Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati ka lëshuar studion në televizionin Tribuna Channel, sapo emisioni Tribunë Zgjedhore ka filluar të xhirohet.

Sipas informacioneve që ka siguruar Periskopi, shkak për këtë është bërë një veprim i kundërkandidatit Shaip Surdulli, i cili po akuzohet se po bën fushatë kundër Kastratit, duke u thënë serbëve të Kamenicës se babai i tij – veprimtari i çështjes kombëtare Isa Kastrati – ishte terrorist.

Kështu, sipas edhe një deklarate të një kandidateje të VV-së për asambleiste në këtë komunë, Surdulli po mundohet ta minimizojë fuqinë elektorale të Kastratit.

“Lufta për pushtet nuk po njofka mjete. Bile po shkojka deri në poshtërsi. A mund ta imagjinoni çfarë lloj specie duhet me qenë dikush që shkon tek qytatarët e komunitetit serb dhe u thotë mos e votoni Qëndron Kastrati sepse është biri i një terroristi dhe ju përzë nga këtu. Shaip ti dhe kasta jote e fëlliqur, nuk do të mundeni kurrë të përbaltni dëshmorët dhe bijtë e tyre. Kamenica është krenare me jetën dhe veprën madhore të Isa Kastratit. Kamenica e do ndryshimin dhe këtë ndryshim do ta bëjë Qëndroni, në damarët e të ciilit rrjedh gjaku i Isës. Po më vjen ndot prej teje Shaip. Në nivelin më të ulët të vetes do të pranoja të jem si ti”, kishte shkruar Mirvete Klaiqi Rashiti para disa ditëve.

“Ju e keni quajtur babain tim terrorist. Ai ishte veprimtar i çështjes kombëtare”, mësohet t’i ketë thënë Kastrati Surdullit, duke shtuar se ai nuk do të përballet më në asnjë emision. /Periskopi/