Malcolm Simmons është gjyqtar nga viti 2008 për Misionin Evropian për promovimin e sundimit të ligjit në  Kosovë (Eulex). Ai e kryeson Asamblenë e Gjyqtarëve nga viti 2014. Ky gjyqtar britanik paralajmëron për « Le Monde » dorëheqjen e tij, duke denoncuar mosfunksionime të rënda në kuadër të këtij institucioni që ka për qëllim t’i gjykojë rastet më të rënda të korrupsionit dhe disa krime lufte në këtë shtet të vogël të Ballkanit, që është pavarësuar më 2008, nën patronatin e BE dhe SHBA.

Intervistoi: Hugo Lemonier 

Pse jepni dorëheqje?

Kam denoncuar javët e fundit disa raste të korrupsionit në kuadër të misionit. Kam ngritur në veçanti çështjen e piratimit të emailit tim privat nga ana e një gjyqtari tjetër të Eulex-it. Kam kërkuar nga ministria e jashtme britanike dhe BE t’i referohen policisë. Refuzuan të më përkrahin.

Si e dini që ai gjyqtar ka piratuar emailin tuaj ? Pse duhet ta bëjë ?

Ky gjyqtar ka folur me disa gjyqtar të tjerë dhe iu ka treguar disa prej emailave. Ai dëshironte të dinte se çfarë dija mbi marrëdhënien e tij me një gjyqtar tjetër, sepse ishte në dijeni se hulumtoja lidhur me këtë çështje. Pata pranuar një ankesë të mbrojtjes në dosjen « Drenica » mbi mënyrën se si është krijuar përbërja e truput gjykues. Ai pati kërkuar që ajo gjyqtare të ngarkohej për këtë lëndë. Më thoshte se kishin një marrëdhënie dhe se dëshironte të kalonte më shumë kohë me atë…E tëra është në kundërshtim me procedurën normale…

Por kjo nuk është e vetmja gjë që nuk funksionon në Eulex, sipas jush…

Eulex nuk është mision që promovon sundimin e ligjit. Është një mision politik. Kushdoqoftë që pretendon të kundërtën është ose naiv, ose i marrë. Eulex dëshironte të mënjanonte një pjesë të klasës politike kosovare, si Fatmir Limaj (ish-komandant i gueriljes shqipfolëse UÇK dhe kryetar i Nsimës për Kosovën), akuzuar për krime lufte. Unë kryesoja trupin gjykues në procesin e tij gjyqësor më 2013. Kuptova shumë shpejtë se misioni ynë dëshironte t’ia zinte rrugën në prag të zgjedhjeve. Kryesuesi i gjyqtarëve të Eulex asokohe, Charles Smith, më tha se misioni (Eulex) dëshironte që të dënohej Limaj. Ka bërë presion ndaj meje, presione që ndjeva si kërcënime personale. I paraqita në Ambasadën e Britanisë së madhe, por mendoj se qeveria britanike nuk  dëshironte të njolloste imazhin e misionit.  Kështu ishte edhe në dosje të tjera. Ka vazhdimlisht presione ndaj gjyqtarëve.

Dështimet e Eulex ishin të njohura. Pse keni pranuar postin e kryetarit të gjyqtarëve nëse vlerësonit misionin si të korruptuar ? 

Kam menduar naivisht se mund ta rimëkëmb përmes këtij posti. Por ishte e qartë nga fillimi se forcat kundërshtare ishin tepër të fuqishme.  Për shembull, kam ngritur çështjen e një gjyqtari amerikan në Gjykatën Kushtetuese.  Pothuajse nuk ishte kurrë i pranishëm. U zhduk gjatë disa muajve edhe pse vazhdonte të merrte pagën si dhe mëditjen ditore nga ana e misionit të Eulex.

Eulex dëshironte ta largonte, por është ndaluar nga Kenneth Deane, që ishte i ngarkuar për shërbimet evropiane për veprimet e jashtme në Bruksel. Ai kërkoj që mos të ndërmirret asnjë ndëshkim, sepse druante se ky gjyqtar mund të braktiste punën. Nëse vendi i tij mbetej i zbrazët, kjo do të minimizonte ndikimin ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese. Dikush e ka denoncuar në Zyrën evropiane kundër korrupsionit, gjë që ka shpier në një hetim i cili erdhi në përfundim se denoncimet ishin të sakta. Një gjyqtare tjetër në Gjykatën Kushtetuese është po ashtu në të njëjtin rast.  Kishte një punë të dytë, përderisa punonte për Eulex dhe vazhdonte të paguhej me orar të plotë.  Kur e lajmërova Eulex për këtë rast, Eulex refuzoj të veprojë.  Pas këmbëngulësisë sime, zëvëndës-shefi më tha se do të flasë me këtë gjyqtare, por pa praninë time.  

Edhe në këtë rast u përpoqën të shmangin një veprim të ndëshkueshëm. Paguhej rreth 8 000 euro në muaj dhe noshta më tepër. Kishte edhe 2 000 deri në 3 000 euro mëditje në muaj. Dhe kjo është vetëm një pjesë e shkrirë e icebergut… Brukseli ishte i njoftuar, por nuk deshi të bëjë asgjë.

Keni denoncuar të gjitha këto në Bruksel duke kërkuar edhe statusin e flamurtarit të lajmërimit të rrezikut. A keni marrë përgjigje ?

Jo. Kam dorëzuar ankesa tek z. Deane, shefi i Operacioneve Civile të Eulex. Kam kërkuar t’i njoftojë eprorët e tij në Bruksel për të hapur hetime.  Sipas meje, as ai dhe as askush prej shërbimit të tij nuk është në pozitë për ta zhvilluar ndonjë hetim, sepse janë të përfshirë në disa raste që denoncoj.

Pastaj kam zbuluar se kishte kërkuar nga zëvëndësi i tij, po ashtu i përfshirë, ta bëjë këtë hetim.
Zgjodha t’i drejtohem Federica Mogherinit. I shkrova dy herë dhe nuk mora asnjë përgjigje.

Për mua, kjo tregonte qartësisht se si Bashkimi Evropian sillet ndaj korrupsionit.  Një zyrtar i lartë i misionit tërheq vëmendjen për dyshime për korrupsion, ata dështojnë të ngrisin një hetim të pavarur, që do të zbardhte të gjitha këto veprime të ndëshkueshme.  Duan ta ngulfasin çështjen. E ftoj znj.Mogherini t’i dërgojë këto të dhëna në polici dhe të kërkojë fillimin e hetimeve. Këtë duhet ta bëjë nëse duan vërtetë ta luftojnë korrupsionin. Kisha kënaqësi të punojë këtë punë, por nuk mund të jem pjesë e kësaj organizate. Duan që Qeveria e Kosovës të rreshtohet dhe të bëjë çfarë t’iu thotë Bashkimi Evropian. Shumë kolegë aty janë të sinqertë dhe të drejtë. Por nuk e luftojnë sistemin. Përshtaten, sepse e dinë se ç’mund t’i gjejë nëse veprojnë në mënyrë korrekte. Pra, nuk bëjnë asgjë. Nuk dua të jem më pjesë e kësaj farse. /Le Monde/Gazeta Observer