Edison Ypi

Shqipëria ka pasur me shekuj vetëm një lloj femre; një sokoleshë të pa përtuar shtëpie, pune, lufte, një pjellore djemsh; tre në shtëpi, një për dore, një mbi shpinë, një në mitër. Prej atëhere ka mbetur cilësimi makabër “Burrneshë”. Më vonë, Shqipëria, kjo Kuti Pandore gjithmonë e hapur që s’rresht së habituri botën, ka nxjerrë në shesh një koleksion të pafundëm femrash;
Regjimentet e të pabukurave “të ndershme” që godasin me heshta të helmatisura të bukurat “e përdala”. Bukuroshet erotomane. Zonja të rënda, që provuan të kenë të drejta të barabarta me burrat, por përfunduan si rruar qethur me brisk Europe. Bejleresha të hirshme që shpresuan të martohen me princër të kaltër, dhe e ngrysën jetën të internuara nëpër baltovina. Madama të sofistikuara që këndonin bukur dhe luanin në piano muzikë serioze, por u cilësuan rruspie. Hanko të serta dhe të squta që studiuan nëpër universitete dhe u bënë shkencëtare për të rrotulluar mullinj ere. Hanëme inteligjente dhe të kultivuara që dinin të bënin muhabete të zgjedhura, që pinin verë në muzg me gotën në parvaz të dritares duke pritur kalorës imagjinarë mbi kuaj me flatra, që këtyre anëve s’u panë kurrë.
Ka pasur me shumicë edhe shoqe komuniste, shkërdhata shpirtthata rradhështrënguara, që shpërndanë trakte, dolën partizane, dhe pasi u shkartisën me mzata si vetja, u bënë telendare të paepura, flamurtare hendekhedhura të luftës vllavrasëse të klasave, spiune, denonciatore, shkruajtëse letrash anonime, buçe mbledhjesh, zagare plenumesh, kodoshe kongresesh.
Ka pasur pra, dhe ka, femra Shqipëria.
Por jo si Heroina ime.
Që nuk shpërndau trakte. Nuk doli partizane. Nuk punoi me rendimente të larta nëpër fabrika të pista, diga dhe hidrocentrale me fjetore me morra. Nuk shkroi vargje. Nuk i ra pianos. Nuk këndoi. Nuk u martua, si bënë shumica e femrave tona, të cilat, për të mos mbetur xitela, në ngut e sipër muarën burrin e gabuar, dhe pollën bastarda.
Heroina ime ishte krejt ndryshe. Ajo qe e vetmja Femër shqiptare që madhështinë nuk e ka të komplikuar dhe të stisur nga propaganda, por të thjeshtë dhe të vërtetë. E rrethuar nga të gjitha anët me piskama bolshevike, zhul proletar, katastrofa kinse fitore, shëmti’, spiunllëk, urrejtje, cmirë, zili’, vllavrasje, Heroina ime bëri tjetër gjë. Pakrahasimisht më të dobishme dhe më të bukur se qindra hidrocentrale, mijëra uzina, miliona fabrika; Bëri Dashuri, vetëm Dashuri, asgjë tjetër.
Heroina ime ishte një kurvë e quajtur Ganimete Cuka, e cila vari veten bashkë me të ëmën kur e internuan në një fshat të Myzeqesë në një kasolle të pisët pa u gdhirë e nesërmja.
Nëpër burgje dhe internime kishte me mijëra, meshkuj dhe femra. Një numur prej tyre, të shumtët burra, atje në internim mes baltrave dhe urisë, atje në burg nga qelia duke u dridhur nga të ftohtët, i dërgonin letra lutëse poshtëruese diktatorit, i uronin jetë të gjatë, ditëlindjen, festat.
Mundej edhe Ganimete Cuka të gjallonte në atë fshat myzeqar brenda asaj barrake të pisët, por nuk e bëri.
Po ta dija se ku e kanë groposur, do t’ja mblidhja kockat, do t’ia pastroja nga balta, do t’ia ngjisja, do bëja një skelet, do ta reincarnoja, dhe Ganimeten do ta merrja për grua.
U kemi ngritur këngë lavireve. U kemi bërë filma fëlliqësirave. Kemi gdhendur nëpër mozaike kolerat. T’i ngremë një shtatore në mes të Tiranës, më të mirës dhe më të bukurës së të tëra femrave tona, kurvës hyjnore Ganimete Cuka.