Importi dhe konkurrenca jo e drejtë në treg e grurit dhe miellit në Kosovë ka ndikuar dukshëm tek kultivuesit, që të ulet interesimi në mbjellje dhe përpunim.

Këtë vit, janë afro 70 mijë hektarë të mbjella me grurë në raport me vitin paraprak që ishte më i madh.

“Vitin 2016 kemi pasur të korrura mbi 84 mijë hektarë, ndërsa për këtë vit 70 mijë hektarë. Faktorët të cilët kanë ndikuar që motivimi për mbjelljet e kësaj kulture bujqësore strategjike për Kosovën, është se nuk kemi qenë të barabartë në terren për shkak të importit të pakontrolluar që ka hyr në Kosovë sidomos nga Serbia. ”

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Grurit, Pal Gjuraj, gjithashtu thotë se kriteret e përcaktuara nga ana Ministrisë së Bujqësisë, po janë të vështira për tu përmbushur nga ana e bujqve dhe kësisoj ata kanë bërë kërkesë që të ketë masa lehtësuese në këtë aspekt.

“Ne si shoqatë dhe si bord i shoqatës e kemi shqyrtuar këtë kërkesë. Patjetër mendoj që Ministria e Bujqësisë duhet të bëj ndryshime, që t’i zbus kriteret nëse nuk shkohet me sasi atëherë së paku të shkohet me një hektarë jo si kusht themelor të jenë dy hektarë apo propozimin tonë që gruri të subvencionohet në sasi në pikat grumbulluese dhe përpunuese”.

Kurse Drejtori i Departamentit për Politika Bujqësore, dhe Tregjeve, Isuf Cikaqi thotë se kulturën e grurit e kanë përkrahur nga viti në vit.

Cakiqi po ashtu shton se varet nga interesimi i kultivuesve, se sa do të ketë të mbjella të grurit.

Kosova ka kapacitete për të prodhuar grurë dhe miell për 8.5 milionë banorë, por që këto kapacitete nuk janë duke u shfrytëzuar për shkak të kushteve të tregut ngase ka shumë vështirësi për eksportimin e miellit.