Shkodra…
asht nji rrugicë e vjetër
me muret e laguna prej shiut
që s’din me pushu, me muret e nalta
që s’dijnë me mbaru…

Shkodra asht nji rrugicë e vjetër
mes oborresh me luleborë
ku dhe vitet ndalen
për me i marre erë…

Shkodra asht nji vajze brune
që t’ kalon afër
pa t’i hedhë sytë
e ti e ndjen se vdes per aromën e saj
e kur ke mbetë vetëm
kthehet e të përqafon
e t’i derdh flokët
nëpër sup

Shkodra…
asht gruaja e bukur
e historive t’pafund
Shkodra asht nji adoleshente
që skuqet prej puthjes së parë
e nuk din çka ban…

Shkodra asht e vjetër
kur zbehet n’mendimet e ngurta
Shkodra asht e re
kur shfleton pranverat tan shpresë…

Shkodra asht nji ballkon,
kitare, dëshirë, andërr, buzë,
lumenj që puthen poshtë kalasë.
Shkodra asht poezi,
vargje me aromën e blinit.
Shkodra asht emocion i hanës
që shndritë përmbi liqen
asaj rruge të ngushtë
ku njerëzit dashurojnë fshehtas
e natyra hesht
sikur s’ka pa asgja..

Shkodra asht e çuditshme
e mistershme,
e bukur,
e brishtë,
e njomë,
e llastume,
e dashtun,

Shkodra asht nji jetë…