

Nga Bodrumi, thirrje rebelimi

Dhe këtë edhe e bënë. Bënë muzikë.

Bendi lindi në një garazhë në lagjen Dardania, ku Çarkaxhiu dhe shoku i tij i ngushtë nga shkolla e mesme, Donat Kaçi, bënin provat e tyre muzikore. Brenda, muret e verdha ishin të stolisura me vegla të ndryshme. Dera ishte nga llamarina ndërsa dyshemeja nga betoni. Përpara garazhës gjendej koshi i basketbollit ku herë-pas-here shqiptarët dhe serbët luanin së bashku — pamje gjithnjë e më e rrallë gjatë atyre kohëve të veçimit dhe segregacionit.

“Shkëmbimet e para të ideve në muzikë i kemi pas me Donatin”, tha Çarkaxhiu. “Bendet e njëjta i kemi dëgju, (i kemi pas) influencat e njëjta.” Përveç Public Enemy dhe Anthrax, Jericho gjithashtu është ndikuar prej bendeve si Beastie Boys, Rage Against the Machine, Nine Inch Nails, dhe Biohazard. Më vonë ata gjithashtu u ndikuan nga skena grudge e Seattle-it, tha Çarkaxhiu.

Kur garazha filloi të bëhej më e ftohtë për t’ua pamundësuar gishtave të shkathtë të tërheqin telat e kitarës apo t’i bien daulleve, Jericho u zhvendos në bodrumin e shtëpisë së Çarkaxhiut.

Video klipi për këngën “Destiny” u incizua mu në këtë bodrum. Ndërsa bendi bën muzikë, mund të shihet një varg hudhrash mbi radiator. Kavanozat me ajvar dhe reçel të radhitura për muri. Daullet. Një palë çizmesh të vjetra pranë skive.

Përveç instrumenteve të tyre muzikore, në studion e bodrumit të tyre Jericho gjithashtu përdorte procesor të efekteve zanore, një turntable për pllaka gramafoni që e kishin huazuar nga një shok i tyre i cili jetonte në Zvicër, dhe një Moog sintisajzer. Të gjitha këto që ja mundësonin bendit eksperimentimin me efekte zanore si delay, echo, pitch shifter, si dhe të përdornin e mostrave muzikore për të krijuar një sfond atmosferik në këngët e tyre. Kjo u dha një ndjenjë psikodelike disa prej këngëve të tyre të hershme.

“‘This is My Home’ është një kësi lloj kënge, e cila backgroundin e ka pas elektronik, mirëpo mbi të cilën bendi ka performu me (instrumente)”, tha Çarkaxhiu.

Në fakt interpretimi i kësaj kënge ishte edhe premiera e parë mediatike e Jericho-s në programin e Vitit të Ri 1998 në Radio Televizionin e Prishtinës, i cili asokohe drejtohej nga ekzili si pjesë e institucioneve paralele të Kosovës dhe kishte një hapësirë dy orëshe në Radio Televizionin Shqiptar, RTSH.

Por, deri atëherë Jericho veç e kishte pasur performansën e tyre të parë live në prill të vitit 1997, e cila ishte organizuar si pjesë e lëvizjes artistike të post-pesimistëve në klubin Casablanca — një nga të paktat, mbase edhe e vetmja diskotekë e shqiptarëve asokohe — që gjendej në Boro-Ramiz, tani të njohur si Pallati i Rinisë.

Radhitja e këngëve që Jericho interpretoi në atë koncertin e parë duken si parulla lufte dhe rebelimi — “This is my Home”, “Don’t Fuck with Albanians”, “Destiny”, “Stop the Violence”, “Fight for Freedom” (“Kjo është shtëpia ime”, “Don’t Fuck with Albanians”, “Fati”, “Ndal dhunës”, “Lufta për liri”) — pothuajse një paralajmërim i ngjarjeve që pasuan atë vit në Kosovë.

“Ky ka qenë viti i thyerjes, në esencë, së rezistencës paqësore”, tha Çarkaxhiu. “Këtu janë paraqitjet e para publike të UÇK-së. Është viti, në të njëjtën kohë, kur u organizuan protestat (studentore) të një Tetorit”.

Lufta dhe rrjedhojat e saja (atmosferike)

Pas koncertit të tyre të parë në Casablanca dhe paraqitjes së tyre të parë televizive, Jericho vazhdoi të punojë drejt botimit të albumit të tyre të parë me një studio në Mitrovicë. Atyre u binte të udhëtonin me autobus dhe të kalonin nëpër postoblloqe të policisë. Shpesh, policia i urdhëronte të dilnin nga autobusi dhe t’i hapnin instrumentet muzikore nën dyshimin se mos kontrabandonin armë. Kur luftimet u rritën, bendit iu desh të pauzojë për një kohë të papërcaktuar produksionin e albumit të tyre të parë.

Në Gusht të vitit 1998, Çarkaxhiu filloi punë si përkthyes për medie të ndryshme ndërkombëtare. Përmes kësaj pune ai ishte dëshmitar i disa prej masakrave më të rënda të policisë dhe ushtrisë serbe kundër popullatës civile.

“Njëzet e katër veta, në Rogovë, (afër Prizrenit), të vramë, të masakrumë,” tha Çarkaxhiu. Pas luftës, kjo atmosferë e ankthit dhe traumës doli në sipërfaqe në shumë prej këngëve të Jericho-s. “Krejt (ato) përjetime janë ngulitë në mendjen time, në jetën time. Dhe kanë qenë gjithmonë aty si përkujtues (i atyre gjërave që kanë ndodhë)”.

Njëra nga këngët e frymëzuara nga kjo gjendje shpirtërore është “Kur do t’pushoj kjo kangë” e prodhuar në vitin 2005. Kënga paraqet pasojat dhe rrjedhojat e krimeve të luftës, dhimbjen e pafund të mallit për personat e pagjetur, vuajtjen e vazhdueshme dhe pa mbarim. Të bën të mendosh për fatet më të zeza se vdekja.

Kënga fillon me tinguj të butë dhe melankolik. “Sytë mu kan’ ronu; Zemër rri me mu”, lutet teksti i dhimbshëm. Video klipi është i thjeshtë. Bendi performon përpara ndërtesës së Parlamentit të Kosovës, në rrethojën e së cilës qëndrojnë të ngjitura fotografitë e personave të pagjetur, të gjitha të vyshkura dhe të zbehura nga koha. Ndërsa fillojnë elementet e muzikës tradicionale shqiptare — daullet dhe interpretimet e kitarës në imitim të çiftelisë — ritmi fillon e përshpejtohet dhe melankolia shndërrohet në tërbim. “Në vena gjaku i djallit po m’lëvizë; Duart i hapë, e muret po i grithë”.

Kënga është një ndryshim nga ndikimet e hershme rap-core të Jericho-s të cilat i këndonin në anglisht. Në fakt, pas luftës bendi këndoi në shqip dhe inkorporoni elemente folklorike shqiptare në tingujt e tyre.

“(Pas lufte ka qenë) një lloj presioni psikologjik për me e harru të kaluemen, dhe për njëfarë pajtimi me serbët” tha Çarkaxhiu, duke lënë të kuptohet se përpjekjet për pajtim, të shtyra nga bashkësia ndërkombëtare, mund të kishin qenë të parakohshme, ndërsa plagët e luftës ishin akoma të freskëta, sidomos për ata të cilëve u kanë vdekur anëtarët e familjes gjatë luftës, apo atyre që cilët akoma nuk e dinë fatin e saktë të të dashurve të tyre.

“Pritej prej nesh që shumë lehtë dhe shumë shpejtë me i harru krejt ato përjetime”, tha Çarkaxhiu. “Gjë e cila ka qenë shumë e padrejtë për një person i cili ka pa dhe e ka përjetu komplet atë terror. Është e pamundur që thjeshtë (të harrosh e të heqësh dorë)”. Dhe, ‘Kur do t’pushoj kjo kangë’ ishte mu pasqyrimi i kësaj atmosfere dhe ndjenje shpirtërore post-traumatike.

Liria e mbikëqyrur dhe pakënaqësitë e saj

Vitet 2000 — kur Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara — e gjetën Jericho-n të merrej me temat e pasojave të luftës dhe përvojave traumatike, sidoqoftë bendi gjithashtu vazhdoi të merrej me çështje sociale dhe politike.

“Kënga ‘Zgjohu’ vjen pikërisht prej asaj atmosferës së pas-luftës ku u vrajshin figurat politike, ose edhe njerëz që nuk punojshin për interesa personale, si rasti i vrasjes së arkitektit dhe urbanistit Rexhep Luci në Prishtinë”, tha Çarkaxhiu, duke iu referuar rastit të vrasjes së arkitektit i cili punonte në Komunën e Prishtinës dhe ishte përgjegjës për dhënien e lejeve të ndërtimit.

Në video klipin e “Zgjohu”, bendi performon me maska të bardha, ndërsa pamja e tyre e çuditshme i bënte shikuesit të ndihen parehatshëm. “Kush mbet’ gjakun pa ma shkelë? T’kujt janë kamtë që m’shkelim n’nderë?” pyet teksti i këngës përpara se i thirret njerëzit për t’u zgjuar.

“Në mënyrë të pavetëdijshme”, tha Çarkaxhiu, “(jemi përfshi në) një lloj rezistence kulturore ndaj atij presioni kulturor e social i cili iu imponu shoqërisë kosovare gjatë kësaj periudhe të tranzicionit — ku gjithçka tradicionale tentohej me u mohu dhe me u nënvlerësu.” Në “Tomlin e Nonës”, prodhuar në vitin 2005, akoma mund të dallohen mbetjet e fundit të ndikimeve të stilit rap-core. Sidoqoftë, kënga fillon me një melodi e interpretuar nga surlet, instrument frymor i folklorit shqiptar, duke u shoqëruar me ritme hip-hopi. Teksti është i inspiruar nga një poezi e Ali Podrimjes, një prej poetëve më të njohur kosovarë. “Perëndim a Lindje? Si dele në pazar po t’thonë ‘mes dy qytetërimeve’. Dy konop n’qafë t’vnumë; Dytë po t’ngrehin, e ti po qet shkumë”. Në njëfarë mënyre është këngë për një shoqëri e cila është duke kaluar nëpër krizë ekzistenciale dhe identiteti.

“Menjëherë mbas luftës, shoqëria kosovare u ballafaqu me një tranzicion shumë të egër”, tha Çarkaxhiu. “Në një shoqëri e cila thellësisht kishte vlera tradicionale, po kërkohej prej saj që menjëherë me i zëvendësu ato me vlera të një realiteti bashkëkohorë perëndimor.”

“Nuk është e drejtë, tendenca për me e mohu dhe për me u mundu me e paraqit si primitive,” tha Çarkaxhiu, tek i referohej mënyrës se si shihej nacionalizmi gjatë asaj periudhe. “Nëpërmjet të aktivitetit nacionalist (kemi arrit’) në gjendjen që me e gëzu mosprezencën e aparatit (represiv) të Serbisë në Kosovë.” Në fakt, shumë nga tekstet e këngëve të Jericho-s janë kritikuar se tingëllojnë nacionaliste.

Por ato gjithashtu shprehin motive të pakënaqshmërisë, që vazhduan të jenë të lidhura me muzikën e Jericho-s edhe pasi që Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Në mos, tani kritikat vetëm se u ashpërsuan nga nocioni i “pavarësisë së mbikëqyrur”. Tani, tekstet dhe meloditë e tyre filluan që akoma më shumë të bazoheshin në traditë popullore.

Kënga “Shkaba” shoqërohet nga daullet tradicionale dhe surlet, ndërsa interpretimet e kitarës imitojnë çiftelinë dhe sharkinë. Prodhuar në vitin 2010, teksti i këngës vajton humbjen e vlerave tradicionale. Në këngë, një të riut më nuk i bëjnë përshtypje tregimet me heronj; zëri i pleqve më nuk dëgjohet nëpër kuvende të fshatit. “Nji shejtan, ma t’mir’t e votrës na i ka vra”. Përdorimi i fjalëve të vjetra, shumë prej tyre me origjinë nga turqishtja, joshin dhe riafirmojnë vlerat patriarkale. Ato kujtojnë rapsoditë tradicionale shqiptare ku rapsodët i bien lahutave një-telëshe dhe u këndojnë trimave dhe të bëmave të tyre.

Ndërsa teksti i këngës vajton humbjen e vëllazërisë idilike mes shqiptarëve, të pandikuar nga ndikimi i “huaj”, madje edhe duke tingëlluar seksiste: “Oh, ky devër, o’, i fesatit n’mes vllaznisë; Gratë e huja dojnë me na i bo t’zot’ e sh’pisë”. Si një skenë nga ‘Iliada’ e Homerit, hapi përshpejtohet dhe kënga shndërrohet në një britmë lufte: “Ç’u n’kom’ se na erdh’ vakti. Sot flen’, o’, veç i ngrati. Vet’ jemi t’zot’ e k’tij vendi, o’ dora e hasmit. Ka kush i del vatanit.”

Është këngë për dhimbjet e rritjes, për një shtet të ri të cilit i mungon fuqia për të marr vendimet më vete, dhe është një përpjekje për t’i ndrequr zhgënjimet me një nga ilaçet që Jericho ia arriti t’i përvetësojë — nacionalizmin, për të cilin Çarkaxhiu mban ndjenja të ndërlikuara.

“Unë nuk e konsideroj veten nacionalist”, tha Çarkaxhiu, “thjesht, nuk besoj në nacionalizëm. Mirëpo për ne, në njëqind vjeçarin e fundit, (nacionalizmi) ka qenë i vetmi mjet përmes të cilit kemi arrit me shpëtu të gjallë — për me mbijetu.”

Zhgënjimet, dhe gjithë ndërlikimet e tyre

Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nuk solli një fund për problemet e shumta. Në mos, disa gjëra duket se u vështirësuan.

“Kanga Jonë“ erdhi në vitin 2011 drejtpërdrejt si rezultat i një zhgënjimi të madh me klasën politike në pushtet. Është një përpjekje për të rizgjuar ndjenjat e idealizmit dhe humanizmit për krijimin e një shoqërie të begatshme, sipas Çarkaxhiut. Edhe këtu, teksti i këngës përdorë imazhe patriakale dhe nacionaliste: një nënë e vjetër, e harruar nga koha, thërret djemtë e saj për t’u kthyer; një gjëmë e turpshme ka rënë mbi shtëpinë e tyre; kulla po u shkatërrohet gurë më gurë.

Kënga është e ndarë në dysh nga një video e incizuar gjatë luftës në Kosovë, ku një zotëri i vjetër e mban një fjalim rrëqethës pas një masakre të civilëve shqiptarë. “(Imazhi i plakut) është si një lloj përkujtuesi i asaj qysh e kemi gjetë na forcën me qenë solidarë në momente shumë të vështira”, tha Çarkaxhiu.

Video klipi i këngës më pas shoqërohet me pamje nga lufta në Kosovë, shtëpi të shkatërruara, eksodin e njerëzve, kampet e refugjatëve, protestat studentore, demonstratat e minatorëve — të gjitha sinjale vizuele që i përkujtojnë shqiptarët e Kosovës për përpjekjet dhe sfidat e ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar gjatë viteve. Dhe, për t’i kontribuuar kohezionit grupor, një mjet tjetër nacionalist përdoret në tekstin e këngës, i ashtuquajturi ‘grumbullim rreth flamurit’ — “Zemra për zemrën e tjetrit, të jetë për ne si flamur”.

Motivi i zhgënjimit çohet në nivel tjetër tek “Nëntor i Ftohtë“, që e kishte premierën gjatë njëqind vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Përpos publikimit të video klipit, Jericho gjithashtu performoi live në një koncert në sheshin përplot njerëz në Dibër të Maqedonisë. Kënga e përdorë idenë e kremtimit dhe e shndërron atë në një të pikëllimit.

“Kaluam një shekull në ecje, por prapë u rrëzuam… Kaluam një shekull mësim, e si asgjë s’mësuam?” Edhe pse përplot me imazhe nacionaliste, kënga është një kritikë e euforisë nacionaliste e cila asokohe kishte kapluar shqiptarët kudo. Festa të mëdha kishin shpërthyer qyteteve gjithandej Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, dhe Malit të Zi, e deri nëpër kryeqytetet europiane. Madje edhe Times Square në New York City u pat veshur me kuq e zi. Në videoklip, një grua në të zeza brenda një dhome të thatë rendit me kujdes vazot e luleve, mbase çdonjëra duke përfaqësuar një nga shtetet ku jetojnë shqiptarët.

Për Çarkaxhiun, jubileu nuk ishte diçka që duhej festuar: për te viti 1912 konsiderohet si fillimi i një periudhe shumë të vështirë për shqiptarët, shumë nga të cilët e gjetën veten të jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe u ballafaquan me probleme që nga migrimet masive e deri tek vështirësitë për shtetformim.

Nga fundi i këngës, në një moment çmendurie e zemërimi, sikur të ishte pushtuar nga Furitë, gruaja në të zeza i thyen vazot e luleve. “Vellon që ma kanë qepur, sa krenar sot e mbaj. Valles që ia kanë hedhur, sikur një nuse sa bukur hapin që e mbaj.” Kënga i shprehë troç përpjekjet dhe vështirësitë e Kosovës, por edhe të Shqipërisë, për krijimin e një shteti (funksional).

E ardhmja e një iluzioni

Gjatë 20 viteve, Jericho mbeti një bend i angazhuar në çështje shoqërore. Muzika e tyre ishte dhe është komentuar mbi shoqërinë, kërkesë për ndryshim, ose, siç vërehet në këngët e tyre më të vonshme, shprehja e pakënaqësisë së tyre me ndryshimin që është bërë, dhe thirrjeve për t’iu kthyer vlerave tradicionale të cilat, sipas tyre, po shuhen shumë shpejt.

Kosova dhe shoqëria e saj ndryshuan shumë në 20 vitet e fundit. Sidoqoftë disa gjëra duket sikur mbetën të njëjta. Në vitin 1997, Jericho këndoi për getoizimin e rinisë, ngjashëm me, dhe frymëzuar nga, bendet sikur Public Enemy. Kosova është e pavarur tani, por megjithatë një geto. Rinia e saj është akoma e zënë brenda si në kurth, ndërsa i mohohet hyrja në Europë, e rrethuar me mure të gjata e të padukshme të burokracisë, vizave, dhe dokumenteve.

Pyeta veten nëse tingujt e surleve të Jerichos, do të jenë sikur ato të tregimit biblik ku tingujt nga boritë e bririt që shkatërruan muret e qytetit të lashtë të Xherikos. Dhe kështu e pyeta Çarkaxhiun për krejt ato idealet që Jericho i kishte në vitin 1997. E pyeta se si i duket që ka evoluuar shoqëria kosovare — për të mirë ose për të keq — dhe si krejt kjo matet me pritshmëritë dhe vizionet e tyre të asaj kohe.

“Me vite”, tha Çarkaxhiu, “dhe me përvojë jetësore, e ke një pasqyrë më të qartë se qysh funksionon bota. E sheh në të njëjtën kohë edhe pafuqinë tënde me qenë pjesë e ndryshimeve të mëdha. Mirëpo, sado i vogël e i pafuqishëm që je, me besim, me një dozë të idealizmit, dhe me punë e me mund, sado-kudo mundesh me ndiku për të mirë brenda shoqërisë ku jeton”. /Kallxo.com/