Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka nënshkruar marrëveshje me Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat.

Kjo marrëveshje i mundëson STIKK-ut shfrytëzimin e objektit Institutit të Ndërtimit në një afat 5 vjeçar me mundësi vazhdimi, ndërsa, është nënshkruar nga ministri i MTI-së, Bajram Hasani dhe drejtoresha e STIKK, Vjollca Çavolli.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar.

Në fjalën e tij të rastit, Limaj tha se kjo marrëveshje është vazhdimësi e punës së nisur më herët nga Qeveria e Kosovës.

“Kjo tregon se prioritet tona që janë në shërbim të vendit tonë, Qeveria i vazhdon, i shtynë përpara. Shpresoj se ky objekt do të jetë në shfrytëzim të plotë të kësaj shoqate dhe se talentet tonë do t’i kenë kushtet të punojnë. Presim që nga ky objekt të dalin sa më shumë talent sipërmarrës të këtij sektori”, theksoi Limaj.

Ministri i MTI-së, Bajram Hasani tha se do të bëjnë gjithçka që të rrisin sektorin e teknologjisë së informacionit në Kosovë.

“Fillimisht do të nënshkruajmë një kontratë 5 vjeçare me mundësi vazhdimi. Natyrisht inkubatori i biznesit ka për synim ndihmën dhe zhvillimin e përgjithshëm në Kosovë, veçanërisht sektorin privat. Sot po bëjmë një hap tutje për të kontribuar në krijimin e bizneseve”, tha ai.

Ndërsa, drejtoresha e STIKK, Vjollca Çavolli tha se ka qenë një rrugëtim mjaft i gjatë deri sa kanë ardhur në këtë pikë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Ajo shtoi se finalizimi i saj e ka bërë që të pendohet për deklaratën e lëshuar një muaj më parë ku kishte thënë se Qeveria jonë nuk ka memorie institucionale.

“Kam gabuar para një muaji kur kam deklaruar publikisht se më pengon se Qeveritë tona nuk kanë memorie institucionale dhe me këtë po e pranoj publikisht gabimin në deklaratën time sepse ky rast më tregoi se Qeveria jonë dëshiron të ketë një memorie institucionale dhe të vazhdojë proceset të cilat janë nisur më herët”, sqaroi ajo.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se ka marrë përsipër financimin dhe rregullimin e objektit ku do të veprojë STIKK.

“Ne si Ministri e Zhvillimit Ekonomik e kemi ndarë një buxhet prej 300 mijë euro për rregullimin e interierit të brendshëm dhe në bashkëpunim me GIZ-in do të rregullohet edhe inventari i objektit. Unë personalisht i kam marrë dy zotime, financimin dhe rregullimin e objektit”, tha ai.

Ndryshe, të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, dhe drejtori i përgjithshëm i KIESA-s, Besian Mustafa.