Faturat e energjisë elektrike të muajit dhjetor do të vijnë më të lira për rreth 3,5%.

KEDS-i, KOSTT-i dhe KESCO janë udhëzuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që kostoja e furnizimit me energji elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës të mos mbulohen më përmes tarifave përfundimtare.

Heqja e kësaj kostoje nga tarifat nënkupton që qytetarët do të paguajnë rreth 3,5 për qind më lirë tarifat e energjisë elektrike, përkatësisht për aq do të ulen faturat e energjisë.

“Kostot e furnizimit me energji elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës sipas aktvendimit të gjykatës nuk do të vazhdojnë të mbulohen përmes tarifave përfundimtare deri në vendosjen e çështjes meritore nga gjykata”, thuhet në shkresën që ZRRE-ja ua ka dërguar palëve të interesit.

Zbatimi i kësaj urdhërese do të bëhet nga data 1 dhjetor, që do të thotë se ulja do të vërehet në faturat e muajit dhjetor që zakonisht vijnë pas datës 26 dhjetor.