Kandidati i AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se nuk është i kënaqur me rezultatin në raundin e parë të zgjedhjeve në garën për kryetar, ani pse ka dalë i pari me 33 për qind.

Ai ka thënë se ka refuzuar post qeveritar, vetëm e vetëm që garojë për kryetar në këtë komunë.

“Qytetarët e kanë ditur se do të jem kandidat dhe edhe kryetar i komunës”, ka thënë ai.

Më tej Latifi ka prezantuar planin e tij për fusha të caktuara.

“Bujqësia do të jetë prioritet me buxhet. Buxheti për bujqësi do të jetë një milion euro. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve tanë merren me bujqësi dhe komuna duhet ta dëshmojë duke e bërë prioritet”.

“Një milion euro do të jenë investime në rrugë fushore, do të jepen grante për serra, ferma, farëra, plehra kimike etj”.

“Një pjesë e subvencioneve do t’ju jepen direkt fermerëve. Edhe ky një milion do të jetë i pamjaftueshëm, por buxheti për bujqësi do të rritet.  Do të bëjmë presion në qeveri për rritje të subvencioneve”, ka shtuar Latifi.

Latifi ka thënë se edhe trajtimi i ujërave të zeza është prioritet i tij.

“Do të përkushtohemi që të ndajmë mjete, të kërkojmë ndihmën e qeverisë dhe donatorëve. Projektet afatgjate është kolektori që është i kushtueshëm, por duhet të kryhet përmes ndonjë kredie të butë apo ndihmës së qeverisë”.

“Kemi problem me ujëra të zeza ashtu sikurse edhe me ujë të pijshëm, sidomos gjatë verës. Zgjerimi i sistemit të ujitjes është bërë edhe nga komuna me participim, por duhet të bëhet edhe më shumë”.

“Mund të bëhen faza e dytë ku do të përfshihen tokat bujqësore çka do të bënte që të dyfishohej rendimenti”, ka thënë ai ndër të tjera/(klan kosova)