Nga Ilnisa Agolli

E shihnim çdo mëngjes tek shkonte në tempullin e tij: teatër. Trupin e mbante drejt dhe një dorë gjithnjë futur në xhep. Dukej serioz. Sepse, siç e dimë, ‘’Njeriu që bën më shumë humor, është më seriozi; instinkt ky që tregon inteligjencë’’… derisa ndonjë kalimtar çasti e përshëndeste në rrugë : Mirëmëngjes, Xhaxhi Vani!

Dhe Landit në sy i vëreje menjëherë një shprehje përulësie, e cila përqafohej nga buzëqeshja e tij. Ishte shumë i ndjeshëm!

Është e rrallë në botën artistike që një aktor të identifikohet me një rol në komedi. ‘’Kur dikush ia harronte emrin për punë sekondash, e thërrisnin Jovan Bregu -na thoshte në shkollë bashkëregjisori i Pallatit 176 dhe profesori i lëndës së mjeshtërisë së aktorit Andon Qesari.

Madje-madje ju, studentë, nuk e dini që Landi improvizoi në skenë nofkën ‘Sandër Mafishja’, e cila në fakt ishte vetëm një fjalë. Por një fjalë që pushtoi sallën nga të qeshurat në 500 shfaqje radhazi. Landi mbetet unik.’’

Kjo komedi ishte një vepër jashtë standardizimeve, një shfaqje që në vitin 1985 është vënë në skenë dhe dy herë në ditë, pa nënvizime të fjalës; propagandës së asaj kohe, duke lënë të dukshme vetëm problemet social-shoqërore.

Jehona e së cilës, mendoj që ka një fatkeqësi; duke e bërë të paprekshme, sepse kjo shfaqje zor se rivihet më. Roland Trebickën në atë rol nuk mund ta zëvendësojë njeri. Jovan Bregu ishte një kostum, i prerë enkas për të, duke e kthyer menjëherë në korifeun e komedisë.

Është e çuditshme, në fakt, se si makina e kohës, e cila është shumë e ashpër dhe përgjithësisht i venit disa vepra, në këtë rast ajo lartëson. Dhe vepron drejt!

Lindur më 1947 në Korçë, do të niste këtë rrugëtim me rolin e Kostës në filmin ‘’Debatiku’’  më 1961. Më pas do të punonte si aktor në ‘’Estradën e Ushtarit’’. Në vitin 1971 do të bëhej pjesë e Teatrit Kombëtar deri më 1999. Nga ku rikthehet më vonë, sërish pas një përvoje trivjecare me kompaninë ‘’Publimedia’’.

Pas kulmit të suksesit me figurën më popullore të skenës shqiptare, në rolin e Jovanit, mjeshtëria e tij do të shkonte më tej në role si : Xhenarino tek ‘’Magjia e madhe’’, Zganareli tek ‘’Don Zhuani’’, Hlestakovi tek ‘’Inspektori’’, Revizori tek ‘’Një burrë me trëndafil’’ etj. Ndërsa për rolin e Rojës tek ‘’Mbreti po vdes’’, Trebicka do të ishte në vitin 2002 kanditat për Çmimin ‘’Aktori më i Mirë Mbështëtës’’ në Kajro. / Konica.al