U err, ra nata si një zog i vramë.
Më nuk po ndiej asnjë klithje,
Nuk po ndihet asnjë ofshamë
Nuk po ndihet asnjë thirrje.

Heshtja ka rënë si një meteor
Që lë pas mister e ftohtësi,
S’po mund të lëvizë as këmbë as dorë
E ndjej që trupi më është ngri.

Nga këmba po më rrjedh gjak
Ngadalë, por pa shkëputje,
Dy të panjohur ma lidhën pak
Me dy toja dhe ikën tutje. *

Gjaku po ntrashet e po ftohet,
Si peshkve po nxihet.
Shikimi ngapak po më errësohet,
Ndërsa balli po më digjet.

Shikoj retë si lodrojnë,
Të murrme e të dendura si shkëmb
Hënën me zemërim po e mbulojnë
As të na shikojë s’po e lënë.

Por ja hëna u shfaq krejt pak,
Disa çaste mes resh tërë dritë,
Gjithandej pa vetëm gjak
Dhe burra që kishin dhënë shpirt.

Kur na bënë grumbull, na thanë
Hiqni plisat nga koka,
Nënat shqiptare na i shan
Me sharje që s’i përpin toka. **

Pastaj na qëlluan me breshëri
Aq sa u err vetë mesdita,
Si kam rënë nuk e di
Të jem ende gjallë, nuk e prita.

Gjaku po më rrjedhë pa pushim.
E ndjej derdhjen zemërplasur,
Më thotë turbull një mendim:
Sa shumë gjak paskam pasur!

Po, shumë gjak, shumë, shumë
Gjak shqiptari ndër epoka!
S’jam as i pari as i mbrami unë
Që vdekja më varet si plis te koka.

Asnjë zë nuk ndihet në Izbicë,
Vdekja sogjeton si një bishë sllave.
Lamtumirë Kosovë, lamtumirë Drenicë,
Dua vetëm të prehem në paqe.

_________

Sadik Sherifi ishte fshatar nga Broja e Drenicës. Në maskarën e Izbicës, ku forcat militare serbe torturuan dhe masakruan 147 burra shqiptarë, civilë të paarmatosur, Sadiku mbeti i plagosur. Sipas dëshmitarëve, ai ka mbetur aty dyzet e tetë orë dhe ka vdekur nga hemoragjia e madhe.

*Dy të mbijetuar ia kishin lidhur plagën me dy toja të çorapëve dhe ishin larguar.

**Të mbijetuarit e maskarës së Izbicës kanë dëshmuar se forcat militare serbe, para se t’i ekzekutonin civilët shqiptarë, kanë përdorur edhe terrorin psikologjik ndaj pengjeve, duke ua fyer nënat shqiptare, duke u kërkuar të hiqnin plisat, duke u thënë se po i bënin kurban për Ditën e Bajramit, etj.