Mira Kazhani

Xhoniela është kushërira ime, që jeton në Gjermani, ku po bën studimet për doktoraturë në Shkenca Diplomatike e Ndërkombëtare… Ajo është rritur në Itali, me një pasion për gjermanishten, Gjermaninë, Merkelin, birrën, shiun e imët dhe sidomos ëndrrën për t’u bërë një diplomate në Evropën e bukur.

Para dy vjetësh u vendos në Mainz të Gjermanisë. Flasim shpesh në Whatsaap dhe një nga gjërat që dalloj tek ajo është fakti se është e vetmja kushërirë emigrante me të cilën flas sikur jam në kafe me dike që jeton këtu. Për shkak edhe të studimeve të saj, ajo di gjithçka rreth jetës publike dhe në përgjithësi rreth politikës në Shqipëri. Ndjek emisionet politike, intervistat. Njeh Blendi Fevziun, Sokol Ballën, Ilvën, Rudinën. Është simpatizante e Majlinda Bregut dhe sigurisht e di që është pa punë tani! I pëlqen kryebashkiaku dhe ia harron gjithmonë emrin, se nuk kupton pse i thërrasin “Lali” nëpër portale dhe Facebook. Ndërsa bëhet e lezetshme kur Ditmirit (ministrit) ia shqipton emrin Dimitri. Si për Lalin dhe Dimitrin nuk i them asgjë, se nga larg njerëzit kuptohen shumë më mirë dhe bisedat me Xhonën janë një gjendje kurioziteti! Shoh në pasqyrë disa gjëra që nga brenda nuk i shohim gjithmonë qartë. Sot, ama, kushërira u bë shkak për të qenë vërtet në “25 rreshtat”.

Xhona erdhi ditën e diel në Tiranë, sepse duhet të realizojë një detyrë – pjesë e doktoraturës, diçka rreth procesit të integrimit, për të cilën duhet të bëjë disa takime dhe intervista me protagonistë dhe jo protagonistë, studiues etj., në Shqipëri. E veshur thjesht, me një pardesy, një çantë shpine me ujin anash dhe valixhen me rroba. E pritëm tre veta në aeroport; unë, halla e Xhonës (nëna ime) dhe mbesa ime. Mund të shkoja vetëm unë, por halla e Xhonës nuk i kupton këto gjermanishtllëqe dhe erdhi në aeroport dhe qëndroi duke pritur e qetë, pasi e kish pjekur byrekun që herët paradite në furrë!

Shqiptarçe u kthyem në shtëpi për drekë. Prindërit e mi (veçanërisht halla e Xhonës) kujdeseshin që pas çdo fjalie të përsërisnin: “Mos u shqetëso! Këtu ke Mirën. Kjo i di të gjitha. I njeh dhe të lë Mira çfarë takimesh të të duhen”. Dhe pastaj kthehej me dyshim të kamuuar drejt meje, me shpresën që do forcoja garancinë: “Ti Mira s’e ke problem t’i gjesh njerëzit e duhur Xhonës? Nuk i gjen gjë dhe ata të japin intervista me një studente shqiptare. I bën ti, i bën” dhe e mbyllnin bisedën pa pritur përgjigje. “Po, po i bëj”, thosha. “Çfarë do të të duhet, do flasim”.

Sot unë vazhdova ditën time dhe kushërira shkoi në dy takime, që i kishte në axhendë nga universiteti. Ishin emra gjermanë dhe nuk është se i fiksova shumë, por njërin po: Konrad Adenauer Stiftung. Pasdreke u takuam sërish në shtëpi. Xhona, me syze mbi laptop, në dhomën time punonte e qetë.

–Hë, i thashë, si shkoi dita sot?

–Shumë mirë, u përgjigj ajo. Më pritën aq mirë. Këtu kam dhe listën e njerëzve që duhet të takoj për doktoraturën.

I hodha një sy dhe pjesën dërrmuese i njihja, sigurisht. E pashë vrikthi dhe i thashë që mund t’i telefonoja direkt disa prej tyre e t’iu thosha që ishe kushërira ime.

–Jo, jo, nuk ka nevojë, ma preu me edukatë ajo. Takimet janë lënë të gjitha. Nuk të duhet të bësh asgjë për mua. Çdo gjë është e organizuar.

E keni parasysh kur është dimër dhe ke ftohtë e një pikë uji akull të futet në kurriz? U ndjeva psikologjikisht ashtu. Shqipëria m’u faneps para syve me kaosin, shëmtinë burokratike, shëmtinë e fjalimmbajtësve, batutaxhinjve, të marrëve, që nuk na lënë as të pretendojmë. Më dolën përpara ankthet që ndiej në aeroporte dhe shtirja e kotë para ocerit të policisë, ku i jap pasaportën, që edhe pse jam gazetare, edhe pse mund të jem në udhëtim pune nga ato të Brukselit, të shohin si njeri me precedent penal. I vetmi njeri që pritet si njeri kur udhëton jashtë është Kryeministri dhe Presidenti. Të tjerët, le të kenë çfarë të kenë, nuk do t’ia dijë njeri për ta. Një shtet ndihet kur ti je larg tij. Si Xhona, që e ka Gjermaninë me vete gjatë këtyre ditëve në Tiranë. E qetë, mbi laptopin e saj, po punon. Nuk i duhet asgjë, as halla dhe as kushërira gazetare. Gjithsesi, në aeroport do ta përcjellim shumë veta. Dhe mirë bëjmë, se ne njëri-tjetrin kemi!