Kampioni i Kosovës në futsall, Liburni, ka mbetur pa trajnerin Bekim Bytyqi.

Pas sukseseve të jashtëzakonshme me skuadrën gjakovare, Bytyqi ka vendosur për mosvazhdim të kontratës.

“Pas përfundimit të kontratës dyshja e trajnerëve Bytyqi dhe Doli nuk do të vazhdojnë të jenë pjesë e Liburnit. Edhe pse klubi kishte vendosur të vazhdonte përsëri me këta trajnerë, ata vendosën të mos vazhdojnë me klubin. I falënderojmë nga zemra për punën e madhe dhe sukseset që i kanë arritur me Liburnin si në Superligën e Kosovës, Kupën e Kosovës dhe pjesëmarrjen për herë të parë në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e skuadrës nga Gjakova.

“Bytyqi dhe Doli nuk do të ndahen përfundimisht nga Liburni, por tani do të jenë pjesë e Kryesisë së Klubit dhe së bashku t’i vazhdojmë përsëri sukseset e vitit të kaluar. Në ditët në vijim do të mësohet edhe emri i ri i trajnerit të klubit”, thuhet në njoftimin e Liburnit.