Pothuajse të gjitha shoqëritë janë bërë shumë të varura nga interneti, pjesa më e rëndësishme e infrastrukturës në botë – dhe gjithashtu infrastruktura mbi të cilën mbështeten të gjitha infrastrukturat e tjera. I ashtuquajturi Internet i Gjërave është një emërtim i gabuar; së shpejti do të jetë “Interneti i Gjithçkasë”. Dhe epoka e tanishme nuk është një Revolucion i Katërt Industrial; është fillimi i epokës digjitale dhe fundi i epokës industriale.

Nga Carl Bildt

A po rrëshket bota rrezikshëm, drejt një Armagedoni kibernetik? Të shpresojmë që jo, por le të përpiqemi ta kuptojmë rrezikun, dhe të fokusohemi në atë që mund të bëjmë në lidhje me të.

Njëri pas tjetrit, shtetet kanë filluar të eksplorojë mundësitë për forcimin e aftësive të tyre sulmuese në hapësirën kibernetike, dhe shumë vende të tjera e kanë bërë tashmë këtë. Ky është një përshkallëzim i rrezikshëm. Në fakt, pak tendenca të tjera, përbëjnë një kërcënim më të madh për stabilitetin global.

Pothuajse të gjitha shoqëritë janë bërë shumë të varura nga interneti, pjesa më e rëndësishme e infrastrukturës në botë – dhe gjithashtu infrastruktura mbi të cilën mbështeten të gjitha infrastrukturat e tjera. I ashtuquajturi Internet i Gjërave është një emërtim i gabuar; së shpejti do të jetë “Interneti i Gjithçkasë”. Dhe epoka e tanishme nuk është një Revolucion i Katërt Industrial; është fillimi i epokës digjitale dhe fundi i epokës industriale.

Epoka digjitale ka sjellë dobësi të reja që hakerët, kriminelët e internetit dhe aktorët e tjerë malinjë tashmë i po shfrytëzojnë në mënyrë rutinore. Por edhe më alarmues është padurimi i qeverive të shteteve, për të kryer operacione luftarake kibernetike kundër një tjetri.

Ne tashmë kemi arritur në fazën ku, në çdo konflikt ka një dimension kibernetik. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e kaluan Rubikonin në vitin 2010, duke kryer sulmin me virusin Stuxnet ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Tani, nuk mund të thuash dot se ku po ndodhin konfliktet në internet, pasi janë të fshehura.

Gjërat ishin ndryshe në botën e vjetër të armëve bërthamore, të cilat janë pajisje të komplikuara dhe të shtrenjta, të bazuara në teknologji që e zotëronin vetëm disa specialistë me arsim të lartë. Armët kibernetike, nga ana tjetër, janë në përgjithësi të lira për t’u zhvilluar ose përftuar, dhe të lehta për t’u përdorur. Si rezultat, edhe shtetet e dobëta dhe të brishta mund të bëhen fuqi kibernetike të konsiderueshme.

Më keq akoma, teknologjitë e luftës kibernetike po përhapen me një ritëm alarmues. Ndërkohë që ekzistojnë masa mbrojtëse të gjera për të kontrolluar aksesin ndaj teknologjive dhe materialeve bërthamore të ndjeshme, pothuajse asgjë nuk mund të parandalojë shpërndarjen e kodit të një softueri të dëmshëm.

Për të kuptuar shkallën e kërcënimit me të cilin përballemi, të mos shikojmë më tej se virusi “ëannaCry”, që ndër të tjera pothuajse mbylli Shërbimin Shëndetësor Kombëtar Britanik në majin e kaluar. Virusi ka shfrytëzuar një dobësi në sistemin operativ Microsoft ëindoës që Agjencia Kombëtare e Sigurisë e kishte zbuluar tashmë, por nuk raportoi te Microsoft. Pasi ky informacion u zbulua ose u vodh nga NSA, Koreja e Veriut e vuri shpejt në përdorim virusin, që nuk duhet të na vijë si befasi. Gjatë viteve të fundit, Koreja e Veriut ka nisur sulme kibernetike në mbarë botën, sidomos kundër Sony Pictures, por edhe kundër shumë institucioneve financiare.

Dhe, sigurisht, Koreja e Veriut nuk është aspak një përjashtim. Rusia, Kina dhe Izraeli kanë zhvilluar gjithashtu armë kibernetike, të cilat ata po përpiqen t’i ndërfusin në sisteme anembanë botës. Ky kërcënim në rritje është pikërisht pse vendet e tjera kanë filluar të flasin për blerjen e aftësive sulmuese kibernetike të veta: ata duan të kenë një mburojë, për të shmangur sulmet nga fuqitë e tjera kibernetike. Siguria kibernetike konsiderohet e komplikuar dhe e kushtueshme; por sulmi kibernetik shihet si i lirë dhe seksi.

Problemi është se, ndërkohë që parandalimi funksionon në botën bërthamore, nuk është veçanërisht i efektshëm në botën kibernetike. Aktorët e ligj – dhe Koreja e Veriut nuk është shembulli i vetëm – janë shumë më pak të goditshëm, sesa vendet e zhvilluara, në përplasjen kibernetike. Ata mund të sulmojnë vazhdimisht, pa u rrezikuar nga pasoja të rënda.

Origjina shpesh herë e paqartë e sulmeve kibernetike e bën edhe më të vështirë zbatimin e një teorie racionale të parandalimit, në botën kibernetike. Identifikimi i palës përgjegjëse, nëse është e mundur, kërkon kohë; dhe rreziku i fajësimit të gabuar është gjithmonë aty. Unë dyshoj se ne do të shohim ndonjëherë prova të qarta se Izraeli është duke kryer operacione sulmuese kibernetike; por kjo sigurisht nuk do të thotë se nuk është duke e bërë.

Në errësirën e hapësirës kibernetike, aktorët e sofistikuar mund të fshihen pas palëve të treta të pavetëdijshme, të cilët pastaj ekspozohen ndaj kundërsulmeve prej palës së sulmuar. Dhe në konfliktin në vazhdim midis vendeve të Gjirit, të paktën një qeveri mund të ketë hackerë të kontraktuar, me banim në vende të tjera, për të kryer operacione kundër një kundërshtari. Kjo metodë e shmangies së zbulimit pothuajse me siguri do të bëhet normë.

Në një botë të mbushur me rivalitete gjeopolitike të mëdha dhe të vogla, një paqartësi e tillë në fushën kibernetike mund të ketë pasoja katastrofike. Armët bërthamore në përgjithësi u nënshtrohen sistemeve të qarta, të rrepta dhe të përpunuara të komandimit dhe kontrollit. Por kush mund të kontrollojë legjionet e luftëtarëve kibernetikë në rrjet?

Duke qenë se ne jemi ende në fazat e hershme të epokës digjitale, askush nuk e di se çfarë do të vijë më pas. Qeveritë mund të fillojnë të zhvillojnë sisteme autonome kundërsulmi, të cilat, edhe nëse nuk e arrijnë Makinën e Kiametit të Dr. Strangelove, do të sjellin një botë të dobësuar, me pasoja të panumërta.

Më e qartë është se, armët kibernetike do të bëhen instrument kryesor në luftërat reale. Karta e Kombeve të Bashkuara afirmon të drejtën e të gjithë shteteve anëtare për vetëmbrojtje – një e drejtë që, pa dyshim, është gjithnjë e më e hapur për interpretim, në një botë kinerbetike dhe të digjitalizuar. Karta prek edhe çështjet e së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me jo luftëtarët dhe infrastrukturën civile në zonat e konfliktit.

Po për konfliktet e panumërta që nuk arrijnë pragun e luftës gjithëpërfshirëse? Deri më tani, përpjekjet për të vendosur rregulla universale dhe norma që rregullojnë sjelljen e shtetit në hapësirën kibernetike kanë dështuar. Është e qartë se disa vende duan të ruajnë lirinë e plotë të veprimit në këtë fushë.

Por kjo paraqet një rrezik të dukshëm. Si e kanë treguar rrjedhjet e NSA, nuk ka asnjë mënyrë për të kufizuar qasjen në armë destruktive kibernetike dhe nuk ka arsye të shpresojmë që rregullat e përmbajtjes që qeverisnin epokën bërthamore, do të funksiononin në epokën kibernetike.

Për fat të keq, një marrëveshje ndërkombëtare e detyrueshme për të kufizuar zhvillimin dhe përdorimin e armëve kibernetike sulmuese në situata të paqëndrueshme, është ndoshta larg. Ndërkohë, duhet t’i kushtojmë vëmendje më të madhe rreziqeve të përhapjes së armëve kibernetike dhe t’u bëjmë thirrje qeverive të zhvillojnë aftësi mbrojtëse dhe jo sulmuese. Një garë armatimi në hapësirën kibernetike nuk ka fitues./Project Syndicate, 2017