Vendimi që e kishte marrë kryeministri Ramush Haradinaj kohë më parë për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar, u pezullua për një kohë nga ministri i Finanacave, Bedri Hamza. Kjo pasi Agjencia Kundër Korrupsion në një vendim kishte bërë të ditur se në këtë vendim ka pasur shkelje ligjore.

Pas vendimit të AKK-së vendimi i Haradinajt për rritjen e pagave ishte dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Këtë e kishte bërë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu duke u arsyetuar se një vendim i tillë ishte ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit.

Tashmë vendimi i Haradinajt për rritjen e pagave është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.

Të paktën kështu ka konfirmuar kjo gjykatë në një përgjigje me shkrim për lajmi.net

“Kjo lëndë tashmë është duke u shqyrtuar nga Gjykata, sapo të merret vendimi për këtë do të njoftohen të gjitha palët e përfshira në rast dhe i njëjti do të publikohet edhe në ueb-faqen e Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Edhe pse ishte planifikuar që qysh nga muaji shkurt anëtarët e kabinetit qeverisës t’i marrin rrogat me rritje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kjo pasi ministria e Finacave nuk e ka zbatuar vendimin, duke u arsyetuar se po pret shqyrtimin e plotë ligjor të kësaj çështje.

Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e pagave të anëtarëve të kabinetit qeverisës në dhjetor të vitit të kaluar.

Rrogën e tij Haradinaj e kishte bërë 2 mijë e 950 euro, kurse rritje kishte edhe për zv/kryeministrat, ministrat, këshilltarët dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë.