Përderisa Banka Qendrore e Kosovës, është pozicionuar kundër përdorimit të monedhave virtuale, ministri, Besim Beqaj po promovon hapjen e Blockchain në Prishtinë. Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka marrë pjesë sot gjatë hapjes së institutit të Blockchain.
Në këtë hapje kanë marrë pjesë edhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit, Ermal Sadiku dhe drejtori i hulumtimeve të Institutit Valdrin Dervishaj.

Por përdorimi i monedhave virtuale nga Banka Qendrore e Kosovës ishin cilësuar si jo të sigurta si dhe të pa rregulluara me ligj. Përmes njoftimeve BQK kishte paralajmëruar disa herë qytetarët e Kosovës që të mos përdorin paratë virtuale.

“Përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale njoftohen se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura”, thuhej në njoftimin e BQK-së.

Për rrezikun e përdorimit të parave virtuale kishte njoftuar edhe kryediplomati dhe biznesmeni kosovar, Behgjet Pacolli. Ai bënte thirrje që qytetarët të mos përdorin Bitcoinin.

“Mos lakmoni në Bitcoin, është valutë virtuale e cila në momentin kur njerëzit dalin nga ai lloj sistemi, piramida fillon të bjerë”, ishte shprehur Pacolli.

Një monedhë virtuale është një formë e parregulluar e parasë digjitale e cila nuk përdoret ose garantohet nga një bankë qendrore dhe e cila mund të veproj si mjet pagese.

Duke mundësuar informacionin dixhital që të distribuohet por të mos kopjohet, teknologjia Blockchain ka krijuar shtyllat për një lloj të ri interneti. Në thelb i krijuar për monedhën dixhitale, Bitcoin, komuniteti i teknologjisë tani është duke zbuluar edhe përdorime të tjera potenciale për këtë teknologji.