Të duash pa njohtë

Siç duhet një fëmijë i adoptuar
Apo rrufeja drurin fushës harruar
Me rrënjë të thata duke e dëbuar

Të njohësh duke dashtë
Si Zotin me shikimin në vete kur je pa shpresë
Apo fëmija pas vitesh prindin e gjetur në luftë
Me nxitje e frikë mos është tjetërkush

Të duash duke parë
Siç duhet muzgu i zjarrtë mbi detin pa fund
Apo agu i lëshuar kodrës kur je i ngopur gjumë
Me sy si shpirt i dëlirë që s’ngopet më dritë

Njih e duaj
kur ndjehesh  mushkonjë fluturimthi mbi ujë
Anije kozmike pezull hapësirës pa peshë
Apo ujk korisë pas deleve të fshehura në dushk

Të duash duke njohtë
Si Zoti të ngopurin pasurinë që dhuron
Prindi pas lufte fëmijën e gjetur në lloç
Shikim lodhur por qetë dhe ngrohtë

Duaj madje
Kur je mushkonjë e ngirë gjakun që pik mbi ujë
Kur rri pezull pas tmerrit të kaluar kur lë këtë botë
Pa frikë se humb rrugën të kthehesh sërish

Shih me dashuri
Siç sheh dielli në muzg një njeri të qetë në turmë
Si rrezja e parë që në ballë troket pa zhurmë
Me sytë e etur për dritë në dy sy plot muzg…

…pastaj gjithçka mund të jetë dashuri