Julian Assange, themeluesi i Wikileaks i cili qysh prej vitit 2012 është strehuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ka arritur të marrë shtetësinë ekuadoriane.

Megjithatë Ekuadori, nuk ka dalë ende me deklaratë, ndërkohë që Assange publikoi në Twitter këtë të mërkurë, një fotografi ku shihet me bluzën e ekipit të futbollit të Ekuadorit.

E përditshmja “El Universo”, shkroi se Assange ka një kartë identiteti ekuadoriane dhe se më 21 dhjetor, ka marrë edhe pasaportën e këtij vendit.

Megjithatë vetëm ministria e Jashtme e Ekuadorit, mund të sqarojë nëse Assange është tashmë shtetas i këtij vendi.

Këtë të martë, qeveria e Ekuadorit deklaroi se po mendon si të zgjidhë situatën e Assange, i cili prej gjashtë vitesh po qëndron në ambasadën ekuadoriane në Londër.

Një situatë e cila kërkon zgjidhje, deklaroi ministrja e Jashtme e Quito, Maria Fernanda Espinosa.