Në testin e fundit të publikuar të PISA-s, Kosova u rendit e fundit në Ballkan, e fundit në Evropë dhe në vendin e tretë nga fundi mes 72 vendeve që morën pjesë në nivel botëror, në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), në kuadër të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD).

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë  Shyqiri Bytyqi në një intervistë për Gazetën Observer ka treguar se tashmë është formuar një Komision i ri për testin PISA 2018, i cili pritet të mbahet kah fundi i muajit prill dhe fillimi i muajit maj.

Bytyqi ka thënë se nuk do të lihet anash angazhimi dhe përgjegjësia lidhur me këtë test,  teksa shpreson në rezultate të mira, por jo ato që dëshirojmë. E krejt kjo sipas tij, për shkak të kohës së shkurtër deri te mbajtja e testit.

Se çfarë rezultati pret MASHT-i, dhe a do të ketë prapë rezultat të dobët sikurse para dy viteve, ministri Bytyqi thotë se është vështirë të flitet aktualisht.

“Aktualisht është vështir të themi çka presim , por çfarë ne jemi duke bërë është se kemi ngritur një komision ‘PISA 2018’, një komision që në fakt ka ekzistuar paraprakisht më herët por që nuk e ka bërë asnjë punë, asnjëherë nuk janë takuar dhe ka qenë thjeshtë inegzistentë dhe kemi qenë të detyruar që ta shkarkojmë atë komision dhe ta emërojmë një komision të ri”, tha ministri Bytyqi në intervistën për Gazetën observer.

E sipas ministrit Bytyqi, tashmë kanë filluar punët dinamike sa i përket përgatitjes për testin PISA.

“Tani më ne jemi në punë shumë dinamike, ky komision ka bërë një punë shumë dinamike për punën dhe veprimet që ne duhet ti bëjmë në këtë 4 mujor që na ka mbet. Më pas kemi përfunduar një udhëzim administrativ që është i gatshëm për nënshkrim nga ana ime. Ky udhëzim do t’i bëjë përgjegjës secilin nivel duke filluar nga drejtorët e drejtorive komunale dhe deri te mësimdhënësit në klasë pa lënë anash edhe stafin në Ministrinë e Arsimit, përfshirë edhe kabinetin e ministrit”, tha Bytyqi.

Ai më tej, ka njoftuar se që të gjithë janë në alarmin e punës dhe angazhimit që duhet të bëjnë për këtë periudhë.

“Ky plan dinamik që ka filluar të zbatohet. Dje ka pasur diskutim 3 orësh këtu në MSH, me grupet e interesit dhe profesionale.

Ditët në vazhdim do të ketë punë në terren ku do të kemi takim me drejtorët e drejtorive nëpër komuna dhe me mësimdhënës për të diskutuar përgatitjet që ne jemi duke i bërë për çështjen PISA 2018. Do të kemi teste provuese nëpër shkolla tona. Planifikojmë t’i kemi 2 teste provuese në mënyrë që nxënësit të familjarizohen me mbajtjen e testit. Keni parasysh që për herë të parë testet këtë vit do të mbahen në mënyrë digjitale. Dhe nxënësit duhet të familjarizohen me mënyrën dhe qasjen e testit. Kjo pastaj do ta ngrit edhe nivelin e përgjegjësisë nëpër shkolla. Ndërsa testi i dytë do t’i eliminojë dobësitë e dala nga testi i parë teksa testi i dytë do ta ketë eliminimin e këtyre dobësive deri në mbajtjen e testi final i cili do të mbahet më fundin e prillit dhe fillimin e majit”, ka shtuar më tej Bytyqi.

E krejt kjo punë e Komisionit, stafit të Ministrisë, përfshirë edhe kabinetin e ministrit, sipas tij, do të bëhet që të dihet , pesha e testit PISA, gjegjësisht rëndësinë e jashtëzakonshme që ka.

“Konsideroj se ky angazhim i joni dhe tjerave përmes medieve dhe takimeve direkte që të gjithë jemi të vetëdijshëm që ka një peshë dhe rëndësi të jashtëzakonshme mbajtja e testit PISA, që nuk ka ekzistuar në vitin 2015. Në këtë vit shumica nuk kanë qenë të informuar për PISA  teksa ka pas raste ku nxënësve ju ka thënë se s’ka peshë, thjeshtë sa për tu futur në këtë test dhe asgjë më shumë…Ne do të mundohemi që nivelin dhe angazhimin e përgjegjësisë mos ta lëmë. Presim rezultate më të mira por jo atë që do të dëshirojmë sepse po flasim për një periudhë shumë të shkurtër në të cilën jemi aktualisht”, tha për fund ministri Bytyqi./Gazeta Observer