Nga Valbona Bajrami

Politikat patrilineare karshi grave, janë sjellur si në zgjedhje qëndrore ashtu edhe lokale, pa dallim subjektesh politike, duke vëndu çmim për organet reproduktive. Përtej bindjeve partiake, sa here që gratë përfolen, duhet shujtë orientimi partiak duke e pasë parasyshë shtypjen sistematike. Çuditërisht, nuk asht dëgju ndonjëherë qoftë edhe nga vetë gratë që mbajnë poste politike, të kundërshtojnë vënien e çmimeve të organeve reproduktive, ose të kundërshtojnë hapur bashkëpartiakët sa herë flitet qoftë edhe indirekt për tendenca të tilla. Çmimi për përkujdesje fëmijësh vazhdon t’iu destinohet grave në politika ditore. Në zgjedhje qëndrore ashtu edhe lokale, nga parti të ndryshme politike kishte premtime për pagesë lehonie 12 muaj, për gra që nuk punojnë 50% të pagës minimale, shumë fikse për gra që lindin, dhe një sërë premtimesh të tjera të cilat edhe nuk i lexon më sepse vëren që ky fenomen asht në rritje, sepse guxon të supozosh se vënia e çmimit të “makinerive prodhuese” për foshje asht ba trend.

Mbase hierarkive të grave nuk ua pret mendja këtë fenomen sepse kapitali ju ka dhënë status social, dhe nuk janë të varura as për 50% të pagës minimale e as për ndonjë çmim fiks që mbulon qumësht e pelena, pa kalkuluar mundin që kërkon rritja e një fëmiu, punë 24 orëshe, 7 ditë të javës. Gjithsesi se gratë në hierarki që si status gëzohet si rezultat i shumës së pagës, nuk do rrezikonin karierën publike për premtime të këtij lloji, qoftë edhe gratë e sekrorit të mesëm që paga ju sillet rreth 600-800 euro. Ato janë në dijeni se nga premtime të tilla ngecin prapa pikërisht për shkak të roleve tradicionale gjinore, me të cilat përballemi të gjitha; ardhja në jetë e një fëmiu limiton pjesëmarjen në jetën publike, limiton udhëtimet zyrtare, limiton performancën e barabartë me burrat, duke e pasë parasyshë se ky fenomen gjithmonë dhe vazhdon të mbetet barrë e supeve të grave. Çka asht më e keqja, gratë që nuk përkasin në hieraki kapitali, që janë të papuna, nuk e kanë luksin e të menduarit më gjatë sesa egzistencën sot për nesër, ku mbase premtimi i pagesës 50% të pagës minimale ose të një shume fikse, rrezikon mirëqenien e tyre në këmbim të kafshatës së gojës. Historikisht, ky lloj stimulimi ka ndikuar në “rreth të varfërisë”, ku gjeneratë pas gjenerate e kanë të vështirë të dalin nga ky rreth.

Edhe sikur t’i referohemi studimeve botërore, e që zakonisht ne jemi të prirur të ju japim kredibilitet, shumica e hulumtimeve kanë konstatuar se lindja e shumë fëmijëve, qoftë edhe në vende të zhvilluara, asht rezultat dhe pasojë që shteti nuk garanton pensione dhe siguri për moshën e tretë, dhe zakonisht në periudha elektorale nuk japin shpresa të mëdha për përmirësim të kushteve jetësore të kësaj kategorie, prandaj familjet shpresën e vetme për përkujdesje e varin te gjeneratat pasardhëse. Pastaj, një ndër pyetjet ma të shpeshta që parashtrohet për të kuptuar rrethin e varfërisë globale asht ‘përse familjet e varfëra lindin shumë fëmijë’ – përgjigja asht e thjeshtë; janë politikat që luajnë me karta prediktive për ardhmëri. Shumë prej juve, besoj se ju kujtohet gafa e thanë shpesh në të kaluarën “je produkt i shtesave të fëmijëve në kohën e Titos”, dhe natyrisht se Kosova si vendi ma i varfër ndër të gjitha republikat e atëhershme dhe krahina e Vojvodinës, ka thyer rekord. Titoja nuk i ka dhanë këto premtime se ishte burrë i mirë, përveç se ka përdorë teori konservative të mbajtjes së popullatës në rreth të varfërisë që me kalimin e kohës bahet fenomen trashëgues.

Asht e çuditshme se përse nuk përdoret logjikë më e thjeshtë kur jepen premtime për mirëqenie të grave, ta zamë, stimulim financiar për gra e vajza që vijojnë studime master dhe postamester – benefiti nuk do ishte premtim i “zgjidhjeve magjike”, por afatgjatë dhe faktor shtytës për barazi, gjithsesi se po. Shkollimi dhe varfëria kanë korelacion negativ; aq ma lartë shkollimi, aq më poshtë bie varfëria – dhe kjo asht dëshmu në të gjitha sistemet botërore, nuk asht hipotezë.

Kur idetë politike janë të llojit me i hy therrave pa sakicë, e tërhiq një fenomen grashë zvarrë mbas vetes, asht mëse normale se politikat patrilineare nuk e kanë ndërmend të ndajnë në barabartësi obligimet prindërore – grave iu destinohet përkujdesja, burrave iu ruhet statusi shoqëror jashtë mureve të shtëpisë. Politikat asht mirë të meren me sektorin privat dhe shtetëror, për shifrat alarmante të diskriminimit ndaj grave kur bëhet fjalë për lehoni, të gjejnë mekanizma kushtëzues ndaj tyre, jo shtytje afatgjate se gratë janë makineri prodhimi për çmime të bukës së gojës, sa për egzistencë.